Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese që parashohin përfshirjen e bullgarëve etnikë në Kushtetutë, përskaj insistimit të faktorit ndërkombëtar që të mbështetet zbatimi i Propozimit Francez, që hapi rrugën për procesin eurointegrues, përcjell KDP.
“E papranueshme, totalisht e paarsyeshme dhe më tej e rrezikon pozicionin e Maqedonisë ndaj BE-së”, thotë Mickovski në një intervistë për DW në gjuhën maqedonase, duke komentuar tekstin e propozim-iniciativës për ndryshime kushtetuese, të cilën Qeveria e dërgoi për procedim të mëtutjeshëm në Parlament.
“Qeveria po e komplikon edhe më tej procesin duke përcaktuar një tekst për amendamentet kushtetuese që jo vetëm që nuk është i pranueshëm, por mund të them se është totalisht i paarsyeshëm dhe siç është, kërcënon edhe më tej pozitat e Maqedonisë në kuadër të progresit drejt anëtarësimit të plotë në BE. Dhe vërtet do të doja të dëgjoja arsyetimin nga Qeveria – në cilën pjesë të konkluzioneve të Këshillit të BE-së, në cilën pjesë të kornizës negociuese dhe në cilën pjesë të protokollit, është ky tekst i këtyre ndryshimeve kushtetuese”, tha Mickoski.
Në pyetjen se për çka konkretisht e ka fjalën, Mickovski me përgjigje: “Arsyet pse ndryshimet e tilla janë të papranueshme janë të shumëanshme dhe para së gjithash lidhen me mungesën e ndonjë garancie se ky do të jetë koncesioni i fundit në rrugën drejt BE-së që duhet të bëjë Maqedonia dhe mungesa e mekanizmave për mbrojtjen e çështjeve identitare, si dhe tema të tjera që mund të hapen me pranimin e ndryshimeve, veçanërisht në pjesën e punës aktive të Komitetit për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve. Duket se nëse prishet edhe kjo digë, nesër nuk do të ketë asgjë që ta ndalë fqinjin lindor, në bazë të shifrave imagjinare, të kërkojë kuota punësimi për bullgarët, përfaqësim adekuat dhe të drejtë dhe një sërë kërkesash të tjera që do të jenë produkt i politikës, e jo nevojave reale”.
Ai vlerëson se me Qeverinë aktuale shpërbërja e substratit politik dhe kombëtar të maqedonasve fillon nga brenda.
“Gabimi kryesor i kësaj qeverie është se merr angazhime në këto procese që nuk mund t’i realizojë më vonë, më saktë kanë nënshkruar dokumente pa arritur një konsensus me opozitën dhe është krejt e natyrshme dhe e pritshme që ky proces të na çojë në qorrsokak. Dhe këtë nuk e them për arsye të kota sepse nuk jemi konsultuar, por për arsye thelbësore dhe praktike: sepse konsultimi me VMRO-DPMNE-në për proceset mund të prodhojë vetëm një zgjidhje më të mirë dhe të drejtë për Maqedoninë. Bullgaria nuk mund të hapë proces për ndryshime kushtetuese në Maqedoni, dhe qeveria maqedonase nuk kërkon nga Bullgaria – të paktën 3 nga gjithsej 14 aktgjykime të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg të zbatohen në favor të maqedonasve atje. Maqedonia nuk mund ta ndryshojë Kushtetutën, pa asnjë ndihmë konkrete për Maqedoninë, as garanci për simbolet tona identitare”, thotë Mickovski.
Në serinë e vërejtjeve ai kujton gjithashtu se çdo qëllim i mirë i tyre për një zgjidhje të drejtë u minua nga politika meskine në anën tjetër.
“Kur e them këtë, para së gjithash e kam fjalën për takimin e fundit të liderëve, ku në vend që Qeveria të merrte seriozisht argumentet dhe propozimet që ne i dhamë, ata dolën dhe vendosën të bëjnë spina dhe të gënjejnë publikun se pranuam gjithçka, në një situatë ku nuk pranuam asgjë. Në këtë mënyrë ata varrosën çdo shans për të eliminuar bashkërisht diktatin bullgar… Po ashtu, ka kaluar një vit që gënjejnë dhe manipulojnë se kanë siguruar shumicën për ndryshimet kushtetuese. Është krejtësisht e qartë se nuk ka një mbështetje të tillë dhe as vota për të pranuar diktatin bullgar. Është vetëm për marketing të lirë dhe defokusimin e publikut”, thotë kreu i VMRO-DPMNE-së.
Prandaj, sipas tij, e vetmja zgjidhje e qëndrueshme në këtë moment janë zgjedhjet, të cilat janë një rrugëdalje nga kriza politike dhe ekonomike. “Të mos humbim kohë, t’i organizojmë ato (zgjedhjet) këtë vjeshtë me qëllim që të sjellim energji të reja për të çuar përpara proceset e rëndësishme për qytetarët”, thotë Mickoski.