E martë, 23 Prill, 2024

TË RËNDËSISHME NDRYSHIMET KUSHTETUSE SI DHE HEQJA E 20 PËRQINDSHIT

Kryeministri Kovaçevski ka theksuar se propozimi i Mickovskit për qeveri pa BDI-në mund të hap probleme tjera dhe destabilizim. Sipas tij, qeveria duhet të jetë e unitetit dhe jo e përçarjes dhe destabilizimit. Ndërkohë rreth kësaj ideje janë prononcuar edhe partitë opozitare shqiptare. Nga Alternativa kanë theksuar se manovrat midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së janë të panevojshme dhe se çështja kryesore është që të realizohen ndryshimet kushtetuese sa më shpejtë. Nga Lëvizja BESA kanë theksuar “se nuk është e rëndësishme pjesëmarrja ose jo në qeverinë teknike, për ne është e rëndësishme që termi nënçmues 20% të hiqet nga kushtetuta dhe të zëvendësohet me gjuha shqipe”.

Shkruan: Enis Shaqiri

Ndërkohë që është riaktualizuar debati për një Qeveri gjithëpërfshirëse, pa BDI-në, e cila do të miratonte ndryshimet kushtetuese, partitë opozitare shqiptare tashmë kanë shprehur qëndrimet e tyre. Nga Alternativa vlerësojnë se manovrat midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së janë të panevojshme dhe se çështja kryesore është që të realizohen ndryshimet kushtetuese sa më shpejt. Ndërsa Lëvizja Besa nuk u shpreh në lidhje me krijimin e një Qeverie teknike gjithëpërfshirëse, por theksoi rëndësinë e heqjes së terminit “20 përqind për gjuhën shqipe” nga Kushtetuta dhe zëvendësimin e tij me termin “gjuha shqipe.

Ndërkohë, kryeministri Kovaçevski pas takimit me Mickoskin tha se propozimi për qeveri pa BDI-në mund të hap probleme tjera dhe destabilizim.

Propozimi i Mickoskit për Qeveri pa BDI mund të hap probleme tjera dhe destabilizim, shembullin e kemi në rajon. Qeveria duhet të jetë e unitetit e jo e përçarjes dhe destabilizimit” – tha Kovaçevski.

I pyetur nëse edhe partitë tjera politike, përfshi edhe ato të opozitës shqiptare, do të bëheshin pjesë e një Qeverie gjithëpërfshirëse, e cila do të miratonte ndryshimet kushtetuese, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk komenton në emër të partive të tjera, ndërkaq theksoi se asnjë vendim nuk e merr pa konsultim me partnerët e koalicionit.

Ju e dini se unë asnjëherë nuk jap deklarata në emër të partive të tjera politike, dhe në emër të kryetarëve të partive të tjera politike dhe aq më pak komentoj qëndrimet e tyre politike, dhe si kryetar i LSDM-së, normalisht në koordinim me LSDM, kam parashtruar propozimin, gjithsesi se edhe partnerët e tjerë të koalicionit do të kenë mundësinë të deklarohen rreth këtij propozimi, megjithatë të jeni të sigurt se gjithmonë para se të marr vendim konkret ose para se të japë deklaratë, konsultohem me të gjitha palët e përfshira”, theksoi Kovaçevski.

Alternativa: Të panevojshme manovrat ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së

Nga Alternativa për kdp.mk, u shprehën se kjo parti do të vazhdojë të angazhohet vetëm për procesin eurointegrues të vendit dhe realizimin e amendamenteve kushtetutese. Sipas kësaj partie, temë e rëndësishme nuk është se cila qeveri i bënë ndryshimet kushtetuese, porse ato duhet të bëhen sa më shpejt.

AlternAtivA angazhohet për avancimin e procesit eurointegrues dhe realizimin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese, me të cilat hapet perspektiva europiane për qytetarët tanë, fuqizohet lufta kundër korrupsionit dhe forcohet kohezioni ndëretnik. Sa i takon BDI-së, për ne janë të panevojshme manovrat ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Edhe ashtu qytetarët në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen ato, do ta mundin dhe eliminojnë strukturën e kriminalizuar të BDI-së. Opozita shqiptare është e gatshme ta bëjë këtë. Sidoqoftë, për ne edhe nuk është tema më e rëndësishme se cila qeveri i bën ndryshimet kushtetuese, porse ato duhet të bëhen sa më shpejt, sepse këtë e presin qytetarët prej nesh”,  theksojnë nga Alternativa.

Lëvizja Besa: Ndryshimet kushtetuese së bashku me heqjen e 20 përqindshin për gjuhën shqipe

Ndërsa Lëvizja Besa nuk është prononcuar në lidhje me krijimin e një Qeverie teknike gjithëpërfshirëse. Nga kjo parti thonë se e rëndësishme është që termi 20 përqind për gjuhën shqipe të hiqet nga Kushtetuta dhe të zëvendësohet me gjuha shqipe.

S’mund të prononcohemi në momente që nuk kemi detaje mbi bisedimet në takim pa pjesëmarrje të asnjë përfaqësuesi shqiptar. Për Lëvizjen BESA nuk është e rëndësishme pjesëmarrja ose jo në qeverinë teknike, për ne është e rëndësishme që termi nënçmues 20% të hiqet nga kushtetuta, dhe të zëvendësohet me gjuha shqipe. Dhe në qoftë se do të ketë një ofertë të tillë sigurisht që për të njëjtën do të vendosin organet partiake”, – thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

VMRO-DPMNE: Përshëndesim gatishmërinë e BDI-së për të shkuar në opozitë

VMRO-DPMNE ka përshëndetur gatishmërinë e BDI-së për largim nga Qeveria dhe shkuarje në opozitë, pasi këtë e kërkoi sot Mickoski.

VMRO-DPMNE mirëpret qëndrimin dhe gatishmërinë e BDI-së për të shkuar në opozitë, që vjen pas performancës së sotme dhe presionit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. BDI përveç opozitës duhet që të pajtohet me shtyrjen e aplikimit të ndryshimeve deri në periudhën e hyrjes së Maqedonisë në BE, pasi të sigurohemi që të mos ketë kushte të tjera për identitetin maqedonas. Duan apo s’duan BDI-ja vitin e ardhshëm do të jetë opozitë, por është mirë që po ndërgjegjësohen”,  thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

 

Të fundit