E shtunë, 20 Prill, 2024

GJYKATA E HAGËS NË NDJEKJE TË PUTINIT

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhërarrestim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte. Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhërarrestimi është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi. Të dy dyshohen se, njofton kdp.mk, “kanë kryer vepra vetë, bashkërisht me persona të tjerë apo përmes personave të tjerë”.

Gjykata tha në një deklaratë se Putini “dyshohet se është përgjegjës për krimin e luftës së dëbimit të paligjshëm të fëmijëve dhe atë të transferimit të paligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.

Ajo lëshoi një urdhër arrest të premten edhe për arrestimin e Maria Alekseyevna Lvova-Belovas, Komisionere për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit të Federatës Ruse, për akuza të ngjashme.

Vendimet u dënuan menjëherë nga Moska dhe u mirëpritën nga Ukraina, e cila i konsideroi ato si një përparim të madh. Megjithatë, pasojat praktike të këtyre vendimeve mund të jenë të vogla.

Ndonëse Gjykata Penale Ndërkombëtare ka paditur udhëheqës botërorë më parë, kjo është hera e parë që ajo lëshon një urdhër arrest kundër udhëheqësit të njërit prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shanset për një gjykim të ndonjë rusi në Gjykatën Ndërkombëtare Penale mbeten jashtëzakonisht të vogla, pasi Moska nuk e njeh juridiksionin e gjykatës, një qëndrim të cilin ajo e riafirmoi me forcë të premten.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, këmbënguli se Rusia nuk e njeh Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe i konsideron vendimet e saj “ligjërisht të pavlefshme”. Ai shtoi se Rusia e konsideron masën e gjykatës një “sjellje të ashpër dhe të papranueshme”.

“Në përputhje me rrethanat, çdo vendim i këtij lloji është i pavlefshëm për Federatën Ruse nga pikëpamja ligjore”, tha zëdhënësi Peskov.

Zoti Peskov refuzoi të komentonte kur u pyet nëse presidenti Putin do të shmangte udhëtimet në vendet ku ai mund të arrestohej me urdhër të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Por presidenti i gjykatës, Piotr Hofmanski, i tha në një intervistë Zërit të Amerikës se kjo gjykatë “ka juridiksion për krimet e kryera në një territor ose shtet që e ka pranuar juridiksionin e saj”. Ukraina nuk është anëtare, por e ka pranuar juridiksionin e gjykatës.

“Ukraina e ka pranuar juridiksionin e Gjykatës në vitin 2014 dhe përsëri në vitin 2015. 43 shtete ia kanë referuar gjendjen në Ukrainë gjykatës, që do të thotë se zyrtarisht kanë aktivizuar juridisksionin e saj. Më lejoni të theksoj se Gjykata ka juridiksion ndaj krimeve të kryera nga kushdo në territorin e Ukrainës që nga nëntori 2013”, tha ai nga Haga.

Zoti Hofmanski thotë se sipas Statutit të Romës është e mundur dhe madje është detyrim ligjor për vendet anëtare që të bashkëpunojnë me gjykatën gjë që “përfshin edhe zbatimin e fletë-arresteve”.

Por ndërsa gjyqtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare kanë lëshuar urdhër-arrestet, zbatimi i tyre është në dorën e komunitetit ndërkombëtar. Gjykata nuk ka forcë të saj policore për të zbatuar vendimet e saj.

Vetë zoti Hofmanski e pranon se zbatimi “varet nga bashkëpunimi i komunitetit ndërkombëtar.”

Zyrtarët ukrainas ishin të gëzuar me vendimin.

“Bota ndryshoi”, tha këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak. Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha se “rrotat e drejtësisë po lëvizin” dhe shtoi se “kriminelët ndërkombëtarë do të mbahen përgjegjës për vjedhjen e fëmijëve dhe krime të tjera ndërkombëtare”.

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan e ka vizituar katër herë Ukrainën që nga hapja e një hetimi një vit më parë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale tha se hetuesit konstatuan “baza të arsyeshme për të besuar se secili prej të dyshuarve mban përgjegjësi për krimet e luftës të deportimit të paligjshëm të popullsisë dhe të transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës drejt Federatës Ruse, në dëm të fëmijëve ukrainas”.

Deklarata e gjykatës thotë se “ka baza të arsyeshme për të besuar se zoti Putin mbart përgjegjësi penale individuale” për rrëmbimet e fëmijëve “për kryerjen e këtyre veprave drejtpërsëdrejti, apo së bashku me të tjerë, me apo pa ndihmën e të tjerëve”, si dhe për faktin se nuk “ushtroi kontrollin e duhur ndaj vartësve civilë apo ushtarakë që i kryen këto akte”.

Dhe ndërsa Rusia i hodhi poshtë akuzat dhe urdhërat e gjykatës si të pavlera, të tjerë thanë se hapi i ndërmarrë nga gjykata do të ketë një ndikim të rëndësishëm.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale e ka bërë Putinin një njeri në kërkim dhe ka ndërmarrë hapin e parë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që ka inkurajuar prej kohësh autorët e luftës së Rusisë në Ukrainë”,- tha Balkees Jarrah, drejtues për drejtësinë ndërkombëtare në organizatën e të drejtave të njeriut Human Rights Watch. “Fletëmandatet japin një mesazh të qartë se dhënia e urdhërave për të kryer, apo për të toleruar, krime serioze ndaj civilëve mund të të çojnë në një qeli në Hagë”.

Zoti Crane, që ngriti akuzat ndaj Presidentit të Liberisë Charles Taylor 20 vite më parë për krimet në Sierra Leone, tha se diktatorët dhe tiranët në mbarë botën “janë tashmë të paralajmëruar se ata që bëjnë krime ndërkombëtare do të mbahen përgjegjës, përfshirë edhe kryetarët e shteteve”.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për drejtësinë dhe për qytetarët e Ukrainës”, -tha profesor Crane në një koment me shkrim për agjencinë e lajmeve Associated Press të premten.

Të enjten, një hetim i mbështetur nga OKB-ja përmendi sulmet ruse kundër civilëve në Ukrainë, duke përfshirë torturën sistematike dhe vrasjet në rajonet e pushtuara, ndër çështjet e mundshme që përbëjnë krime lufte dhe ndoshta krime kundër njerëzimit.

Sipas këtij hetimi gjithëpërfshirës, janë kryer krime kundër ukrainasve edhe në territorin rus, duke përfshirë fëmijët e dëbuar ukrainas, të cilët nuk u lejuan të ribashkoheshin me familjet e tyre, një sistem “filtrimi” që ka në shenjestër ndalimin e ukrainasve, ushtrimin e tortures ndaj tyre dhe kushte çnjerëzore paraburgimi./VOA/

Të fundit