E premte, 29 Mars, 2024

RAPORTIMI MEDIATIK PËR VRASJET NË “SHISHA BAR” TË SHKUPIT, I NGARKUAR ME DEZINFORMATA DHE SENSACIONALIZËM

Raportimi mbi vrasjen e dyfishtë në Shkup ka rikonfirmuar për të satën herë, se kur bëhet fjalë për ngjarje të rënda të “kronikës së zezë”, sidomos kur ka të vrarë, media duhet të respektojë parimin “saktësia para shpejtësisë”. Edhe njëherë u vërtetua se nëse informacionet e marra nuk i nënshtrohen verifikimit të fakteve nga së paku dy burime të informimit, ndodh që të kumtohen pasaktësi dhe dezinformata, siç ishin ato për vrasjen apo humbjen e jetës të personit të tretë në këtë rast. Edhe pse një pjesë e mediave kanë fshirë informacionin e publikuar, për të cilin u vërtetua se është i pasaktë, nuk i shmang nga përgjegjësia profesionale.

Shkruan: Sefer Tahiri

Vrasja e dyfishtë, e cila ndodhi më 6 mars 2023 në lokalin “Shisha Bar” afër Kalasë së Shkupit, la pas vetes dy të vrarë dhe një të plagosur. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, disa persona të maskuar kanë shtënë me armë ndaj personave Jeton Krivanjeva dhe Enes Iseni, të cilët kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa personi A.T ka marrë lëndime dhe është dërguar në spital, e më pas në shtëpi.

Kjo ngjarje e rëndë edhe njëherë dëshmoi se një pjesë e mediave onlajn apo portaleve, duke tentuar që të jenë të parët në zbardhjen e detajeve ose që të rrisin lexueshmërinë e tyre, publikojnë informacione të pasakta dhe hutojnë publikun. Përveç pasaktësive, gjatë raportimit mbi këtë ngjarje, nuk ka munguar as tentimi për defokusimin e ngjarjes, por edhe sensacionalizmi mediatik dhe raportimi etnik.

Një pjesë e portaleve:”Ekzekutimi me tre të vrarë” 

Në këtë vrasje humbën jetën dy persona, mirëpo disa portale përhapën informata të pasakta se përveç tyre, ka ndërruar jetë edhe një kamerier që u shërbente viktimave, i cili ishte plagosur gjatë rastit.

Në këto përmbajtje, portalet “Aktuale” dhe “Pacensure”, iu referuan portalit të së përditshmes “Koha“, por ky lajm nuk u gjet në portalin e gazetës. Siç transmetuan këto portale, “Mjekët e Klinikës se Shkupit, përkundër tentimeve të shumta, nuk arritën të mbajnë në jetë të riun nga Shkupi, i cili siç merr vesh gazeta KOHA, ka qenë viktimë e rastit pasi në “Shisha Bar” punonte si kamerier”.

Portalet “Opinion”, “Shprehja” dhe “Populli” kanë njoftuar se “Nga MPB thanë se personi i tretë është shoqëruar në spital për shërim, por mediat maqedonase kanë zbuluar një detaj jo zyrtar dhe thonë se edhe personi i tretë, A.T i përfshirë në ngjarje ka ndërruar jetë dhe nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të marra”.

Dy portale tjera, “Zhurnal” dhe “Ina-online” kanë publikuar spekulimin se ekzekutimi në “Shisha Bar” përfundoi me gjoja vdekjen e personit të tretë, ndërsa pasi kanë verifikuar se është i pabazë dhe i pavërtetë, e kanë fshirë të njëjtin nga ueb-faqet e tyre. Kjo mund të shihet në linkun e portalit Zhurnal dhe portalit Inaonline, ku qëndron se përmbajtja nuk u gjet.

Lajmi i rremë u përhap në hapësirën mediatike shqiptare

Shpesh jemi mësuar të dëgjojmë frazën “lajmi mori dhenë”, që nënkupton se një lajm përhapet shumë. Por kohëve të fundit, fatkeqësisht, po shohim se lajmi i rremë sikur merr dhenë më shumë.

Kështu ndodhi edhe me informacionin e pasaktë për viktimë të tretë në vrasjen e dyfishtë në Shkup, i cili u përhap në hapësirën mediatike shqiptare edhe jashtë Maqedonisë së Veriut.

Për shembull, portali “Front online” raportoi me titullin “Mediat maqedonase/ Vdes edhe personi i tretë i përfshirë në ngjarjen në Çarshi të Shkupit“. Njëjtë raportoi edhe portali i Televizionit ATV nga Kosova dhe portali “Gazetafokus”.

