E premte, 19 Prill, 2024

EKSPERTI SERB PËR RAPORTIN KOSOVË-SERBI: VETËM NJË KAROTË TË SHNDËRROHET NË DAJAK…

Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm, me bazë në Beograd, ka thënë për median serbe se bashkësia ndërkombëtare, BE-ja dhe SHBA-ja nuk do të lejojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq e as kryeministrin e Kosovës, që t’i bishtnojnë realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, megjithëse nuk e kanë firmosur atë. Sikurse transmeton kdp.mk, Popov në një intervistë për të përditshmen e pavarur “Danas” ka thënë se deklaratat e të dyja palëve, pas takimit në Ohër “janë për përdorim të brendshëm”.

  • A po e thotë Kurti të vërtetën kur flet Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të formohet, ndërsa Vuçiq kur thotë se nuk ka hyrje të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohje, me pranimin e zgjidhjes paqësore evropiane?

– Këto janë deklarata për përdorim të brendshëm. Në njërën anë kemi deklaratat e Vuçiqit për vijat e kuqe, të cilat nuk kanë mbështetje në realitet, sepse hyrja e Kosovës në Kombet e Bashkuara nuk varet nga Serbia, por nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Kurti, nga ana tjetër, e pranon një (dokument), pa firmë në Ohër, por kur nisën protestat në Prishtinë, sepse plani i zbatimit parashikon formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, të cilën ai kundërshtoi ashpër kur ishte në opozitë,  këtë po mundohet ta amortizojë përmes deklaratës se Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të formohet.

  • Për shkak të pranimit të marrëveshjes evropiane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

– Gjithçka varet nga mënyra se si çështja po plasohet në publikun vendas. Pushteti ynë posedon media dhe infrastrukturë që mund të kontribuojë në amortizimin e kësaj dhe përmes atyre deklaratave që janë për përdorim të brendshëm, nuk mendoj se Vuçiqi mund të humbasë në zgjedhje për shkak të marrëveshjes. Në Kosovë është ndryshe, por këtu, edhe pse nuk ka nënshkrim të Marrëveshjes së Ohrit, pas saj qëndrojnë dy fuqi të mëdha BE-ja dhe SHBA-të të cilat kësaj radhe nuk do të lejojnë as Vuçiqin e as Kurtin që ta anashkalojnë.

  • Shantazh financiar dhe rrezik izolimi?

– Ajo që është e dukshme mjafton për botën e zakonshme që do të donte ta kuptojë këtë. Nuk duhet t’ia lejojmë vetes vitet nëntëdhjetë, kur u gjendëm në izolim total. Radhë në pikat e karburantit, radhë për vaj, sheqer… Kur t’ju paraqitet njerëzve në këtë mënyrë, është e mundshme që prapëseprapë çështja të mund të  pranohet disi.

  • Po për Kosovën?

– Kurti do të jetë në një pozitë më të vështirë. Të gjithë krerët e BE-së dhe SHBA-së thanë se Bashkësia e Komunave Serbe duhet të formohet. Madje Gabriel Escobar tha – ose Kurti ose dikush tjetër do të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe. Vetëm një karotë të shndërrohet në dajak, dhe kjo është t’u hiqet mundësia e  regjimit pa viza me BE-në, vetëm kjo t’u hiqet, t’u thuhet nuk jeni bashkëpunues, ky tashmë është një dështim. Unë jam shpesh në Kosovë dhe e di se sa e rëndësishme është për ta, sepse qytetarët shpesh ndiheshin të mbyllur hermetikisht. Për t’u thënë pastaj – nuk ka më sponsorizim amerikan për pavarësi. Kur dëshirohet, ka metoda që edhe njëra edhe pala tjetër të detyrohen të  përmbushin atë që kanë premtuar.

Të fundit