E hënë, 28 Prill, 2025

SHBA SANKSIONON BIZNESMENIN E MAQEDONISË SË VERIUT JORDAN KAMÇEV

Më 19 korrik, Departamenti i Thesarit i SHBA vendosi biznesmenin e Maqedonisë së Veriut Jordan Kamçev në listën e sanksioneve.

Sipas faqes së internetit të Zyrës së Departamentit të Thesarit të SHBA për Kontrollin e Pasurive të Huaja, Kamçev u sanksionua për “përfshirje në aktivitete korruptive, pastrim parash dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”.

Sipas akuzave, veprimet e tij korruptive kanë minuar besimin e publikut dhe kanë dëmtuar integritetin e sektorit të drejtësisë dhe sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut.

SHBA-ja i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut që të vazhdojë të forcojë sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe luftën kundër korrupsionit, për të cilin beson se është çelësi për integrimin e Maqedonisë së Veriut në institucionet evropiane.

Pse u sanksionua Kamçevi?

Autoritetet amerikane shpjegojnë se Kamçev ka qenë i përfshirë në korrupsion, abuzim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash që nga fillimi i viteve 2000 – më shumë se një dekadë.

Kamçev u dënua në vitin 2022 në aferën “Plecevi Vodno” për përfshirje në një skemë të pastrimit të parave lidhur me blerjen e paligjshme të tokës.

Ai u deklarua fajtor për keqpërdorim të rëndë të pozitës zyrtare në aferën “Imperija”, në të cilën dyshohej për bashkim kriminal, mashtrim, pastrim parash dhe vepra të tjera të lidhura me biznesin e tij.

Departamenti Amerikan i Thesarit thekson më tej se Kamçev përdori ndikimin dhe pasurinë e tij të korruptuar për të manipuluar gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut për përfitime personale.

Në vitin 2020, kryetarja e Prokurorisë Speciale (PSP), Katica Janeva, akuzohej se kishte marrë ryshfet nga Kamçevi. Ajo dëshmoi se biznesmeni maqedonas i ka paguar paratë në këmbim të kushteve më të favorshme të arrestit dhe përfundimit të rastit.

Kamçev më vonë ngriti një padi civile kundër kryeprokurorit dhe të tjerëve, duke pretenduar se ai ishte shantazhuar.

Një gjykatë në Shkup konstatoi se Kamçev nuk ishte palë e dëmtuar dhe nuk kishte të drejtë për kompensim.

Pas skandalit, Prokuroria Speciale e ndërpreu punën dhe kryeprokurorja Janeva u dënua dhe po vuan dënimin me burg.

Si rezultat, shumë raste të korrupsionit të nivelit të lartë mbeten të pazgjidhura, duke vonuar përgjegjësinë e shumë individëve që janë përfshirë në korrupsion të ngjashëm me atë të Kamçevit.

Në janar 2022, Kamçev u lirua nga paraburgimi me një garanci bankare prej 11 milionë euro.

Ai është bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, si dhe i shumë kompanive tjera.

Kamçev, i cili u rendit si një nga maqedonasit më të pasur nga revista amerikane Forbes, dyshohet edhe për “shoqatë kriminale” në rastin “Imperija”, së bashku me ish-shefin e policisë sekrete Saša Mijalkov.

Mijalkov është dënuar në shkallë të parë me 12 vjet burg për përgjime masive të paligjshme në rastin “Target-Tvrđava” dhe ndodhet në paraburgim në Shkup me kërkesë të prokurorisë, e cila ka informacione se ai ka planifikuar të largohet nga vendi./RSE/

Të fundit