E premte, 29 Mars, 2024

 “NO BORDERS ORCHESTRA” – “KAMPION I BASHKËPUNIMIT RAJONAL”

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Ministria austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare kanë bërë të ditur se fituesi i Çmimit Dr Erhard Busek “Kampion të Bashkëpunimit Rajonal” për vitin 2022 është “No Borders Orchestra” (NBO). ”Ne zgjodhëm muzikën si përgjigje ndaj problemeve të botës dhe sfidave me të cilat po përballemi këto vitet e fundit,”– ka thënë Premil Petrovic, Drejtor Artistik i këti grupimi që përbëhet nga artistë nga I gjithë rajoni. Për kreun e RCC-së Majlinda Bregu, ndërkaq, NBO po përdor artin për të hequr kufijtë mes nesh.

Përgatiti: KDP

Midis shumë nominimeve të pranuara këtë vit, juria e përbërë nga Goran Svilanoviq, Asja Krsmanoviq, Umut Ergezer, kanë zgjedhur njëzëri “No Borders Orchestra” fituese për vitin 2022. Laureati I këtij çmimi prestigjioz do të marrë shpërblimin financiar prej 5.000 eurosh.

“Patëm shumë nominime këtë vit, ndaj juria e pati të vështirë për të zgjedhur fituesin. Por mes gjithë nismave që ja vlenin të përzgjidheshin, spikati gjithsesi “No Borders Orchestra”, që prej vitesh po e portretizon Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore pozitive dhe melodike; po bashkon artistë dhe pasionantë të muzikës nga i gjithë rajoni ynë, duke përdorur artin si një mjet për të ndikuar me energji të mire në komunitet; po promovon artin, bashkimin dhe mençurinë përmes notave, leksioneve dhe koncerteve më të bukura në qytetet që përfaqësojnë rajonin tonë, duke hequr kufijtë mes nesh. Urime! Jam e sigurt që “No Borders Orchestra” do ta mbajë këtë titull kampion me krenari dhe do të vazhdojë misionin e vet fisnik”, – tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të mbajtur gjatë ditëve të organizimit të Takimin Vjetor të RCC-së në Budva të Malit të Zi.

“Fitorja e “No Borders Orchestra” si kampioni i ardhshëm i RCC-së është një lajm që të emocionon duke pasur parasysh rolin e madh që luajti muzika në jetën e Dr. Erhard Busek, kujtimit të të cilit i kushtojmë çmimin. Falënderimet e mia shkojnë edhe për anëtarët e jurisë së pavarur dhe RCC për bashkëpunimin e shkëlqyer,”-tha Thomas Stoelezl, Zëvendësdrejtor për Çështjet e Përgjithshme Evropiane në Ministrinë austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare.

“No Borders Orchestra” kapërcen ansamblet muzikore konvencionale, duke shërbyer si një forcë rajonale transformuese në Ballkan. Duke përdorur muzikën si gjuhë universale, NBO nxit pajtimin në këtë rajon të larmishëm kulturor. Që nga themelimi i saj në 2012, NBO ka lënë gjurmët e saj muzikore në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke drejtuar koncerte dhe shfaqje në të gjithë këtë rajon të larmishëm. Orkestra përbëhet nga muzikantë nga çdo grup etnik dhe fetar në rajon, të cilët performojnë jo vetëm në salla koncertesh klasike, por edhe në ambiente jokonvencionale, duke e bërë muzikën e tyre të kapshme për të gjithë. Shfaqjet e tyre në festivale të njohura anembanë Evropës, demonstrojnë fuqinë e pajtimit përtej kufijve rajonalë. Duke shikuar përpara, NBO planifikon ta shtrijë misionin në shoqëri duke synuar të kapërcejë ndarjet kulturore përmes krijimit të përbashkët e organizimit të një festivali multidisiplinar.

“Ne jemi sot këtu, përulësisht dhe të nderuar, për të pranuar këtë çmim prestigjioz në emër të “No Borders Orchestra”. Ne zgjodhëm muzikën si përgjigje ndaj problemeve të botës dhe sfidave me të cilat po përballemi këto vitet e fundit. Po vazhdojmë misionin tonë duke besuar se duke inkurajuar lirinë e shprehjes, kreativitetin dhe diversitetin, mund të krijojmë hapësira për dialog, mendim kritik dhe shkëmbim idesh”, – tha Premil Petroviq, Drejtor Artistik, dirigjent dhe iniciator i “Orkestrës No Borders”.

“Kampioni i bashkëpunimit rajonal” është një çmim vjetor i inauguruar nga RCC në shkurt 2013 me rastin e pesëvjetorit të organizatës. Në vitin 2022, në bashkëpunim me Ministrinë austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, çmimi ndryshoi titullin e tij në Dr Erhard Busek “Kampion i Bashkëpunimit Rajonal”, duke nderuar pas vdekjes  njeriun i cili ishte Koordinatori Special i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore- paraardhësi i RCC-së, por edhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit Perëndimor dhe avokat i flaktë i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Të fundit