Personi i tretë është plagosur por i gjallë, kurohet në shtëpi

E vërteta e “personit të tretë të vrarë”, pas verifikimit të fakteve, është se ai ishte plagosur dhe më pas ishte lëshuar për kurim në shtëpi.

Një pjesë e mediave, duke iu referuar agjencisë së lajmeve MIA (Agjencia Informative Mediatike), raportuan se “Nga Klinika Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”, një person me dy plagë nga arma e zjarrit është sjellë në këtë klinikë mbrëmë në ora 20:15 me automjet privat. I është konstatuar plagë me armë zjarri në këmbën e majtë dhe plagë më e madhe në pjesën e poshtme të këmbës së djathtë, ndërsa pas ndihmës mjekësore është lëshuar për kurim shtëpiak.”

Disa media raportuan për vrasje të “personazhit” të njohur

Portali “Pacensure”, raportoi me titullin “Vrasje e dyfishtë në Shkup, vritet personazhi i njohur nga Shkupi“, ndërsa në lajmin mbi ngjarjen thuhej: ” Siç pohojnë dëshmitarët okularë, pranë kafenesë kanë mbetur të vrarë dy persona, të cilët sipas informacioneve të pakonfirmuara aktualisht kanë qenë persona të njohur në botën e krimit”. Pra, në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për personazh!

Edhe dy portale tjera, raportuan se njëri nga të vrarët është emër i njohur, edhe pse shpjegohet se ka qenë i njohur për policinë. Me titullin identik: “Mediat zbulojnë: Emër i njohur për policinë ka mbetur i vrarë në Çarshi të Vjetër”, raportuan portali ”Indeks“ dhe “Opinion”.

Identifikimi etnik i dy të vrarëve 

Siç ndodh rëndom, fatkeqësisht, kur ka ngjarje të këtilla të “kronikës së zezë”, një pjesë e mediave theksin e vendosin tek përkatësia etnike e personave të vrarë.

Portali “Albeu”, në lajmin me titull “Identifikohen shqiptarët e ekzekutuar në Shkup, autorët u shtirën si policë, dogjën makinën pas breshërisë së plumbave“, theksonte: “Pasi gjetën “objektivat” e tyre, autorët kanë hapur zjarr duke lënë të vdekur në vend dy të rinjtë shqiptarë.”

Edhe portalet “Reporteri“ dhe “Orainfo“ theksonin identitetin etnik të të vrarëve. Këto portale raportonin me titullin “Detaje të reja nga ngjarja që tronditi mbrëmë Shkupin, dy të ekzekutuarit janë shqiptarë”.

Po ashtu, edhe portali “Noa” raportoi me titullin, i cili në plan të parë vë identitetin etnik të të vrarëve: “Identifikohen shqiptarët e ekzekutuar në Shkup.”

I vrari, “mafioz dhe humanist”

Një pjesë e mediave, sipas modelit të “gazetarisë copy – paste“, ripublikuan informacionin e portalit “Shqipmedia”, sipas të cilit, njëri nga të vrarët Jeton Krivanjeva, ka qenë mafioz, por edhe humanist.

Ky lajm, siç vërteton edhe agregatori i lajmeve Fax.al, është publikuar në portale tjera me titullin “Jeton Krivanjeva-Zhilla kohë më parë kishte dhuruar 4 banesa për “Jetimat e Ballkanit”.

Në fakt, në kanalin zyrtar në Jutjub të organizatës joqeveritare “Jetimët e Ballkanit”, më 19 mars të vitit 2019, është publikuar video, në të cilën Krivanjeva bisedon me drejtuesin e organizatës, Halil Kastrati dhe më pas vizitojnë njërën nga familjet që i dhurohet banesa. Në video, Krivanjeva tregonte se ndjehej shumë i emocionuar për ndihmën që e ofron për katër familje dhe u apeloi të gjithë personave që kanë mundësi financiare që të ndihmojnë familjet skamnore.

Ky lajm, është përcjellë në mediat në gjuhën maqedonase. Portali “Makedonski Vesnik” raportonte me titullin “U teprua edhe me gazetarinë: I vrari ishte mafioz, por edhe humanist“.

Portali “Republika” raportoi me titullin “Mediat shqiptare: Jeton Krivanjeva ishte mafioz, por edhe humanist“. Por, brenda lajmit, citohet vetëm portali “Shqipmedia”, ndërsa për ilustrim është përdorur fotografia e takimit të Krivanjevës me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e cila nuk është kontekstualizuar fare.

