Sapo ka filluar debati mbi ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që besohet se ditët në vazhdim do të jenë të nxehta dhe vendimtare për sigurimin e 80 deputetëve për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë, që është një kusht dhe pjesë e kornizës për vazhdimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE. Përfaqësuesit qeveritarë kanë theksuar se nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese do të ndërpriten bisedimet me BE, ndërkohë që partia opozitare VMRO-DPMNE ka theksuar se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar. Beteja politike duket se sapo ka filluar ndërkohë që pritet një verë e nxehtë dhe e gjatë politike me shumë taktizime partiake.
KDP
Ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht përfshirja e bullgarëve në kushtetutë siç dihet tashmë, garanton procesin e vazhdimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, një proces që vlerësohet se i siguron vendit të ardhme evropiane. Që nga hapja e bisedimeve dhe fillimi i procesit të screening-ut, në skenën politike nuk kanë munguar debatet mbi përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë, që vjen si kusht kryesor nga Bullgaria fqinje, pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, që i hapi rrugën procesit të bisedimeve. Korniza negociuese tashmë është miratuar edhe BE dhe si e tillë paraqet kusht për vazhdimin e bisedimeve.
Por, duke pasur parasysh kundërshtimet e deritanishme, duket se ndryshimet kushtetuese nuk do të jenë edhe aq të lehta, sidomos nëse kihet parasysh që partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE kategorikisht kundërshton propozimin për ndryshimet kushtuese. Me gjasë beteja politike do të jetë e nxehtë dhe nuk dihet ndërkohë se çfarë epilogu mund të ketë. Partia e Mickovskit ka theksuar se nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese, të cilat bëhen me diktatin e Bullgarisë, ndërkohë që LSDM-ja në pushtet vazhdimisht ka theksuar se nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese vendi do të përballet me ndërprerjen e procesit të bisedimeve me BE-në.
Sidoqoftë, në ndërkohë, me 10 vota “për”, shtatë “kundër” Komisioni për Çështje Kushtetuese ka miratuar në lexim të parë propozimin për hapjen e Kushtetutës. Kryetari i Komisionit Talat Xhaferi, ka theksuar se propozuesi për ndryshimet kushtetuese ka afat 15 ditë që të propozojë draft-amendamentet për ndryshimet kushtetuese.
Në debatin e kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka theksuar se nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese, do të ndërpritet procesi i integrimit të vendit në BE.
Ai ka theksuar se propozimi është tërësisht në drejtim të qëllimit konsensual të shtetit, anëtarësimit në BE, të vendosur në vitin 1991, që sot është vullneti shumicë i qytetarëve dhe një shans për brezat e rinj të ardhshëm dhe garanton një të ardhme evropiane.
“Amendamentet kushtetuese nuk kërcënojnë asnjë çështje identitare, prandaj qytetarët nuk kanë asgjë për t’u shqetësuar”, ka theksuar Kovaçevski.
Ai gjithashtu ka theksuar se ndryshimet kushtetuese nuk janë të diktuara, por janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në.
“Nuk duhet ta humbim këtë shans për Evropën. Ndodhi një herë kur u ndamë nga Kroacia. E nëse do të ndodhë edhe këtë vit, do ta vendosni ju në Parlament. Përfaqësuesit evropianë paralajmërojnë se ekziston rreziku i ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, nëse ndryshimet kushtetuese nuk miratohen para fundit të vitit. Kjo do të thotë se ato nuk janë të diktuara, por janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në”, ka theksuar Kovaçevski.
Koordinatori i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, gjatë debatit për ndryshimet kushtetuese në Komisionin për Çështje Kushtetuese, ka theksuar se Qeveria nuk do të ketë mbështetjen e tyre për ndryshimin e Kushtetutës.
Ai ka theksuar se ndryshimet kushtetuese bëhen nën diktimin bullgar.
