Vala e të nxehtit ekstrem që po përhapet tani në SHBA-në dhe anembanë globit duket se po ushqehet nga ndryshimet klimatike. Shkencëtarët thonë se ka të ngjarë të shohim verëra të ngjashme të nxehta në të ardhmen. Por, edhe pse kjo lloj vape pritet të ndodh më shpesh në të ardhmen, kjo nuk do të thotë se çdo verë do të jetë si e këtij viti.
Marrë nga “The Hill”
Përktheu: Orges Zaimi
Noah Diffenbaugh, një profesor i shkencës së sistemit të planetit Tokë në Universitetin e Stanford deklaroi: “Ne kemi besim shumë të lartë shkencor se bota do të vazhdojë të përjetojë verëra si kjo dhe në fakt frekuenca e nxehtësisë ekstreme do të intensifikohet më tej si pasojë e ngrohjes së mëtejshme globale”.
Ai më pas shtoi: “klima gjithmonë do të ndryshojë, ne jemi tashmë në një klimë ku ato që dikur ishin kushte të paprecedentë të nxehtësisë tani janë shumë më të mundshme”.
Ky korrik pritet të jetë muaji më i nxehtë që bota ka parë ndonjëherë. Deri më tani këtë verë, Phoenix ka parë një varg 26-ditore të temperaturave që arrijnë më shumë se 44 gradë, Miami pati temperatura 37 gradë për 37 ditë dhe 13 ditë rresht temperatura më të larta se 41 gradë. Sipas The Associated Press, vetëm Teksasi ka parë 13 vdekje të lidhura me valën e të nxehtit.
Gjatë udhëtimit të fundit të lajmëtarit të klimës John Kerry në Pekin, disa pjesë të Kinës panë temperatura që arritën në më shumë se 48 gradë, ndërsa vendet përfshirë Spanjën, Italinë dhe Greqinë gjithashtu janë prekur nga kjo valë e nxehtë.
Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike janë shkaktarët kryesorë për nxehtësinë e madhe. Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, çdo 0,9 gradë shtesë e ngrohjes globale shkakton “rritje qartësisht të dukshme në intensitetin dhe frekuencën e ekstremeve të nxehta, përfshirë valët e të nxehtit”.
Ndërkohë, hulumtimi i publikuar këtë javë zbuloi se valët e të nxehtit që preknin SHBA-në dhe Evropën Jugore do të kishin qenë “praktikisht të pamundura” pa ndryshimet klimatike, ndërsa vala e të nxehtit të Kinës do të ishte një ngjarje që do të ndodhte 1 në 250 vjet.
Hulumtimi nga World Weather Attribution gjithashtu tregon se nëse bota nuk ndalon shpejt djegien e karburanteve fosile, këto kushte do të bëhen edhe më të zakonshme.
Konkretisht, hulumtimi parashikoi se valët e nxehta si ato të fundit do të ndodhnin çdo dy deri në pesë vjet nëse planeti arrinte 3.6 gradë ngrohje krahasuar me nivelet para-industriale. Tashmë jemi më shumë se në gjysmë të rrugës, pasi kemi arritur rreth 2 gradë ngrohje.
Diffenbaugh vuri në dukje se kjo ngrohje përfaqëson ndryshimin në temperaturën mesatare globale dhe tha se temperaturat në fakt janë rritur më shumë në tokë – ku njerëzit jetojnë në të vërtetë – sesa në oqeane.
“Vendet ku njerëzit jetojnë, në tokë, në përgjithësi janë ngrohur më shumë se mesatarja globale dhe ne gjithashtu kemi prova që shumë nga zonat që janë shumë të populluara shfaqin këto reagime të atmosferës sipërfaqësore që përforcojnë ngrohjen,” tha ai.
Një mënyrë që ndryshimi i klimës kontribuon në nxehtësinë ekstreme është duke rritur temperaturën bazë.
Andrew Kruczkiewicz, Një studiues i lartë në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimeve për Klimën dhe Shoqërinë, nga një Universitet i Kolumbisë deklaroi: “Një nga ndikimet më të drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike është ngrohja e atmosferës dhe ngrohja e oqeaneve dhe vetëm kështu – kur kemi ndryshime klimatike që çojnë në kushte më të ngrohta, niveli bazë i asaj që është normale për sa i përket temperaturës është gjithashtu rritet.”
Diffenbaugh gjithashtu tha se për shkak se ka më shumë nxehtësi në sistemin klimatik, kur kushtet që krijojnë një valë të nxehti bashkohen, “kanë më shumë gjasa të prodhojnë temperatura më të larta, shtrirje më të gjerë gjeografike të temperaturave të larta dhe qëndrueshmëri më të gjatë të temperaturave të larta”.
Por, ndërkohë që ndryshimi i klimës është një faktor kontribues, nuk është e vetmja arsye pse ndodhin valët e të nxehtit.
Andy Hoell, një meteorolog hulumtues në Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike, tha se ka edhe faktorë të tjerë që përfshijnë ndryshimet natyrore në mot dhe gjithashtu “El Niño” – një fenomen në të cilin erërat që fryjnë në perëndim përgjatë ekuatorit dobësohen, duke shtyrë ujin e ngrohtë në lindje drejt bregut perëndimor të SHBA.
El Niño, që zakonisht ndodh çdo dy deri në shtatë vjet, mund të bëjë që SHBA-ja veriore dhe Kanadaja të jenë më të thata dhe më të ngrohta se zakonisht, ndërsa juglindja të bëhet më e lagësht.
“Sistemet e motit dhe modelet e motit ndonjëherë janë më të ngadalta në verë sesa në dimër dhe si rezultat i kësaj, ajo që ndodh është që kemi anomali të zgjatura të temperaturës,” tha Hoell.
Ai shtoi gjithashtu se El Niño “po nxit anomali në atmosferë” dhe poashtu po shkakton një pjesë të valëve të të nxehtit.
Sipas Shoqatës Botërore të Meteorologjisë, viti 2016 ishte viti më i ngrohtë i regjistruar për shkak të një “goditjeje të dyfishtë” – ngjarjeve të fuqishme të El Niño dhe ngrohjes globale të shkaktuar nga njerëzit.
Nxehtësia ekstreme që ka mbërthyer botën si rezultat i këtyre faktorëve është e pamohueshme. Por reagimi i politikanëve amerikanë ndaj ndryshimeve klimatike ka ndryshuar gjerësisht, kryesisht përgjatë vijave politike.
Republikanët kryesisht kanë injoruar, ose në disa raste kanë mohuar, lidhjen midis valëve të të nxehtit dhe ndryshimeve klimatike. Ata që janë në gjurmët e fushatës 2024 kanë pasur pak për të thënë rreth krizës klimatike dhe kanë mirëpritur politika që promovojnë më shumë përdorimin e karburanteve fosile.
Në anën tjetër, demokratët kanë kërkuar të adresojnë ndryshimet klimatike, duke përfshirë miratimin e Aktit të Reduktimit të Inflacionit vitin e kaluar – legjislacioni më i rëndësishëm rreth klimës në historinë e vendit, i cili ndër masat e tjera ofronte subvencione për burimet e energjisë miqësore me klimën.
Senatori amerikan Bernie Sanders, më herët gjatë këtij muaji deklaroi: “Nëse ky planet nuk punon së bashku – nëse ne në Kongres nuk mundohemi të gjejmë zgjidhje së bashku – planeti që fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të jetojnë do të jetë gjithnjë e më i pashëndetshëm dhe i pabanueshëm”.