E enjte, 28 Mars, 2024

ÇKA NËSE NUK KALOJNË NDRYSHIMET KUSHTETUESE?

Prandaj, ky është sërish një moment historik për vendin. Një udhëkryq i rëndësishëm dhe i rrezikshëm, nëse vendi zgjedh kahun e gabuar.

Shkruan: Xhelal Neziri

Grupi Punues për Amendamentet Kushtetuese ka përfunduar punën. Ai sugjeron që bullgarët etnikë (si dhe etnitë tjera) të shtohen në preambulën e Kushtetutës si “pjesë e popullit”, një amendament që nënkupton gjithashtu një rritje të numrit të anëtarëve të Komitetit për Marrëdhëniet ndërmjet Komuniteteve nga 19 me 43, për të ruajtur proporcionin sipas Marrëveshjes së Ohrit. Propozohet që maqedonasit dhe shqiptarët etnikë, në vend nga 7 anëtarë sa kanë aktualisht në komision, të numërojnë nga 16 secila, për të ruajtur peshën e tyre në këtë forum të rëndësishëm në Kuvend. Numri i komuniteteve të tjera më të vogla do të rritet nga 5 në 11, të cilët do të vazhdojnë të kenë nga një përfaqësues në Komitet. Zëvendësimi i termit “20 për qind”, si kërkesë kryesore e partive politike shqiptare, do të presë një mundësi të re.

Tani topi është në fushën e atyre që duhet të marrin vendimet në emër të qytetarëve – deputetëve. Ata, nga ana tjetër, edhe pse të zgjedhur nga qytetarët, do të duhet të veprojnë sipas direktivave partiake. Prandaj në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shumë tema të nxehta, në vend të deputetëve në Kuvend, zgjidhjen e kërkojnë kryetarët e partive në një tjetër forum joformal të quajtur “takim liderësh”.

Një takim i tillë, tet-a-tet, i kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, dhe liderit të opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, është caktuar për të mërkurën. Sipas asaj që është bërë publike, nuk ka shumë shpresa se do të ketë një kompromis. Megjithatë, takimi do të duhet të sqarojë dilemat se çfarë na pret në periudhën e ardhshme.

Këto janë ditët kyçe kur do të mësojmë nëse do të ketë marrëveshje për ndryshimet kushtetuese, apo ato do të lihen të presin një moment të ri, më të favorshëm. Natyrisht, nuk mund të pritet që opozita të mbështesë pa kushte ndryshimet kushtetuese që dalin nga Propozimi Francez, edhe pse prej tyre varet integrimi evropian i vendit. Mickovski do t’i shtrojë në tavolinë kërkesat e tij, të cilat do të jenë parakusht për mbështetjen e ndryshimeve. Këto kërkesa mund të jenë një koalicion i gjerë qeveritar, një qeveri ekspertësh, ose kërkesa specifike në interes të VMRO-DPMNE-së, apo një kombinim i të gjithave.

VMRO-DPMNE është e vetëdijshme se nëse i bllokon ndryshimet do të përballet me sanksione nga bashkësia ndërkombëtare, të cilat më pas do të kishin pasoja politike brenda partisë. Por nga ana tjetër, partia e Mickovskit do të duhet të gjejë një derë daljeje nga narrativa kundër ndryshimeve kushtetuese, me të cilën do të arsyetonte mbështetjen e mundshme për votimin e tyre.

LSDM mund të mos i pranojë kërkesat e opozitës vetëm nëse tashmë ka bindur 9 deputetë të VMRO-DPMNE-së që të votojnë për amendamentet kushtetuese, në kundërshtim me qëndrimin e partisë. Shumica aktuale parlamentare numëron 64 deputetë, ndërkohë që për ndryshimet pritet të votojnë edhe Alternativa dhe BESA si parti opozitare, që numërojnë 7 deputetë. Për të ndryshuar Kushtetutën nevojiten 80 nga 120 anëtarë të Parlamentit.  Nëse LSDM nuk ka arritur të bindë individualisht deputetët e VMRO-DPMNE-së, atëherë do të duhet të pranojë një listë të gjatë kushtesh nga Mickowski.

Opsioni pa marrëveshje është skenari më i keq i mundshëm. E them këtë sepse vendi do të humbasë shumë kohë të vlefshme në procesin e integrimit në BE. Nëse priten zgjedhjet parlamentare, atëherë Shqipëria do të shkëputet nga grupi dhe do të vazhdojë negociatat e vetme, duke hapur kapitujt e parë të gjashtë klasterave.

Përveç kësaj, në vitin 2024 do të ketë zgjedhje edhe në Bashkimin Evropian (BE) dhe në SHBA, dhe nuk ka asnjë garanci se ky angazhim i Brukselit dhe Uashingtonit për integrimin e vendit në BE do të vazhdojë të mbetet i lartë. Nëse marrim parasysh kohën e krijimit të institucioneve të reja evropiane, të cilat mund të kenë prioritete të tjera, atëherë mund të thuhet se vendi pa ndryshimet kushtetuese do ta humbë trenin për në BE dhe do duhet të presë një moment të ri për të vazhduar më tutje procesin e evrointegrimit. Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut do të vendosej në një grup me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovë dhe kështu të presë edhe 20 vite të tjera para dyerve të BE-së. Ndërkohë, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria do të bëhen anëtarë të Unionit në një kohë kur ky proces ka rëndësinë e urgjencës gjeopolitike për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Qëndrimi në të njëjtin grup me BeH dhe Kosovën sjell rreziqe shtesë sepse këto vende kanë probleme që janë të natyrës territoriale, ndryshe nga kontesti i Maqedonisë së Veriut, i cili është i natyrës historike.

Prandaj, ky është sërish një moment historik për vendin. Një udhëkryq i rëndësishëm dhe i rrezikshëm, nëse vendi zgjedh kahun e gabuar. Propozimi francez ishte rezultat i një angazhimi të madh të të gjithë anëtarëve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në drejtim të presionit ndaj Bullgarisë për t’u tërhequr nga linjat e forta të mohimit të plotë të identitetit etnik maqedonas, i cili bazohet në dy shtylla kryesore: në gjuhën dhe historinë e përbashkët. Me përfshirjen e bullgarëve etnikë në Kushtetutë tërthorazi është pranuar edhe ekzistenca e popullit maqedonas, ndryshe nga më parë, kur në politikën bullgare mbizotëronte teza “dy shtete, një popull”.

Nëse dështon Propozimi Francez, që do të thoshte pamundësi për të kaluar amendamentet kushtetuese, atëherë nuk dihet se kur do të ketë një marrëveshje të re me Bullgarinë që do të zhbllokonte procesin integrues në BE. Nga përvoja me Greqinë e dimë se ajo marrëveshje do të jetë shumë më e papranueshme se kjo aktualja. Propozimi Francez ishte më shumë rezultat i presionit ndërkombëtar të ushtruar ndaj Sofjes sesa i qëndrimeve negociuese të Shkupit. Ky presion buron nga një partneritet i fortë me Brukselin dhe Uashingtonin, i cili mund të tronditet nëse vendi nuk arrin të zbatojë atë për të cilën ka rënë dakord. Në atë rast, vetoja e radhës nuk do të jetë rezultat i pengesave nga fqinjësia, por një veto nga elita e papjekur politike në Shkup, për të cilën pushteti aktual është më e rëndësishëm se e ardhmja e vendit.

Të fundit