E mërkurë, 24 Prill, 2024

25 VITE MË PARË/ BASHKËJETESA FETARE, ISMAIL KADARE SHKRUAN PARATHËNIEN E STUDIMIT TË 100 AUTORËVE

Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 11 prill 1998, Përgatiti Laert Miraku

Botohet në Paris “Enciklopedia universale- Feja dhe qytetërimi i islamit”

Kadare, për bashkëjetesë fetare

Qytetërimi islamik nuk është doktrina e terrorit, ashtu si qytetërimi i krishterë perëndimor nuk është mbretëria e pornografisë dhe e satanait”. Ismail Kadare, i zgjedhur nga botuesit e “Albin Michel”, për ti paraprirë teksteve të studiuesve nga gjithë bota mbi fenë dhe qytetërimin islam, demonstron qëndrimin e tij të ekuilibruar. Në fund të fundit: “Vlerat morale universale nuk janë as pronë e as ekskluzivitet i një feje apo i një qytetërimi, por i të gjithave bashkarisht. Shkurt, njerëzimi është tepër i madh për t’u administruar nga një kod i vetëm. Ndërkaq ai është tepër i vogël për t’u ndarë në mijëra të tillë”.

 

 

Legjenda e Kullës së Babilonisë, historia se si gjuha e njëjtë që kishin popujt i shtyu ata drejt diçkaje absurde: ndërtimit të kullës që do të arrinte qiellin, kurse larmia e tepërt e gjuhësive bëri që kulla të bjerë, shpreh në mënyrë të qartë të vërtetën se njerëzimi ka një madhësi të tillë fizike që e bën të pamundur qoftë një unitet, qoftë një disunitet të skajshëm gjuhësor.

Kjo e vërtetë për gjuhët mund të aplikohet gjithaq për qytetërimet dhe fetë e ndryshme, për ideologjitë, që në një mënyrë ose në një tjetër janë imitim i feve, për sistemet shoqërore, për gjithë psikozat e pasionet e tjera që i kapin ose i lëshojnë popujt për periudha të gjata ose të shkurtra: nomadizimi, nacionalizmat e të gjitha ngjyrave, racizmat, fondamentalizmat etj.

Shkurt, njerëzimi është tepër i madh për t’u administruar nga një kod i vetëm. Ndërkaq ai është tepër i vogël për t’u ndarë në mijëra të tillë.

Gjatë katër pesë mijë vjetëve të fundit të ekzistencës së tij, njerëzimi në mënyrë të vetvetishme, jo fort të studiuar gjer më sot, ka gjetur një drejtpeshim, një lloj kompromisi midis këtyre dy mundësive të skajshme. Popuj të tërë, masa kolosale njerëzore janë grumbulluar kështu vit pas viti e shekulli rreth strumbullarëve bashkues duke krijuar kulturat, fetë dhe qytetërimet e ndryshme që i njohim sot.

Natyrisht që i shpëtojnë shpesh hetimit tonë ato procese e ato shkaqe që kanë shtyrë afrimin e miliona njerëzve në galaktika të tilla, shpesh herë kolosale, që jetojnë paralelisht me njëra-tjetrën. Por nëqoftëse ne jemi në gjendje të shpjegojmë plotësisht logjikën e brendshme të kësaj tërheqjeje, që ngjan shpesh misterioze, ne e kemi lehtë të bëjmë diçka tjetër: ta pranojmë dhe të përpiqemi ta kuptojmë këtë realitet. Me fjalë të tjera të pranojmë tjetrin: qytetërimin tjetër, fenë tjetër, gjuhën tjetër e kështu me radhë.

Për fat të keq, gjer më sot njerëzimi ka bërë në shumicën e rasteve të kundërtën: jo vetëm që nuk ka dashur ta kuptojë e ta pranojë tjetrin, por me çdo mënyrë është përpjekur ta përjashtojë, mundësisht ta zhdukë, duke mos kursyer për këtë as- gjë: as armët, e as vdekjen.

Intoleranca e njërës palë, prerja e urave dhe e mirëkuptimit çon në egërsimin e palës tjetër, e kështu me radhë si në një lojë pasqyrash makabre, ky egërsim i amplifikuar, duke u reflektuar nga njëra palë te tjetra s’mund të çojë veçse drejt, katastrofash.

Ky botim enciklopedik për botën dhe qytetërimin islamik është një ndihmë për të kuptuar një nga grumbullimet më të mëdha njerëzore, jo vetëm rreth një feje (besimi), por rreth një vizioni të botës, me fjalë të tjera të një kulturë të tërë që e shoqëron jetën njerëzore nga lind- ja gjer në mbarim të saj.

Meqenëse nuk kemi të bëjmë me ca struktura politike ose partiake, me ca klane elitiste, me ca grupe që i bashkojnë interesa banale e të përkohshme, por me një masë kolosale prej gati një miliardë njerëzish, që e bartin këtë besim e këtë qytetërim prej shumë shekujsh, ne jemi të detyruar para së gjithash të jemi seriozë.

Ky botim që e kryen më së miri këtë aksion themelor, ësh- të i domosdoshëm sidomos tani, kur për shkak të ngritjes së fondamentalizmit, acarimet e keqkuptimet me botën islamike marrin çdo ditë e më tepër ngjyrime dramatike. Në një emision të TV francez për zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke shpjeguar programin e kandidatit konservator, puritanizmin e njohur amerikan, lidhur me familjen e moralit, komentatorët në mënyrë cinike e mendjelehtë e krahasuar me terrorin e fondamentalistëve islamike, kurse për të karakterizuar kandidatin për president përmendën Ajotollah Khomeinin.

Është një nga dhjetëra shembujt kur në mënyrë të pa- përgjegjshme e provokative flitet për rrugën e njerëzimit të sotëm. Krijohet përshtypja se luftohet fondamentalizmi e në të vërtetë lavdërohet e stimulo- het në mënyrën më të pabesë. Nga “sulme” të tilla fondamentalizmi veç këndellat dhe jo vetëm mund të përhapet edhe më fort të një miliardë myslimanët e botës, por mund të krijojë miliona simpatizantë kudo.

Ky libër ndihmon veç të tjerash për të kuptuar se vlerat morale universale nuk janë as pronë e as ekskluzivitet i një feje apo i një qytetërimi, por i të gjithave bashkërisht. Ai ndihmon të kuptohet konkretisht se qytetërimi islamik nuk është doktrina e terrorit, siç mund ta paraqesin propaganduesit mendjelehtë të stilit bolshevik, ashtu si qytetërimi i krishterë perëndimor nuk është mbretëria e pornografisë dhe e satanait, që masakruan myslimanët e Bosnjës, siç mund ta paraqesin propagandistet e stilit bolshevik të palës tjetër.

Globi ynë tokësor siç është i madh e i mjaftueshëm për shumë gjëra, po aq është i vogël për armiqësi të tilla kolosale. Ne jetojmë së bashku në këtë glob që e ndjek trajektoren e vet të vetmuar përmes kozmosit të ftohtë e plot rreziqe. Ne jemi të detyruar të kuptohemi. Dhe ky libër mund të ketë si nëntitull këtë mesazh”. Mapo.al

Të fundit