E shtunë, 25 Janar, 2025

GVOSDEV: NATO-JA NUK KA QASJE TË PËRBASHKËT STRATEGJIKE NDAJ UKRAINËS

Samiti i fundit i NATO-s në Vilnius përfundoi “pa garanci konkrete sigurie” për Kievin dhe nxori në pah dështimin e aleancës ushtarake perëndimore për të krijuar një “këndvështrim të përbashkët strategjik” për Ukrainën, thotë në një intervistë për Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë Nikolas Gvosdev, profesor i studimeve të sigurisë kombëtare në Kolegjin e Luftës Detare në SHBA.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë kemi mësuar nga samiti i NATO-s që u zhvillua së voni në Vilnius?

Nikolas Gvosdev: Ajo që kemi mësuar në Vilnius është se NATO-ja është një aleancë e vështirë prej 31 anëtarësh.

Është e vështirë të arrihet konsensus dhe ajo me të cilën përfunduam, ishte një qasje më e ulët ndaj shumë çështjeve, përfshirë atë të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, dhe në cilat kushte Ukraina mund të ftohet për t’iu bashkuar aleancës.

Dhe nuk ishin thjesht shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore, republikat baltike që donin ftesë për Ukrainën, dhe kundërshtarët tradicionalë, si Gjermania dhe Franca, por edhe qasja shumë e pavendosur e SHBA-së që zuri në befasi një numër vëzhguesish.

Nëse mendojmë për Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm Planin e Veprimit të Anëtarësimit [që përcakton hapat dhe kushtet për anëtarësimin në NATO] si për Ukrainën, ashtu edhe për Gjeorgjinë.

Dhe në vitin 2023, në Vilnius, Shtetet e Bashkuara nuk ishin të vendosura për ta çuar Ukrainën menjëherë drejt marrjes së një ftese.

Dhe, në njëfarë mënyre, është një situatë më e keqe – mund të them unë – heqja e Planit të Veprimit të Anëtarësimit, [sepse] Ukraina do ta dinte se çfarë do të duhej të përmbushte.

Tani, kemi këtë formulim shumë të paqartë që thotë: Mirë, Ukraina do të anëtarësohet kur kushtet të përmbushen dhe aleatët të bien dakord.

Kjo nuk na jep shumë qartësi se cilat janë kushtet. Kur do të takohen? Kush do ta vlerësojë nëse janë plotësuar kushtet? Dhe, çfarë do të duhet që aleatët të bien dakord?

Pra, në njëfarë mënyre, ky samit e ka përkeqësuar pozicionin e Ukrainës. Ukraina nuk ka një ftesë të qartë, nuk ka një afat kohor, nuk ka – së paku – garanci konkrete sigurie nga aleanca.

Dhe tani ajo që do të ndodhë pas Vilniusit, e që do të jetë e rëndësishme, është nëse vendet individuale, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara, do të japin apo jo garanci më të qarta dhe më të forta mbështetjeje për Ukrainën – gjë të cilën aleanca nuk ka qenë e gatshme ta bëjë në Vilnius.

Çështja, përsëri, është se aleanca nuk ka një pikëpamje të përbashkët strategjike për Ukrainën, përtej marrëveshjes se Ukraina duhet të mbështetet kundër pushtimit rus.

Radio Evropa e Lirë: Le të bëjmë një kthesë të shpejtë, një kthesë shumë të shkurtër për në Suedi. Më në fund, Turqia ka dhënë dritën jeshile për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Çfarë ka marrë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, prej saj? Sepse, nëse shohim historinë e tij, ai nuk e ka bërë këtë nga dashamirësia ose nga idealet e larta të fuqizimit të NATO-s dhe Perëndimit. Pra, për çfarë ka bërë pazare?

Nikolas Gvosdev: Unë mendoj se ai po bën pazare për ndihmën e pezulluar ushtarake të SHBA-së, pas vendimit të tij për të blerë sistemin [raketor rus] S-400.

Unë mendoj se ai po përpiqet t’u japë fund përpjekjeve në Kongresin e SHBA-së për ta sanksionuar Turqinë për një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë aktivitetet e saj ekonomike me Rusinë. Unë mendoj se Erdogan po thotë: “Do ta çoj përpara çështjen e Suedisë, dua [avionë luftarakë] F-16 dhe ndoshta kthim në programin [e avionëve] F-35 [të udhëhequr nga SHBA-ja]. Por, nuk dua të shoh që flitet për sanksionimin e Turqisë për marrëdhëniet e saj biznesore me Rusinë”.

Lexo me shume tek REL

Të fundit