E shtunë, 20 Prill, 2024

NDRYSHIMET KUSHTETUESE, MATJE MUSKUJSH NË PRAG TË ZGJEDHJEVE

Do bëhen ose jo ndryshimet kushtetuese, kjo është çështja! Çfarë do të ndodh nëse ndryshimet kushtetuese miratohen dhe çfarë nëse nuk kalojnë? Si do t’i reflektohet skenari i parë dhe si skenari i dytë pushtetit dhe opozitës, së pari në kampin etnik maqedonas dhe më pas në atë shqiptar? Si do të veprojnë deputetët shqiptarë, të partive politike dhe të “pavarur” nëse nuk hiqet 20 %, do të votojnë apo do të bojkotojnë votimin e ndryshimeve të kushtetutës, që përfshijnë bullgarët në të?

Shkruan: Sefer Tahiri

Të rralla janë shtetet si Maqedonia e Veriut, që bëjnë kaq shpesh ndryshime të kushtetutës, si akt më i lartë juridik dhe shtetëror. Pavarësisht arsyeve dhe motiveve se pse bëhen modifikimet, ndryshimet e shpeshta vetvetiu flasin për (jo) stabilitetin e sistemit juridik të vendit.

Historia pluraliste 33 vjeçare e vendit ka evidentuar tetë ndryshime të saj. Ndryshimet kanë qenë të ndërlidhura me raportet e Shkupit zyrtar me fqinjët, kryesisht sa i përket emrit me Greqinë, një problem që i qëndronte mbi kokë Maqedonisë së Veriut nga viti 1993.

Por, ndryshimet thelbësore të sistemit kushtetues kanë ndodhur në vitin 2001 dhe kanë të bëjnë kryekëput me avancimin e rregullimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut pas konfliktit të armatosur. Ndryshimet tjera janë më pak të rëndësishme dhe rregullojnë segmente të caktuara të sistemit juridik të vendit.

Natyrisht, askush nuk pretendon se kushtetuta është dokument i paprekshëm, ndërsa justifikuesit e ndryshimeve të saj shpesh përdorin formulimin se “Kushtetua nuk është libër i shenjtë, nuk është as Kuran e as Bibël, që të mos të ndryshohet”. Pavarësisht se nuk është libër i shenjtë, kjo nuk do të thotë se rihapja e saj duhet të bëhet praktikë, sa herë që të ketë “momentume” politike, të ndërlidhura me politikën e brendshme ose të jashtme.

 Historia e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut

Nga viti 1991 deri më sot kushtetuta është ndërruar 8 herë, ndërsa ndryshimet herë kanë qenë të mëdha dhe herë më pak të rëndësishme.

Kushtetuta e parë e Maqedonisë (së Veriut) pluraliste u miratua nga Kuvendi në seancën e mbajtur më 17 nëntor të vitit 1991. Kjo kushtetutë u votua vetëm nga deputetët maqedonas dhe të bashkësive tjera etnike, ndërsa shqiptarët bojkotuan aktin e votimit, duke shprehur në këtë mënyrë refuzimin ndaj saj, meqë shqiptarët nuk i përkufizonte si element konstituiv përkatësisht popull shtetformues.

Ndryshimi i parë: Më 6 janar të vitit 1992, Kuvendi miratoi ndryshimin e parë të Kushtetutës, me të cilin vendi detyrohet që të qartësoje pozicionin e tij kundër pretendimeve territoriale ndaj shteteve fqinje, që atëbotë ishte kërkesë e Greqisë, si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi emrin.

Në vazhdim amendamentet i parë dhe i dytë që u bënë pjesë e Kushtetutës:

Amendamenti I

  1. Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje.
    2. Kufiri i Republikës së Maqedonisë mund të ndryshohet vetëm në      përputhje me Kushtetutën, mbi parimin e vullnetit të lirë dhe në përputhje       me normat e përgjithshme të pranueshme ndërkombëtare.

