E enjte, 28 Mars, 2024

ZIGZAG: POPULISTËT, PAKICA E ZHURMSHME DHE HESHTJA E SHUMICËS REALE

Gjithandej Ballkanit Perëndimor, këtë fillim-vit ka zhvillime që, dorën në zemër, edhe nuk të lënë të bësh rolin e sehirxhiut. Kjo për shkak se çështjet që po rrahen (ta zëmë, si do të realizohet marrëveshja e dakorduar ama e pa nënshkruar Kosovë-Serbi, kush do të fitojë në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi e kush në ato vendore në Shqipëri, a do të bëhen ndryshimet kushtetuese tek ne në Maqedoninë e Veriut e çfarë tymi do të dalë nga oxhaku i integristëve të Ali Ahmetit, fjala vjen), nuk është se nuk shpërfaqin grupe të ndyrshme interesash e presionesh që nuk zgjedhin mjete për protagonizëm! Shi për këtë, më kanë lënë përshtypje zbërthimet që ua bën këtyre dukurive filozofi i njohur politik gjerman, Jan-Werner Müller. Si të tilla, po i ndaj edhe me ju!

Përgatiti: Seladin XHEZAIRI

Populizmi nuk është pjesë autentike e politikës moderne demokratike, as ndonjë lloj patologjie të cilën e shkaktojnë qytetarët irracionalë. Populizmi është hije e vazhdueshme e politikës përfaqësuese. Gjithmonë ekziston mundësia që ndonjë aktor të flasë në emër të “popullit të vërtetë” për të vënë në pikëpyetje elitat ekzistuese në pushtet.

Nuk është populist secili që kritikon elitat. Përveç se janë anti-elitistë, populistët janë edhe antipluralistë. Populistët pohojnë se si ata dhe vetëm ata e përfaqësojnë popullin; të gjithë konkurrentët e tjerë politikë janë në fakt jolegjitim, ndaj kushdo që nuk i mbështet populistët nuk është në fakt pjesë e vërtetë e popullit. Kur janë në opozitë, populistët do të insistojnë domosdoshmërisht se elitat janë të pamoralshme, kurse populli është një entitet moral, homogjen, vullneti i të cilit është i pagabueshëm.

Edhe pse populistët shpesh bëjnë thirrje për referendum, veprimet e tilla nuk synojnë të inicojnë procese të hapura të formimit demokratik të vullnetit mes qytetarëve. Populistët, thjesht duan konfirmimin e asaj që ata vetë tashmë e kanë definuar si vullnet të popullit të vërtetë. Populizmi nuk është rruga që do të çojë në pjesëmarrje më të madhe në politikë.

Në fakt, populistët të cilët humbin, pohojnë më së shpeshti se fjala është për mashtrim. Atuja e tyre kryesore politike është pohimi se ata dhe vetëm ata përfaqësojnë “njerëzit e zakonshëm” (ose “shumicën e heshtur”). Nga kjo pason se të gjithë pretenduesit e tjerë të pushtetit janë të korruptuar, si dhe se votuesit që nuk mbështesin liderët populistë nuk i përkasin popullit, kështu që votat e tyre janë jolegjitime. Populizmi nuk mund të reduktohet në kritikimin e elitave (që të shpeshtën është e arsyeshme). Në thelb, ky është qëndrim fundamentalisht anti-pluralist: populistët hiqen se flasin vetëm me zërin autoritativ të popullit homogjen të cilin vet e kanë shpikur.

Sipas kësaj logjike, nëse populistët janë të vetmit përfaqësues autentikë të popullit, humbja e tyre në zgjedhje mund të nënkuptojë vetëm se dikush (“elitat liberale”) ka gjetur mënyrën (“manipulimi i votave”) për të penguar vullnetin e kinse shumicës. Për shembull, pasi partia e tij humbi papritur zgjedhjet e vitit 2020, kryeministri hungarez Viktor Orban pohoi se “atdheu nuk mund të jetë në opozitë”. Pas kandidaturës së pasuksesshme për president në Meksikë në vitin 2006, presidenti aktual, Andrés Manuel López Obrador, shpalli se “fitorja e së djathtës është moralisht e pamundur”. Pasi nxori “popullin” (pra, votuesit e tij) në rrugët e Mexico Cityt, ai e shpalli veten “presidenti legjitim të Meksikës”.

Është e rëndësishme të kihet ndërmend se retorika populiste rrënon kulturën politike demokratike të vendit, madje edhe nëse zgjedhjet nuk përfundojnë me kryengritje në stilin e sulmit të gjashtë janarit (të vitit 2021) në Kapitol. Politikanët populistë indoktrinojnë mbështetësit ashtu që ata të mos i besojnë kurrë sistemit dhe gjithmonë së pari supozojnë se rezultatet e zgjedhjeve manipulohen në prapaskenë nga elita të ndryshme.

Kjo nuk do të thotë se ligjet dhe proceset zgjedhore janë të përkryera dhe pa mangësi. Në Shtetet e Bashkuara, gjithçka mund të kritikohet, nga dispozitat që rregullojnë financimin e fushatave, deri te vështirësitë praktike të qytetarëve të cilët përpiqen të votojnë (shumë nga këto vështirësi janë pasojë e ligjeve të miratuara pikërisht për të vështirësuar pjesëmarrjen në zgjedhje). Por ka një ndryshim të madh midis kritikimit të dallojave jodemokratike të sistemit dhe hedhjes poshtë të gjithë procesit si jodemokratik vetëm për shkak se i keni humbur zgjedhjet. Kritika me mbështetje forcon demokracinë, ndërsa deklarimi i procesit zgjedhor si mashtrim, e minon atë.

Mohimi i rezultateve të zgjedhjeve është veçanërisht i mundshëm nëse trupi zgjedhor është i polarizuar, pasi kështu krijohet hapësirë ​​për sipërmarrësit politikë si Trump dhe Bolsonaro (as njëri e as tjetri nuk e lidhin fatin e tyre me partitë politike). Bolsonaro kaloi nga një parti në tjetrën, ndërsa gjatë dy viteve të mandatit të tij, ai nuk i përkiste asnjë partie. Trump dominon në Partinë Republikane, por kurrë nuk ka qenë loajal (dikur ka qenë demokrat). Të dy kanë fituar një numër të madh ndjekësish besnikë duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe kështu janë çliruar nga nevoja për mbështetjen e aparatit partiak që dikur ishte parakusht për mobilizim serioz politik.

Ajo që populistët e quajnë “shumica e heshtur” është në fakt një pakicë e zëshme, si në rastin e mbështetësve të Trumpit dhe Bolsonaros. Dhe, ndonëse pakicat kanë plotësisht të drejtë që të dëgjohet edhe zëri i  tyre, shumica reale nuk ka të drejtë të heshtë përballë një pakice që bëhet antidemokratike dhe e dhunshme.

 

Të fundit