E hënë, 20 Janar, 2025

KUSH MUND TA ZËVENDËSOJË PUTININ?

Është e sigurt se largimi eventual i Putinit nga balli i Rusisë do të përceptohej negativisht kryesisht, para së gjithash në Serbi, por edhe në disa qarqe politike në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Nga ana tjetër, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë sot anëtarë të NATO-s, kështu që duket se në kufijtë e tyre përfundon edhe interesi rus – të paktën ai zyrtar, – përcjell kdp.mk analizën e  portalit “Al Jazzera Balkans”.

Konflikti i fundit ndërmjet kreut të grupit paraushtarak „Wagner“, Jevgenij Prigozhin, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, ka vënë në qendër të vëmendjes edhe mundësinë e rënies së shefit të Kremlinit. Në analizë thuhet se lufta në Ukrainë dhe reagimet e komunitetit ndërkombëtar po e ulin mundësinë e influencës së Moskës në rajonin e Ballkanit, duke bërë që të humbasë disa adute të veta:

“Hapësira manovruese e Rusisë për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor po zvogëlohet vazhdimisht nga shkurti i vitit 2022 dhe fillimi i sulmeve në Ukrainë. Politika ruse ndaj rajonit nuk është konstruktive dhe është gjithnjë e më destabilizuese, gjë që në mënyrë të kuptueshme tek vendet e rajonin krijon një neveri ndaj marrëdhënieve më të ngushta me Federatën Ruse,” – thotë Jakov Devçiq, drejtor i Fondacionit “Konrad-Adenauer” për Serbinë dhe Malin e Zi.

Putini dhe Rusia kanë mbështetje të madhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesisht falë propagandës jashtëzakonisht të fuqishme pro-ruse. Kremlini në mesazhet e tij për rajonin vazhdon të përsërisë tezat e viteve nëntëdhjetë – se “vendet perëndimore dhe aleanca e NATO-s janë përgjegjëse për shpërbërjen e Jugosllavisë”. Nuk përmendet fakti që Rusia e atëhershme  shiste dhe furnizonte me armë të dyja anët e frontit jugosllav, votoi për vendosjen e sanksioneve kundër RF të Jugosllavisë dhe për vite me radhë ushtroi presion mbi Milosheviqin për të hedhur poshtë disa marrëveshje të favorshme ndërkombëtare. Për një dekadë e gjysmë, propaganda ruse në Serbi po bazohet kryesisht në statusin e pazgjidhur të Kosovës dhe pozicionin e Republika Serpskës. Kremlini shpesh shkon më tej, kështu që vitin e kaluar zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e kritikoi kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Krahasimi i Rusisë gjatë operacionit special në Ukrainë me sjelljen e vendeve të NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999 është krejtësisht i pavend,”- pati deklaruar Zakharova.

Ekspertët dhe analistët prej vitesh vënë në dukje se strategjia politike e Kremlinit në Ballkan synon drejtpërdrejt ngadalësimin ose ndalimin e plotë të integrimeve euroatlantike, si dhe mbrojtjen e interesave të tij ekonomike, në radhë të parë të atyre energjetike.

Kolumnisti Bratislav Dejanoviq rikujton se Putini në marrëdhëniet me Perëndimin luan shpesh në “kartën ballkanike”:

“Nuk duhet harruar se Putini edhe para fillimit të luftës në Ukrainë përmendi disa herë shembullin e Kosovës, e cila mori mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për referendum dhe e krahasoi atë me referendumet për pavarësinë në Krime dhe Donetsk. Më anë tjetër, njësitë ruse ishin të parat që u tërhoqën nga Kosova, nga misioni i atëhershëm ndërkombëtar në vitin 2003. Urdhrin për tërheqjen e misionit rus atëherë e firmosi personalisht Putini, ndërsa sot  atë shumëkush e ‘feston’ si mbrojtës të interesave serbe në Kosovë e Metohi”,- citon kdp.mk deklaratën e Dejanoviqit për portalin “Al Jazzera Balkans”.

Në analizën me autor Ivan Trajkoviqin thuhet se është e sigurt se largimi eventual i Putinit nga balli i Rusisë do të përceptohej negativisht kryesisht, para së gjithash në Serbi, por edhe në disa qarqe politike në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Nga ana tjetër, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë sot anëtarë të NATO-s, kështu që duket se në kufijtë e tyre përfundon edhe interesi rus – të paktën ai zyrtar. Rrjedhimisht Rusia  ka punuar aktivisht vite të tëra  për të parandaluar hyrjen e ish-vendeve të Jugosllavisë në NATO, dhe kjo u bë veçanërisht hapur në vitin 2019 në Maqedoninë e Veriut./kdp.mk/

Të fundit