Amendamenti II

  1. Republika, me këtë rast, nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme.

Ndryshimi i dytë: Më 1 korrik të vitit 1998 u bë ndryshimi, i cili zvogëlonte afatin e paraburgimit, i cili deri në vitin 1998 ishte i pakufizuar:

Amendamenti III

Paraburgimi deri në ngritjen e akuzës, me vendim të gjykatës, mund të zgjasë më së shumti 180 ditë nga dita e arrestimit.

Ndryshimi i tretë: Më 16 nëntor të vitit 2001 ndodh ndryshimi i madh kushtetues, që e rimodelon rrënjësisht sistemin politik dhe juridik kushtetues të Maqedonisë, që ishte pasojë e luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe ballafaqimit të saj e aparatin shtetëror. Me ndryshimet u miratuan amendamentet IV, V, VI, VII, VIII, IX, X, XI, XII, XIII, XIV, XV, XVI, XVII dhe XVIII të Kushtetutës.

Amendamenti IV

Me amendamentin e katërt, i cili e ndryshoi Kushtetutën, Maqedonia konstituohet si shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa preambula bën shkallëzim kushtetues midis “Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas” në njërën anë dhe në anën tjetër “qytetarëve, të cilët jetojnë brenda kufijve të saj, të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë“.

Me amendamentin e pestë rregullohet përdorimi zyrtar i gjuhëve në Maqedoninë e Veriut:

Amendamenti V

  1. Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj   cirilik.
    Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë     zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.

Me këtë amendament gjuha maqedonase ruan statusin e gjuhës së parë zyrtare, ndërsa gjuha shqipe përkufizohet statistikisht dhe jo mbi bazën e njohjes së saj në nivel ndërkombëtar dhe në Kombet e Bashkuara.

Amendamenti VI

Me këtë amendament përmirësohet një padrejtësi historike që u është bërë shqiptarëve, që pas Luftës së Dytë Botërore në aspektin e punësimit dhe avancimit të tyre në organet e administratës së shtetit dhe publike.

  1. Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i qytetarëve, të cilët u takojnë të gjitha    bashkësive, në organet e pushtetit shtetërorë dhe institucionet e tjera publike          në të gjitha nivelet.

Amendamenti VII

Me amendamentin e shtatë mundësohet barazi kushtetuese dhe ligjore midis të gjitha bashkësive fetare dhe Kisha Ortodokse Maqedonase nuk është e vetmja që përmendet në nenin 19 të aktit më të lartë juridik.

Ndryshimi i nenit 19 të Kushtetutës që siguron amendamenti VII

  1. Kisha Ortodokse Maqedonase, si dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia      Hebraike dhe bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze, janë të ndara nga       shteti dhe janë të barabarta para ligjit.

Versioni i vjetër i nenit 19 në Kushtetutën e vitit 1991

Kisha Ortodokse Maqedonase, bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze    janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit.

Amendamenti VIII

Me amendamentin VIII, Kushtetuta garanton mbrojtjen, kultivimin dhe afirmimin e identitetit të pjesëtarëve të bashkësive etnike të cilat siç thotë kushtetuta e vitit 2001 kanë “të drejtë lirisht ta shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin dhe veçoritë e bashkësive të tyre dhe t’i përdorin simbolet e bashkësisë së tyre“.

Amendamenti IX

Me amendamentin e nëntë “Republika e garanton mbrojtjen, përparimin dhe pasurimin e thesarit historik dhe artistik të Maqedonisë dhe të të gjitha bashkësive në Maqedoni, si dhe të mirave që e përbëjnë atë, pa marrë parasysh regjimin e tyre juridik“.

Amendamenti X

Amendamenti i dhjetë rregullon votimin e dyfishtë përkatësisht përfshin parimin e Badenterit në sistemin kushtetues:

Në pikën 2 të amendamentit X thuhet:

Për ligjet të cilët drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e    gjuhëve, arsimin, dokumentet personale dhe përdorimin e simboleve,Kuvendi vendos me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, me ç’rast medoemos duhet të ketë shumicë të votave nga deputetët e pranishëm të cilët u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë“.