“Ndryshimet kushtetuese nën diktim, presion dhe imponim janë të pamundura dhe nuk do t’i mbështesim kurrë. Është shkelje e sovranitetit të një vendi. Sovraniteti vjen nga populli dhe 80 për qind i thonë jo një akti të tillë dhune nga qeveria”.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka theksuar se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese sipas diktatit bullgar.
“Dyzet e katër deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit janë të qartë dhe të saktë në qëndrimin e tyre. Dje patëm koordinim, pa thënë asnjë fjalë, u kuptua se të gjithë po flisnim me zë të lartë, e kjo është se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese sipas diktatit bullgar”, ka theksuar Mickoski.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka theksuar në një paraqitje televizive se e ardhmja e vendit nuk është vetëm përgjegjësi e Qeverisë, por e kujtdo që është dakord që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian. A ka theksuar se vendi është në pikë kritike dhe kushdo që dëshiron të shohë progres duhet të marrë përgjegjësi.
Për këtë, ka theksuar Osmani, është e nevojshme të krijohet një front europian që do të marrë rolin udhëheqës në atë rrugë dhe do të jetë më shumë se udhëheqje e politikës ditore.
“Tani është koha kur duhet të mbajmë përgjegjësi për këtë popull, përgjegjësi për këtë vend, sepse në fund të fundit politika është mbi të gjitha shërbim, është një lloj përgjegjësie ndaj njerëzve që ju kanë dhënë besimin. Tani është koha e Frontit për Europën. Ta mbajmë këtë kurs, të arrijmë këtu dhe pasi ta kalojmë këtë pikë, e cila është e papërsëritshme, atëherë le të organizohet skena politike si të dojë, kjo është më pak e rëndësishme për momentin”, ka theksuar Osmani në një intervistë për TV 21.
Ndërkohë partitë opozitare në bllokun politik shqiptar kanë theksuar se do të mbështesin propozimin për ndryshimet kushtetuese, por ato kanë shpaluar vërejtjet e veta në lidhje me propozimin, në të cilin nuk është përfshirë heqja e formulimit “20 përqind” për shqiptarët dhe propozimi i tyre për përfshirjen e luftës kundër korrupsionit.
Lideri i Alternativës, Afrim Gashi, ka theksuar se ky propozim kështu siç është përgatitur për ndryshimet kushtetuese më shumë antievropian se sa që ka për qëllim integrimin e vendit në BE.
“Alternativa e ka dëshmuar në të kaluarën dhe nuk kemi nevojë ta dëshmojmë edhe një herë se cili është qëndrimi ynë rreth integrimit të vendit në BE. Organet tona partiake, gjithashtu të kordinuar edhe me partitë tjera të Frontit Opozitar shqiptar, do të përcjellin debatin deri në fund dhe do të presim përgjigjet në pyetjet tona. Por tani e kam patjetër të theksoj se ky propozim kështu si është përgaditur dhe kohën në të cilë është dërguar këtu në Kuvend, na lë më shumë për të kuptuar se ky propozim për ndryshime kushtetuese është më shumë antieuropian se sa që ka për qëllim integrimin e vendit në BE, sepse një propozim që ka frikë nga lufta kundër korrupsionit dhe që ka frikë nga përmendja e gjuhës shqipe nuk frymon assesi në frymën europiane”, ka theksuar Gashi.
Do ta mbështesim propozimin, por është dashur të propozohet heqja e “20 për qind e shqiptarëve” nga Kushtetuta, kështu ka deklaruar Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
Zendeli, tha se ai dhe kolegu i tij do të mbështesin amendamentet kushtetuese, por edhe u ngrit sërish për kërkesën e tyre për heqjen e “20 për qind” të shqiptarëve nga Kushtetuta.
Duket se beteja për ndryshime kushtetuese sapo ka filluar dhe ndërkohë që pritet një debat i nxehtë deri te votimi i propozimit për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë. Zaret janë hedhur dhe çdo parashikim tash për tash duket i pamundshëm.