Portali “Makedonski Vesnik”, raportonte me titullin “Jozyrtarisht: Njëri nga të vrarët ka qenë pjesë e klanit narko shkupjan dhe i afërt me persona drejtues të BDI-së“. Por, brenda përmbajtjes së publikuar, nuk ofrohen fakte apo argumente më të hollësishme që e vërtetojnë lidhshmërinë e Krivanjevës me persona që drejtojnë BDI-në, të cilët nuk përmenden me emër dhe mbiemër apo me identitetin e tyre.

Ndërsa portali Infomax, publikoi lajmin me titull “Eskobari maqedonas: Djali që dje u vra në Shisha bar para disa viteve, ka dhuruar katër banesa“. Etiketimi “Eskobar” në shkrim nuk arsyetohet me fakte dhe hollësira, pasi në të shpjegohet vetëm se ky person ka qenë cak i një sulmi në vitin 2019 në hotelin Aleksandar Pallas në Shkup, e më pas i referohej raportimit të disa mediave shqipe lidhur me aktivitetin e tij humanitar.

Mediatizimi i tepruar i lidhjes së Krivanjevës me Nikoliqin

Raportim sensacionalist të mediave, në stilin e shtypit rozë ose bulevardesk, kishte edhe rreth lidhjes së të vrarit Jeton Krivanjeva me një femër të popullarizuar nga një show real në Serbi, Aleksandra Nikoliq.

Sipas disa portaleve maqedonase, për portalin Republika.rs, ajo ka shpjeguar se pas daljes nga një show real “Zadruga 6”, “Krivanjeva, duke menduar se takohem me ndonjë djalë tjetër, më theu telefonin, më goditi. Pas kësaj me mori sigurimi i tij në makinë. Desha të hidhem nga makina, më lanë në kufi, e kalova barrikadën dhe erdha në Beograd”. Pra, bëhet fjalë për përshkrim të panevojshëm mediatik të ushtrimit të dhunës ndaj një gruaje.

Përfundime

Raportimi mbi vrasjen e dyfishtë në Shkup ka rikonfirmuar për të satën herë, se kur bëhet fjalë për ngjarje të rënda të “kronikës së zezë”, sidomos kur ka të vrarë, media duhet të respektojë parimin “saktësia para shpejtësisë”.

Edhe njëherë u vërtetua se nëse informacionet e marra nuk i nënshtrohen verifikimit të fakteve nga së paku dy burime të informimit, ndodh që të kumtohen pasaktësi dhe dezinformata, siç ishin ato për vrasjen apo humbjen e jetës të personit të tretë në këtë rast. Edhe pse një pjesë e mediave kanë fshirë informacionin e publikuar, për të cilin u vërtetua se është i pasaktë, nuk i shmang nga përgjegjësia profesionale.

Edhe në këtë ngjarje, një pjesë e mediave, nuk arriti që të shmang narrativin, që ngjarjet, qofshin edhe makabre, i sheh nga prizmi etnik.

Po ashtu, nuk u tregua kujdes edhe kur u raportua lidhur me vendndodhjen e saktë të ngjarjes apo përgjigjen e pyetjes “ku”, sepse shumica e mediave raportonin se ngjarja ka ndodhur në Çarshinë e Vjetër. Lokali është shumë afër Kalasë së Shkupit, se sa pjesë kompozicionale e Çarshisë! Në raste të këtilla, duhet pasur kujdes, që të mos dëmtohet interesi publik. Përkatësisht, me theksimin e se vrasja ka ndodhur në Çarshinë e Shkupit, dëmtohet imazhi i saj tek qytetarët, sidomos tek vizitorët e huaj dhe dëmtohen bizneset e vogla.

Një pjesë e mediave, për arsye të panjohura, përmes titujve “I vrari ishte mafioz dhe humanist”, tentuan që përmes theksimit të dimensionit humanist, të relativizojnë faktin që i vrari Krivanjeva ishte i përfshirë në aktivitete kriminale!

Ndërsa një pjesë e mediave, pa pasur ndonjë interes publik, mediatizuan tej mase lidhjes e Krivanjevës me një femër të popullarizuar në show reale nga Serbia, e cila e akuzonte të vrarin për dhunë dhe përshkruante detaje nga dhuna e manifestuar, por kjo nuk ka ndonjë interes të veçantë publik, veç interesimit sensacionalist të publikut. Pikërisht, kodet etike të gazetarisë qartësojnë se raportimi nga tragjeditë duhet të jetë i çliruar nga sensacionalizmi.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

….

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

Të fundit