Amendamenti XI

Me këtë amendament garantohet që institucioni Avokat i Popullit zgjidhet nga Kuvendi, duke respektuar parimin e Badenterit.

Amendamenti XII

Me të rregullohet themelimi dhe funksionimi i Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Amendamenti XIII dhe XIV

Me këto amendamente parashikohet që presidenti gjatë emërimit të anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të sigurojë përfaqësim të drejtë dhe adekuat të bashkësive.

Amendamenti XV

Me këtë amendament rregullohet që zgjedhja e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nga nëntë sa numëron ky institucion zgjedhën me votim të dyfishtë.

Amendamente XVI, XVII dhe XVIII

Me këto amendamente rregullohet funksionimi i pushtetit vendor dhe miratimi i Ligjit të Vetëadministrimit Vendor me 2/3 e votave dhe domosdoshmëria që për miratimin e tij të votojnë edhe shumica e deputetëve, të cilët u takojnë bashkësive.

Ndryshimi i katërt: Më 26 dhjetor të vitit 2003 u bë ndryshimi i Kushtetutës për të katërtën herë. U miratua amendamenti i nëntëmbëdhjetë, i cili trajton sigurinë e komunikimeve të qytetarëve.

Amendamenti XIX

Garantohet liria dhe pacenueshmëria e letrave dhe e të gjitha formave të   tjera të komunikimit”.

Ndryshimi i pestë: Më 7 dhjetor të vitit 2005 miratohen ndryshimet kushtetuese përkatësisht 10 amendamente (nga XX deri në XXX), e të cilat sigurohet pavarësia juridike e prokurorisë dhe e sistemit gjyqësor në tërësi, ndërsa për këtë qëllim themelohet Këshilli Gjyqësor Republikan.

Ndryshimi i gjashtë: Më 9 janar të vitit 2009 u bë ndryshimi i Kushtetutës, me të cilin ulej censusi i pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhjet presidenciale, edhe atë nga 50 në 40 për qind.

Ndryshimi i shtatë: Më 12 prill të vitit 2011 u bënë ndryshime kushtetuese sa i përket të drejtës së shtetësisë:

Amendamenti XXII

  1. Shtetasit të Republikës së Maqedonisë nuk mund t’i hiqet shtetësia, as nuk mund të dëbohet nga Republika e Maqedonisë. Shtetasi i Republikës së   Maqedonisë nuk mund t’i dorëzohet shtetit tjetër, përveçse në bazë të        Marrëveshjes së ratifikuar ndërkombëtare, me vendim gjyqësor.

Ndryshimi i tetë: Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës më 17 qershor të vitit 2018 në Prespë, më 11 nëntor të vitit 2019, Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese (nga amendamentet XXIII (35) deri XVI (36), me të cilat i vihej pikë problemit tre dekadash të emrit me Greqinë. Republika e Maqedonisë, nga kjo datë quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.

Pas tejkalimit të problemit me Athinën, radha i erdhi problemit me Bullgarinë, poashtu disa dekadash.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, më 1 gusht të vitit 2017 firmosën Marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes dy vendeve, por e njëjta nuk ishte e mjaftueshme që Sofja të bindet se vendi ynë duhet ta vazhdojë procesin e integrimit evropian.

Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian, që u mbajt në nëntor të vitit 2020 për shkak të vetos bullgare, nuk mori datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në familjen e madhe integruese. Sofja kërkoi nga Shkupi që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë, që nënkupton ndryshimin e nëntë të aktit konstitucional, ndërsa afati i fundit kur duhet të bëhet ky ndryshim është nëntori i vitit 2023.

Skenari i parë: Votimi i ndryshimeve kushtetuese

Nëse ndodh skenari i parë, që ndryshimet kushtetuese të miratohen, duhet të votojnë gjashtë deputetë të opozitës maqedonase, ngjashëm si në situatën kur u ndryshua kushtetuta në vitin 2019 lidhur me emrin, akt që u bë me votat e 8 deputetëve të VMRO- DPMNE-së, edhe pse kjo parti ishte kategorikisht kundër ndryshimit.

