Glorifikimi i kriminelëve në Serbi është pjesë e përditshmërisë. Këtë punë e kryejnë sidomos mediat e regjimit. Kriminelët e luftës trajtohen si heronj. Brenda 155 viteve në Serbi janë vrarë dy mbretër, një kryeministër dhe një ish-president. Njëkohësisht nga forcat e Beogradit janë vrarë përkatësisht helmuar tre politikanë të tre popujve fqinj të Serbisë: Stjepan Radiqi (kroat), Mehmed Spaho (boshnjak), Fehmi Agani (shqiptar i Kosovës).
Glorifikimi i kriminelëve i përket traditës së shoqërisë serbe. Duhet të thuhet kjo jo për të atakuar mbarë shoqërinë serbe, por për të shpalosur problemet e vërteta. Prej vitesh në Serbi krimineli i luftës Ratko Mlladiq shihet si hero. Trajtohet si i tillë.
Në Beograd një mural nderon figurën e tij. Pra, figurën e personit përgjegjës për gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Martesa e Arkanit, një paramilitar me karrierë të gjatë kriminale, me këngëtaren Ceca, në vitet 90-të ka qenë ngjarje nacionale në Serbi, e transmetuar në televizione dhe e shoqëruar me raporte disafaqëshe të gazetave e revistave serbe. Heroi i të rinjve serbë me vite ishte Arkani dhe jo, për shembull, shkencëtari Nikolla Tesla apo Mileva Mariq, e cila një kohë ishte gruaja e Albert Einsteinit.
Në televizionet serbe, nga mëngjesi në mbrëmje, defilojnë kriminelë të dënuar për krimet e kryera në Kosovë dhe Bosnjë. Gjenerali dhe krimineli i luftës Vlladimir Llazareviq, më 1999 komandant i Korpusit të
Prishtinës, pas vuajtjes së dënimit është pritur në Serbi si hero dhe është ftuar t’u ligjërojë kadetëve serbë. Librat propagandistike të gjeneralit Nebojsha Pavkoviq, edhe ky i dënuar për krime të luftës, promovohen dhe botohen nga
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë. Në debatet e televizioneve serbe, Gjermania krahasohet me shtetin nazist të Hitlerit. Një “analiste” politike e regjimit e quan ministren e punëve të Jashtme të Gjermanisë Annalena Baerbock “ish-prostitutë”.
Askush nuk e kundërshton në studio. Moderatori, një mik i presidentit Aleksandar Vuçiq, thotë me cinizëm se prostitucioni është profesion i ndershëm. Pra, ai aludon se ministres gjermane i është bërë nder duke e quajtur prostitutë.
Një shoqëri që lartëson dhunën një ditë i korr efektet e saj. Një shoqëri që jeton me rrena, shpifje e manipulime të mediave kriminale të regjimit, do të paguajë një ditë çmimin e kësaj atmosfere toksike.
Dhuna politike ka traditë fatale në historinë e Serbisë. Brenda 155 viteve në Serbi janë vrarë dy mbretër, një kryeministër dhe një ish-president. Më 1868 u vra monarku Mihajlo Obrenoviq, më 1903 monarku Aleksandar Obrenoviq, më 2000 u vra ish-presidenti serb Ivan Stambolliq, më 2003 u vra kryeministri Zoran Gjingjiq. Politikanët e rëndësishëm serbë nuk vdesin nga vdekja e natyrshme, por nga plumbat.
Nga këta plumba nuk kanë shpëtuar as politikanët e popujve fqinj të Serbisë: kroati Stjepan Radiqi u qëllua me plumba në parlamentin e Beogradit më 1928. Vdiq në Zagreb më 8 gusht të atij viti nga pasojat e sulmit. Politikani boshnjak Mehmed Spaho vdiq më 29 qershor 1939 pasi u helmua në një hotel në Beograd. Politikani shqiptar Fehmi Agani u vra nga forcat serbe në maj të vitit 1999 derisa po përpiqej të largohej nga Kosova. 16 të vrarët e ditëve të fundit në Serbi renditen në kuadrin e traditës serbe të dhunës dhe glorifikimit të saj. Si dhe mosndëshkimit të kriminelëve. Një shoqërie të cilës kriminelët i servohen si heronj, një ditë nga gjaku do ngufatet. Kjo ndodhi tani dhe mund të ndodhë edhe në të ardhmen për aq sa në krye të shtetit ka liderë si Aleksandar Vuçiqi.