E premte, 26 Prill, 2024

“FATLUMI” MIJALKOV: VEPRËS I SKADON AFATI MË 7 PRILL, SEANCA CAKTOHET MË 13 PRILL

Seanca në Gjykatën e Apelit në Shkup për aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Titanik 2” është shtyrë për 13 prill, ndërkohë që më 7 prill veprës i skadon afati i paraparë ligjor dhe e njëjta shpallet e vjetëruar, përcjell KDP.

Seanca e sotme publike në Apel është shtyrë për shkak se përveç Mijalkovit dhe ish-anëtarit të KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, nuk është paraqitur as kryetari i PDSH-së Mehduh Taçi dhe ish-anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Me këtë gjyqtari Gjorgi Ristovi ka vendosur që seanca të ricaktohet për 13 prill, datë kur i skadon koha kësaj vepre.

Nga gjashtë rastet në të cilat u akuzua Mijalkov, i vetmi dënim i vlefshëm me burg për momentin është dënimi me tre vjet burg për rastin “Perandoria”, pasi ai arriti marrëveshje me Prokurorinë dhe e pranoi fajësinë.

Rasti “Titanik 2” ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore të vitit 2013. Mijalkov, në marrëveshje me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, ka arritur të anulojë rezultatet e zgjedhjeve në disa vendvotime në Strumicë dhe me këtë edhe fitoren e LSDM-së së atëhershme opozitare, falë votave të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe PDSH në KSHZ.

Gjyqi filloi në vitin 2017 dhe përfundoi në vitin 2019 me vendime fajësie. Mijalkov është dënuar me tre vjet burg për veprën penale “marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”. Apeli, në dhjetor 2019, e anuloi aktgjykimin dhe e ktheu çështjen në rigjykim që zgjati deri në janar të këtij viti, kur Mijallkov u shpall sërish fajtor dhe kësaj radhe u dënua me dy vjet burg. Vendimi u apelua sërish dhe u vjetërua me afatet ligjore.

Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të kaluar e anuloi aktgjykimin “Target – Kalaja” për shkak të “shkeljeve esenciale të procedurës” dhe e ktheu lëndën në rigjykim. Pikërisht atëherë publiku mësoi se lënda ishte mbajtur në sirtar prej nëntë muajsh nga gjyqtari, Enver Bejeti, për arsye të panjohura. Këshilli Gjyqësor ka formuar një komision që ka inspektuar lëndën dhe dosjet dhe ka konfirmuar gjetjet.

Sipas Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase, javën e kaluar Mijalkov dhe ekipi i tij ligjor arritën “dy fitore” për shkak se Gjykata e Apelit vendosi që dënimi i tij prej 15 muajsh burg për rastin “Pllacet ne Vodno” të zëvendësohet me katër vjet me kusht. Ai u procedua për veprën penale të ndihmës në “pastrim parash”. Çelësi në vendimin e Gjykatës së Apelit është se Mijalkov nuk ka ndërmarrë “veprime reale por verbale” dhe më pas Apeli ka konfirmuar lirimin nga akuza për rastin “Tortura” dhe arrestimin e Lube Boshkoskit.

Aktualisht rastet aktive ku akuzohet Mijalkov janë “Trezor” dhe “Target – Kalaja” për përgjime masive. Në të dyja rastet, Gjykata e Apelit vitin e kaluar rrëzoi aktgjykimet e shkallës së parë me të cilat Mijalkov u dënua me gati 20 vjet burg për të dyja rastet.

Zëri i Amerikës thekson se rrezik ka edhe në rastin “Target – Kalaja” pasi afati i parashkrimit skadon në fillim të vitit 2025 dhe nëse deri atëherë nuk do të përfundojë procesi gjyqësor, ai do të shmangë përgjegjësinë për përgjimin masiv.

Të fundit