Gjasat që kjo të ndodh nuk janë të mëdha, marrë parasysh faktin që partia e Hristijan Mickoskit demonstron unitet brenda grupit parlamentar, ndërsa pushteti si me gjysmë gojë pohon se i ka 80 vota, siç ishte deklarata e zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi. Socialdemokrati shqiptar me këtë deklaratë përdori taktikën e komunikimit politik me objektiva bindëse, por që nuk përkon me realitetin politik.

Nëse ndodh votimi me disa vota të deputetëve të VMRO DPMNE-së, pavarësisht metodave të mundshme “ballkanike” që do të përdoren për t’i bindur, do të ndodh tërmet në partinë e djathtë etnike maqedonase, ndërsa Mickoski do të largohet nga kreu i partisë, veprim të cilin do ta kërkojnë ish zyrtari i kësaj partie Sasho Mijallkov dhe ish zyrtarë nga koha e kreut të mëhershëm partiak, kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilët nga ardhja e Mickoskit janë eliminuar.

Kjo me automatizëm nënkupton përçarje të thellë dhe dobësim të dukshëm para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit të ardhshëm, të cilat mund të mbahen së bashku. Një zhvillim i tillë do të hapte rrugën e shpejtë drejt Bashkimit Evropian, meritë kjo që do t’i përshkruhej partiakisht LSDM-së dhe BDI-së, por edhe të gjitha partive politike shqiptare, që kanë deputetë në Kuvend, përfshirë “Grupin e Zjarrit” dhe deputetët e pavarur Kastriot Rexhepi dhe Skender Rexhepi -Zejd. Kjo e fundit, pasi, të gjithë deputetët shqiptarë do të votojnë ndryshimet kushtetuese, pavarësisht se me to nuk ndryshon statusi i gjuhës shqipe, e cila do të vazhdojë të quhet gjuha e 20 përqindëshit.

Sigurisht, këto ndryshime, që pas votimit menjëherë do të përshëndeten nga faktori ndërkombëtar, si shprehje dhe reflektim i vullnet të mirë për vazhdimin e rrugës euroatlantike.

Skenari i dytë: Mosvotimi i ndryshimeve kushtetuese

Skenari i dytë do të ishte përfundim i epokës së pushtetit të LSDM-së në vitin 2017, pas publikimit të bombave, sepse do të ishte dështim i madh për këtë parti dhe mosdëshmim i kapacitetit të koalicionit qeveritar për të bërë ndryshimet e duhura, sado të dhimbshme dhe të vështira janë.

Mosvotimi do të ishte dëshmi e faktit se VMRO- DPMNE-ja është parti e konsoliduar dhe homogjene, gjë që do t’i siguronte rezultat tepër të mirë në zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale, me shumë gjasë edhe rikthimin e karriges presidenciale tek kjo parti. Kjo nënkupton që mosvotimi do të ishte goditje për socialdemokratët dhe partnerët e tyre, BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët si dhe hapje rrugës koalicionit të ri mes VMRO-DPMNE-së dhe bllokut opozitar shqiptar (“Grupi i Zjarrit”, Lëvizja BESA dhe Alternativa), që Mickoski tashmë e pranon. Lideri i opozitës maqedonas në paraqitjet e fundit publike i ka shigjetuar ngjashëm si socialdemokratët, ashtu edhe integristët.

Për fund, pa dhënë ndonjë përfundim konkret se do bëhen apo jo ndryshimet kushtetuese, do të rikujtojmë një deklaratë interesante të komisarit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Han i cili para përfshirjes së Marrëveshjes së Prespës në Kushtetutë, pas dështimit të referendumit popullor, u shpreh se “Kuvendi do të votojë nëse jo mbi bazën e vlerave evropiane, atëherë me metoda ballkanike”.

 

 

 

 

Të fundit