E enjte, 25 Prill, 2024

A DO TË NA SHTYJË VMRO-DPMNE-JA EDHE NË NJË SPIRALE KRIZASH TË RREZIKSHME

Loja të cilën e luan VMRO-DPMNE-ja është mjaftë e rrezikshme. Nuk ka asnjë skenar pozitiv i cili mund të parashikohet në qoftë se nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese tani. Mosvotimi i ndryshimeve kushtetuese sjell vetëm paqartësi, rreziqe dhe skenar të cilët janë secili më i zymtë se tjetri. Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin nëse Maqedonia e Veriut do të vazhdojë në rrugën e integrimit, dallimi është nëse do të vazhdojë tani apo do të vazhdojë edhe pas një spirale të rrezikshme të krizave të brendshme dhe të jashtme, me të panjohura të cilat nuk ka kush i parashikon dhe kosto që nuk ka kush i kalkulon. Rrugë tjetër përveç BE-së nuk ka dhe nuk do të ketë, e këtë më se të qartë e ka edhe VMRO-DPMNE-ja!

Shkruan: Sefer Selimi Jr.

Momenti i të vërtetës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve, malazezëve dhe ndoshta pakicave tjera në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut është afër. Së shpejti, pas përgatitjes së propozimeve nga grupi punues deputetët e parlamentit do të duhet të konstatojnë me 80 vota plus nevojën për këto ndryshime dhe me këtë t’i hapin rrugën procesit që, nëse marrin miratimin, pritet të votohen deri në fund të tetorit të këtij viti.

Edhe përskaj asaj që ky kusht është taksativ për hapjen e klasterit të parë për negociatat me BE-në dhe pa këto ndryshime vendi ngelet në vendnumëro, siç duket VMRO-DPMNE-ja është e vendosur dhe po ashpërson retorikën që deputetët e saj nuk do të japin mbështetje për këto ndryshime – ose siç preferojnë të thonë ata – jo me këtë përbërje parlamentare. Por argumentimet e tyre janë të paqëndrushme, sepse jo vetëm që janë kontradiktore por janë edhe shumë të rrezikshme.

  1. Jo me këtë përbërje parlamentare – argumenti kryesor dhe më i përdorur është që ky parlament nuk ka mandat për të bërë ndryshimet kushtetuese, dhe shpeshherë në koluaret politike si nën gjuhë hidhet argumenti se pas ardhjes në pushtet ndryshimet do t’i bëjë vetë VMRO-DPMNE-ja.

Problemi këtu është që e para nuk u beson më askush. Ishte po e njëjta parti me Gruevskin në krye që në takime e biseda joformale gjithmonë premtonte se do të zgjidhte çështjen rreth emrit me Greqinë, por asnjëherë nuk e mbajti premtimin – madje kohën e blerë e shfrytëzonte për ta konsoliduar pushtetin deri në kapjen e plotë nga partia. E dyta, sipas kësaj logjike VMRO-DPMNE-ja duhet të dalë në kampanjë dhe të kërkojë mbështetje nga qytetarët për ndryshimet kushtetuese – gjë që nuk ka asnjë shans duke u nisur nga fakti se kjo parti rejtingun e saj e bazon pikërisht në popullizmin nacionalist që bazohet në kundërshtimin ndaj Bullgarisë. Në të kundërtën duhet të dalë dhe të ofroj alternativë tjetër përveç Bashkimit Evropian, sepse edhe publikisht por edhe në takime të mbyllura mesazhi ka qenë dhe është i qartë, si në rastin me Greqinë, se pa ndryshimin e kushtetutës nuk do të ketë asnjë progres në rrugën drejt integrimit në BE. Dhe e treta, edhe sikur të ndodh që VMRO-DPMNE-ja të vjen në pushtet dhe të ndryshojë kushtetutën, klasteri i parë i negociatave do të hapet në tetor të vitit 2025, pra në skenarin më të mirë të mundshëm me së paku 2 vjet e gjysmë vonesë edhe sikur të gjithë faktorët tjerë gjeo-politik dhe interesat e BE-së të ngelin të pandryshuara.

  1. Do të ndryshojmë kornizën negociuese me BE-në

Korniza negociuese me BE-në është miratuar me unanimitet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe nga shumica e deputetëve të parlamentit të RMV-së, ku kompromisi fitues i maqedonasve etnik është afirmimi juridik ndërkombëtar i gjuhës dhe identitetit etnik maqedonas. Kjo do të nënkuptonte që në mënyrë unilaterale RMV-ja do të tërhiqet nga procesi dhe me këtë të nis një proces që është sa i rrezikshëm aq edhe i paparashikueshëm. E para, edhe sikur të vijë në pushtet me 61 deputet të vet nuk ka partner shqiptar që do të bëhej pjesë e një koalicioni të tillë, sepse jo vetëm që do të izolohej bashkë me VMRO-DPMNE-në nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, por do të izolohej dhe zhdukej nga skena politike edhe nga votuesi shqiptar. E dyta dhe më e rrezikshmja është ideja se do të përfshinë ndonjë ‘’individ’’ me përkatësi etnike shqiptare për të përfaqësuar këtë etnikum në pushtet. Kjo është aq e rrezikshme sa ideja e Millosheviçit për largimin e shqiptarëve nga institucionet publike, e që rezultoi me sistem paralel të funksionimit dhe pasoja mjaftë të mëdha për të gjithë. Koha për këtë mentalitet ka përfunduar në shekullin e kaluar.

Loja të cilën e luan VMRO-DPMNE-ja është mjaftë e rrezikshme. Nuk ka asnjë skenar pozitiv i cili mund të parashikohet në qoftë se nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese tani. Mosvotimi i ndryshimeve kushtetuese sjell vetëm paqartësi, rreziqe dhe skenar të cilët janë secili më i zymtë se tjetri. Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin nëse Maqedonia e Veriut do të vazhdojë në rrugën e integrimit, dallimi është nëse do të vazhdojë tani apo do të vazhdojë edhe pas një spirale të rrezikshme të krizave të brendshme dhe të jashtme, me të panjohura të cilat nuk ka kush i parashikon dhe kosto që nuk ka kush i kalkulon. Rrugë tjetër përveç BE-së nuk ka dhe nuk do të ketë, e këtë më se të qartë e ka edhe VMRO-DPMNE-ja!

Të fundit