E enjte, 25 Prill, 2024

KASAMI DHE GASHI FORMOJNË FRONT OPOZITAR, U BËJNË THIRRJE  SHQIPTARËVE PËR BASHKIM KUNDËR QEVERISË

Pesë vite pasi u ndanë në dysh, BESA e Bilall Kasamit dhe Alternativa e Afrim Gashit u ulën sërish bashkë në një tavolinë. Qëllimi i pahtimit, siç u kumtua zyrtarisht, ka qenë “në frymë të kërkimit të mënyrave për artikulimin e zërit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, raporton KDP.

Takimi është mbajtur në hapësirat e Parlamentit, pas të cilit për mediat u lëshua një kumtesë e përbashkët që përmban deklaratën marrëveshjen dhe disa fotografi nga dy liderët.

“Arsye e këtij takimi ishte zyrtarizmi i gatishmërisë për të bashkëpunuar dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet politike të të dyja partive në drejtim të ndërtimit të një kampi opozitar që, fillimisht, do t’i artikulojë dhe mbrojë interesat strategjike integruese të vendit, ato etnike shqiptare dhe, në përgjithësi, ato qytetare, ndërsa më tej do të synohet që ky bashkëpunim të shtrihet në nivele të tjera të ndërveprimit politik”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Duke qenë në një kapërcyell të rëndësishëm”, thuhet më tej në deklaratë, “kur procesi integrues po ngec, kur korrupsioni politik është bërë suksesi i vetëm i këtij pushteti, ndërsa të drejtat etnike shqiptare përsëri vihen në peshore të disfavorshme, momenti historik imponon që të gjitha forcat politike shqiptare, por jo vetëm politike, të bashkëpunojmë për ta deligjitimuar këtë qeverisje të korruptuar, të paaftë dhe të dëmshme për interesat e vendit dhe të shqiptarëve.”

Pas takimit, dy kryetarët, Kasami dhe Gashi, njoftohet të kenë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, që është zotimi formal i dy partive përkatëse për ta zyrtarizuar këtë dakordim.

Në pesë vitet e fundit të dyja partitë kanë masur marrëdhënie të tensionuara, të përcjella me mosdurime personale. Në zgjedhjet e vitit 2016 BESA fitoi afër 55 mijë vota dhe 8 deputetë, duke u bërë kështu forca e dytë politike te shqiptarët etnik të Maqedonisë së Veriut. Por, refuzoi të bëhet pjesë e qeverisë në vitin 2017, kur ekzekutivi u formua nga 62 deputetë, aq sa numëronin partitë partnere në pushtet – LSDM, BDI, ASH. Një vit më pas ndodh çarja në BESA, prej së cilës largohet grupi që formoi Alternativën, duke i marrë katër deputetë. Ndërkohë ASH, që kishte tre deputetë, e braktis qeverinë dhe në vend të saj në pushtet hyn Alternativa e sapoformuar.

Nuk kaluan dy vite, në vitin 2020 Alternativa ngeli jashtë qeverisë, ndërkohë që pjesë e saj u bë Lëvizja BESA. Ajo kishte lidhur një koalicion parazgjedhor me LSDM, i cili i solli një rezultat të kënaqshëm, duke fituar madje 4 deputetë. Nga zgjedhjet e 2020, LSDM me 46 dhe BDI me 15 deputetë të fituar mbërrijnë në shumicën bazike parlamentare, me të cilën votohet Qeveria por nuk funksionon Parlamenti. Pjesë e këtij pushteti ishte edhe PDSH-ja me 1 deputet.

Një vit më pas sërish ndryshime: BESA braktisi qeverinë, në vend të saj u rikthye Alternativa. BESA doli me 3 deputetë pasi një tashmë ia kishte marrë LSDM nga lista e përbashkët e zgjedhjeve parlamentare, pas zgjedhjes së Bilall Kasamit për kryetar të komunës së Tetovës. Alternativa hyni me 4 deputetë, aq sa kishte marrë në listën e përbashkët me ASH-në, me të cilën garuan bashkë në zgjedhjet e fundit parlamentare. BESA deshi ta rrëzojë qeverinë duke bashkëpunuar me VMRO-DPMNE dhe ASH, por Alternativa e shpëtoi. Shpëtimtar doli edhe Kastriot Rexhepi, deputet i BESAs e tani i pavarur, i cili në momentin e fundit votoi në favor të qeverisë. Pas këtyre manovrave, shumica e re parlamentare numëronte 64 deputetë: 44 të LSDM-së, 15 të BDI, katër të Alternativës, një i PDSH dhe një i pavarur.

Ndryshime sërish në fillim të vitit 2023. ASH rikthehet në pushtet, Alternativa del jashtë. Të dyja partitë, si partnerë të një koalicioni parazgjedhor opozitar në zgjedhjet e vitit 2020, fituan 12 deputetë. ASH tash hyn si një partner më me rëndësi pasi ka 8 deputetë, kurse Alternativa me 4 duket e panevojshme. Pesha e ASH-së rritet edhe për shkak të tendencës së Grupit të Zjarrit për t’u shkëputur nga BDI, duke e rrezikuar ta pakësojë shumicën parlamentare për tri deputetë.

Pajtimi midis Kasamit dhe Gashit vjen kur të dy, për herë të parë pas 2017-ës, u gjetën në opozitë. Sa do të arrijnë të ngjeshin sërish radhët, kjo mbetet për t’u parë.

Të fundit