E shtunë, 25 Janar, 2025

MOSBESIMI NË INSTITUCIONET, DENONCIM I ULËT I KRIMIT DHE KORRUPSIONIT

Adrian Kerimi: “Humbja e besimit në institucione dhe politizimi i organeve ligj-zbatuese ka ndikuar që qytetarët të mos kenë guximin për denoncimin e krimit dhe korrupsionit. Në disa situata është dëshmuar se aferat korruptive edhe pse dihen publikisht, institucionet heshtin. Lufta kundër korrupsionit është alfa dhe omega e negociatave me BE-në”

Muazam Halili: “Shpresojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Europian, do të ndikojë në përmirësimin e luftës kundër dukurisë të korrupsionit, mbase eliminimi i tërësishëm i saj është i pamundur. Në fakt besoj se do të kemi përmirësim në këtë drejtim, sepse mbikëqyrja nga organet e BE-së është më e drejtpërdrejtë dhe pikërisht hapërimi më i shpejtë në proceset eurointegruese, do të varet nga suksesi i luftës kundër korrupsionit”

Shkruan: Gentuar Ismaili

Edhe përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare ka investuar me vite të tëra për të vetëdijesuar qytetarët për të raportuar korrupsionin, siç duket nuk është arritur efekti i dëshiruar.

Këtë më së miri e pasqyron publikimi i fundit i Institutit për Politika Publike “Arben Xhaferi”,  i cili vë në dukje se sipas të dhënave të projektit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal “SecuriMeter”, del që 77% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut mendojnë se nuk ka sistem efektiv të raportimit të korrupsionit në vendin tonë.

Ekspertët e anketuar nga ana e KDP.MK shprehen se hapja e negociatave me BE-në do ta intensifikoj luftën kundër korrupsionit.

Gazetari Adrian Kerimi thotë se lufta kundër korrupsionit është alfa dhe omega e negociatave me BE-në.

“Humbja e besimit në institucione dhe politizimi i organeve ligj-zbatuese ka ndikuar që qytetarët të mos kenë guximin për denoncimin e krimit dhe korrupsionit. Në disa situata është dëshmuar se aferat korruptive edhe pse dihen publikisht, institucionet heshtin. Lufta kundër korrupsionit është alfa dhe omega e negociatave me BE-në. Brukseli dhe Uashingtoni për 20 vite kanë rekomanduar mekanizma për luftë kundër krimit përfshirë edhe harmonizimin e kornizave ligjore.  BE-ja veçse ka paralajmëruar misione mbikëqyrëse ndaj organeve të drejtësisë.”, u shpreh gazetari Kerimi.

Ndërkaq, profesori universitar Muazam Halili shpreson se hapja e negociatave me BE-në do të përmirësojë luftën kundër korrupsion.

“Shpresojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Europian, do të ndikojë në përmirësimin e luftës kundër dukurisë të korrupsionit, mbase eliminimi i tërësishëm i saj është i pamundur. Në fakt besoj se do të kemi përmirësim në këtë drejtim, sepse mbikëqyrja nga organet e BE-së është më e drejtpërdrejtë dhe pikërisht hapërimi më i shpejtë në proceset eurointegruese, do të varet nga suksesi i luftës kundër korrupsionit”, u shpreh profesori Halili.

Përndryshe, në të njëjtin publikim thuhet se vetëm 15% e qytetarëve besojnë se RMV-ja ka një sistem të tillë ndërkaq, 8% nuk janë deklaruar fare.

Kohëve të fundit faktori ndërkombëtarë e ka intensifikuar presionin ndaj vendi tonë.

Vetëm para disa javësh Departamenti i Thesarit të SHBA-së njoftoi se e ka futur në listë të zezë ish funksionarin e lartë të BDI-së dhe kryetarin e komunës së Strugës Ramiz Merkon, ndërkohë që këtyre ditëve në listën e personave non grata është edhe biznesmeni kontrovers, Orce Kamçev.

Të fundit