E enjte, 25 Prill, 2024

EURODEPUTETJA GJERMANE: PRANIMI I KOSOVËS NË OKB NUK ËSHTË NË DORËN E SERBISË

Viola von Cramon, euro-deputetja nga radhët e të Gjelbërve, në një intervistë për  tv e pavarur serb “Nova.rs” ka vlerësuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, me deklaratat e tij para takimit në Ohër, trasoi rrugën e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se deklarata se ai nuk mund të firmoste asgjë “për shkak të dhimbjes së padurueshme në dorën e djathtë” është një tallje që u prit keq në Bruksel dhe kryeqytetet kryesore të Bashkimit Evropian. Sikurse transmeton kdp.mk, Cramon ka thënë se hyrja e Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia, pozicioni ndërkombëtar i së cilës, thotë ajo, do të ishte shumë më i mirë sikur të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë.

  • Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ranë dakord në Ohër për zbatimin e marrëveshjes që më herët ishte pranuar në Bruksel. Çfarë do të thotë kjo për njërën anë dhe çfarë për anën tjetër?

Viola VON CRAMON: Marrëveshja e 27 shkurtit dhe aneksi i implementimit të saj  janë vërtet revolucionare sepse sjellin një cilësi të re në dialog. Nga disponimi i krizës kalojmë në bisedime për thelbin dhe thuajse normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Kjo sjell përfitime si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, sepse me të vërtetë zhbllokon rrugën e tyre evropiane. Ata e dinë shumë mirë se pa zgjidhjen përfundimtare të të gjitha çështjeve mes tyre, nuk ka integrim të vërtetë në BE. Për më tepër, marrëveshja i mundëson Serbisë që të sigurojë mbrojtjen e serbëve të Kosovës dhe trashëgimisë së saj kulturore në mënyrën e duhur, ndërsa Kosova fiton respekt dhe njohje të plotë për dokumentet, tregtinë e kështu me radhë.

  • Dëgjuam presidentin e Serbisë i cili pohon se nuk ka nënshkruar asgjë. A është i nevojshëm nënshkrimi i tij për të filluar zbatimi i marrëveshjes?

Viola VON CRAMON: Është për të ardhur keq që për këtë flet në këtë mënyrë. Kemi ndjekur me vëmendje deklaratat e tij para marrëveshjes, të cilat ishin shumë të lavdërueshme, sepse trasuan terrenin për arritjen e marrëveshjes. Megjithatë, retorika pas gjithë asaj dhe tallja me “dhimbjet e padurueshme në dorën e djathtë” u prit shumë keq si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet kyçe të BE-së.

  • A është e mundur të zbatohet ajo që thotë presidenti i Serbisë – të zbatohet gjithçka, përveç pikës që lidhet me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara?

Viola VON CRAMON: Le të jemi të sinqertë – nuk i takon Serbisë të vendosë nëse Kosova mund të hyjë në OKB. E kuptoj që kjo (deklaratat e tilla, sqarim i red), është për publikun e brendshëm, por në fund të fundit kjo nuk është në dorën e Serbisë, sepse aderimi në OKB varet nga vendimi i Këshillit të Sigurimit ku Kina apo Rusia ende mund të vënë veton.

  • Duke qenë se ky dokument është bërë pjesë përbërëse e kapitullit 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, a do të thotë kjo se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Unionit para se t’i lejojë Kosovës anëtarësimin në KB?

Viola VON CRAMON: Jo. Kjo vetëm do të thotë se kontrata është juridikisht e detyrueshme, që ishte mënyrë për të siguruar vlefshmërinë e saj edhe pa nënshkrim. Tani ajo është pjesë e kritereve për aderimin e Serbisë në BE dhe vetëm zbatimi i plotë i saj do t’i mundësojë Serbisë mbylljen e negociatave. Rruga e Kosovës drejt OKB-së nuk ka asnjë lidhje me këtë.

  • Ekziston edhe një skenar sipas të cilit Serbia do të “qëndronte përgjithmonë në rrugën evropiane” dhe kështu do të vazhdonte të shfrytëzonte fondet e BE-së, për shembull për infrastrukturën dhe energjinë, por nga ana tjetër do të shmangte zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së medias, rregullsisë së procesit zgjedhor dhe kështu të pengojë zbatimin e plotë të marrëveshjes. Mendoni se kjo është e mundur?

Viola VON CRAMON: Jemi të vetëdijshëm për këtë mundësi dhe prandaj insistojmë në bazat – demokracinë, sundimin e së drejtës, lirinë e medias. Për ne reformat e brendshme janë vendimtare dhe po mundohemi që këtë ta ndërlidhim me shfrytëzimin e mjeteve. Thënë shkurt, nëse nuk ka reforma në fushën e standardeve demokratike apo sundimit të së drejtës – nuk ka para nga BE-ja. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për Serbinë.

  • Në Serbi, megjithatë, ka rezistencë të fortë ndaj propozimit evropian dhe duket se partitë djathtiste kanë ngritur rejtingun për shkak të kësaj historie për Kosovën. A ka përgjegjësi BE-ja për këtë?

Viola VON CRAMON: Nuk do të fajësoja BE-në për këtë. BE-ja mund dhe është pjesërisht fajtore për kultivimin e stabilokracisë në disa vende ballkanike ose për ndalimin efektiv të procesit të zgjerimit, sepse kemi frikë të pranojmë anëtarë të rinj, me çka shkaktohet frustrim në rajon. Mirëpo, kur është fjala për diskutimin për çështjen e Kosovës, do të ishte e dobishme që Serbia të pajtohej me të kaluarën e saj. Nuk është e lehtë, por është e domosdoshme. Është përgjigje për atë që ndodhi dhe pse sot situata është kështu çfarë është. Kosova po keqpërdoret si temë në Serbi dhe prandaj partitë  djathtiste po rriten. Por kur kjo të zhduket, ne do të shohim në mënyrë të pashmangshme rënien e tyre.

  • A do të ishte dokumenti të cilin BE-ja e propozoi për Kosovën, më i favorshëm për Serbinë sikur të kishim vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe çfarë mendoni për pohimet se Serbia po bëhet “Rusi ballkanike”?

Viola VON CRAMON: Është krejtësisht e sigurt se pozita ndërkombëtare e Serbisë do të kishte qenë shumë më e mirë nëse do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë. Kemi vënë re pozicionimin e Serbisë në Kombet e Bashkuara dhe në forume të tjera ndërkombëtare, por ajo që duhet të shohim nuk është vetëm vendosja e sanksioneve, por edhe një distancim i qartë nga Rusia. Prania e RT-së dhe Sputnikut, të cilat prodhojnë përmbajtje në gjuhën serbe, e bën këtë jashtëzakonisht të vështirë dhe për këtë arsye insistojmë që Serbia duhet t’i ndalojë ato. Po ashtu, drejtori prorus i BIA-s, Aleksandar Vulin, është edhe një shembull pse Serbia ka reputacionin e marionetës ruse në Ballkan. Ne po humbasim besimin në shërbimin e inteligjencës serbe dhe unë personalisht do të kisha frikë të bëja diçka kundër Rusisë në Serbi për sa kohë që ai mban atë pozicion!/nova.rs; Përktheu: kdp.mk/

Të fundit