Të gjitha dokumentet personale të vlefshme që mbajnë emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” nuk do të jenë të vlefshme pas afatit deri më 12 shkurt 2024. Kjo është pjesë e Marrëveshjes së Prespës, e nënshkruar në vitin 2018 midis Shkupit dhe Athinës, me të cilën u mbyll kontesti tredekadësh i emrit dhe u hap perspektiva euroatlantike e vendit, përcjell KDP.
Më 13 shkurt 2024 nuk do të mund të kaloni kufijtë shtetërorë me pasaportë të vlefshme që mban emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë”. Nëse policia do të shohë që mbani patentë shoferi me emrin e vjetër të shtetit do t’ju shkruaj gjobë. Letërnjoftimet me emrin e vjetër të shtetit do të jenë poashtu të pavlefshme dhe asnjë institucion nuk do t’i pranojë ato.
“Dokumentet me emrin e vjetër të shtetit nuk do të jenë të vlefshme pas datës 12 shkurt 2024, pavarësisht se kur u skadon afati. Me dokument të vjetër udhëtimi nuk do të mund të kalohet kufiri, as nuk do të pranohet si dokument në institucione dhe me patentë shoferi të vjetër nuk do të mund të drejtohet makina”, tha MPB.
Koha e shkurtër për të nxjerrë pasaporta dhe dokumente të tjera personale tashmë krijon një listë të gjatë pritjeje. Nëse përpiqeni të caktoni një termin me telefon, do të merrni një datë pas më shumë se një muaji. Një termin më i shpejtë mund të merret vetëm pas një procedure urgjente, por paguhet tre herë më shtrenjtë.
Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë i mori në maj të këtij viti, në atë kohë vetëm 40 për qind e pasaportave të vlefshme kishin emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Sipas këtyre shifrave, prej atëherë deri më 12 shkurt, është dashur të ndërrohen rreth një milion pasaporta të vlefshme të qytetarëve. Shifrat tregojnë se për të ndryshuar një milion pasaporta duhet të hyjnë në arkën e shtetit mbi 32 milionë euro, nëse të gjithë qytetarët vendosin t’i ndryshojnë ato.
Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Megjithatë, kritika e institucioneve është se edhe pse kushtet e Marrëveshjes kanë filluar me ndryshimin e Kushtetutës në shkurt të vitit 2019, ato nuk kanë filluar me kohë nxjerrjen e dokumenteve personale me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.
Kështu, qytetarët që gjatë vitit 2021 i kanë nxjerrë dokumentet personale, i kanë pranuar sërish me emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë”. Tani ata duhet të paguajnë përsëri për dokumentet e reja.
Përveç kësaj, është rritur edhe pagesa për nxjerrjen e dokumenteve. Pasaporta do të kushtojë 500 denarë më shumë për qytetarët e rritur mbi 27 vjeç. Pasaporta emergjente do të kushtojë 1600 denarë më shumë.
Ndërrimi i të gjitha dokumenteve për një familje me katër anëtarë me dy të rritur dhe dy fëmijë të mitur kushton rreth 180 euro. Përveç pasaportës, me çmimet e reja duhet të paguajnë 310 denarë për letërnjoftim, 520 denarë për patentë shofer, 250 denarë për leje në komunikacion dhe 1.250 denarë për ndërrim të targave për veturë.
Çmimet e pasaportave për fëmijë mbetën të njëjta 1600 denarë, ndërsa për fëmijët nga 4 deri në 18 vjeç 1700 denarë. Patentë shoferi në procedurë emergjente është 1.230 denarë, që është një rritje prej 390 denarë.
Sipas Marrëveshjes së Prespës, vendi u angazhua për dy periudha kalimtare në lidhje me dokumentet dhe materialet ekzistuese të lëshuara – një “teknike” dhe një “politike”:
Periudha e tranzicionit “teknik” nënkupton që të gjitha dokumentet dhe materialet zyrtare të administratës publike për përdorim ndërkombëtar dhe për dokumentet për përdorim të brendshëm, por edhe ato që mund të përdoren jashtë vendit, duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri.