E enjte, 25 Prill, 2024

KONFIRMOHET LAJMI I KDP: BDI KUMTON SE “GRUPI I ZJARRIT” ËSHTË “VETËLARGUAR” NGA PARTIA

Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka kumtuar sot se ka ndarë rrugët me fraksionin që funksiononte në periudhën e fundit brenda këtij subjekti politik. Me këtë është konfirmuar lajmi që KDP e publikoi sot herët në mëngjes.

Në një kumtesë të lëshuar për mediat, BDI njofton se në mbledhjen e fundit të kryesisë, e cila ka përfunduar mbrëmë pas mesnate, janë analizuar dhe diksutuar rrethanat dhe zhvillimet në vend dhe në parti.

Pas një shqyrtimi dhe diskutimi gjithëpërfshirës, anëtarët e Kryesisë Qendrore kanë arritur në konkluzione unanime lidhur me çështjet kryesore, përfshirë këtu edhe atë të “Grupit të Zjarrit”.

“Kryesia Qendrore konstaton dhe shpreh keqardhje të thellë për vendimin e pesë anëtarëve të kryesisë për vetëlargim nga Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, vendim që ata e morrën në mbledhjen e KQ në 1 Prill 2023”, thuhet në kumtesë.

Sipas njoftimit zyrtar, BDI ka zyrtarizuar vendimin që procesi i ardhshëm zgjedhor në degët e partisë të mbahet më 2 korrik të vitit 2023.

“Këto zgjedhje brenda degëve të BDI-së që do të mbahen sipas parimit “një anëtar” një votë, do të shërbejnë si platformë për vendimmarrje kolektive dhe do të forcojnë më tej vlerat demokratike që e karakterizojnë partinë tonë. Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të punojë për progres, unitet dhe përkushtim të palëkundur ndaj parimeve që na kanë udhëhequr gjatë gjithë rrugëtimit të deritashëm. Ne besojmë fuqimisht se duke përfituar nga mundësitë aktuale, do të vazhdojmë t’i prijmë vendit tonë, bashkë me partnerët e koalicionit, drejt integrimit evropian për të siguruar një të ardhme më të ndritur, stabilitet, mirëqenie dhe prosperitet për të gjithë qytetarët”, thuhet në kumtesë.

BDI-ja e Ali Ahmetit konstaton se, në bazë të analizave dhe informacioneve kredibile, “në rajonin tonë po krijohet një dinamikë e re si mundësi unike për një rrugë të përshpejtuar për integrim të vendit në Bashkimin Evropian”. Së këndejmi, BDI nënvizon “domosdoshmërinë e përmbushjes së detyrimeve tona si shtet përmes ndryshimeve kushtetuese të cilat do të mundësojnë që të kapim këtë moment historik dhe të sigurojmë të ardhme evropiane për vendin tonë”.

 

Të fundit