E enjte, 28 Mars, 2024

ESCOBAR DHE AHMETI: TAKIMI I OHRIT ËSHTË MUNDËSI HISTORIKE

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit të takimit Kurti-Vuçiq, në Ohër, nën kujdestarinë e BE-së, ka thënë se takimi është një mundësi historike: “Pritja jonë më e madhe sot është finalizimi i aneksit të marrëveshjes për normnalizimin,”- ka deklaruar Escobar për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike. Prandaj, nga perspektiva jonë, kjo është vërtet historike. Kjo është, vërtet, një mundësi për t’i lënë shumë mbrapa ngjarjet e viteve ’90, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi”,- ka thënë Escobar duke vlerësuar edhe peshën e marrëveshjes Kosovë – Serbi:

“E para, ne duhet ta pranojmë që jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, në mënyrë që Evropa të jetë e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë, duhet t’i zgjidhë të gjitha sfidat e sigurisë që ekzistojnë brenda kontinentit evropian. Dhe, kjo është ndër të fundit. Neve na duhet ta konsolidojmë, jo vetëm paqen, por ta konsolidojmë edhe projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian për gjithë kontinentin evropian. Kjo e hap derën për atë gjë. Prandaj, tani është mundësia më e mirë që e kemi për ta arritur atë gjë, përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet disa vendeve që ende nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm drejt integrimeve euro-atlantike”,- tha Escobar.

Escobar ka thënë se Vuçiq ka nisur bisedë në Serbi se si duhet të duket marrëdhënia Kosovë – Serbi në të ardhmen.

“Dhe, duhet të them që të dyja palët janë duke e marrë seriozisht këtë përgjegjësi. Kështu që, unë shpresoj se do të arrijmë një aneks të finalizuar për një marrëveshje për normalizim sot”, – ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se nuk duhet fokusuar në nënshkrim të ndonjë dokumenti, por në finalizim.

“Shikoni, ne nuk jemi të fokusuar në nënshkrim, por po fokusohemi në finalizim. Kjo do të thotë të kemi një pajtim që të dyja vendet të përgatiten për diskutime reale dhe një pajtim real në marrëdhënien e tyre. Kështu që, kjo është më e rëndësishme: finalizimi i aneksit”, – ka nënvizuar Escobar.

Sipas tij, Propozimi evropian hapë një derë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën:

“E, megjithatë, jashtë rajonit, njerëzit besojnë se Ballkani Perëndimor është një zonë konflikti dhe tensioni etnik. Në realitet, kjo do t’i jepte fund një prej mosmarrëveshjeve të fundit të mbetura në rajon dhe do të lejonte që i gjithë rajoni të zinte vendin e tij në Evropë, si një pjesë e rritjes më të shpejtë të Evropës”,- tha Escobar.

Sipas Gabriel Escobarit, për SHBA-në njohja e ndërsjellë Kosovë – Serbi është qëllimi përfundimtar: “Mendoj se duhet të ndodhë për të gjitha vendet e rajonit. Kështu që, unë mendoj se nuk ka asnjë mënyrë, asnjë rrugë për në Evropë pa e njohur njëri-tjetrin të gjitha vendet e rajonit – që ta njohin njëri-tjetrin – dhe pa punuar mirë së bashku me njëri-tjetrin”,- është shprehur Escobar për REL.

AHMETI: Uroj arritjen e një marrëveshjeje historike

Ndërkaq, në takimin e Ohrit ndodhet edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Ai ka pasur takime me diplomatët euro-amerikan si dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ali Ahmeti | Kryetar i Bashkimit Demokratik per Integrim

Ahmeti, në një intervistë për tv Klan Kosova, tha se sot do të vendoset për ardhmërinë e shqiptarëve dhe rajonit.

“Unë këtu kam ardhur me shumë miq dhe bashkëmendimtarë për të inkurajuar palët që sot të arrihet një marrëveshje historike. Të presim mbase kjo do të ndodhë…Unë nuk kam ardhur në cilësinë e këshillëdhënësit, por në cilësinë e një shqiptari që beson se do të bëhet mirë për shqiptarët dhe gjithë rajonin, për paqen dhe stabilitetin. Këtu vendoset ardhmëria e shqiptarëve dhe rajonit,” – ka thënë tha Ahmeti.

Për kreun e BDI-së,, sot në Ohër nuk janë vetëm sytë e BE-së e SHBA-së, por „edhe të keqbërësve të Ballkanit“: “Çdo e arritur tani është e arritur për të gjithë ne, paqja stabiliteti e siguria janë thesar. Mendoj që në Ohër tanimë kanë zbarkuar shtetet e BE, ka zbarkuar SHBA dhe të gjithë sytë e opinionit liridashës janë sot në Ohër, por mos harrojmë se edhe sytë e keqbërësve në Ballkan, edhe ata janë sot në Ohër dhe nuk e dëshirojnë një përparim të sotëm. Jam ithtar i asaj që sot të ketë përparim dhe të verbohen ata që nuk duan paqen.” – ka thënë Ali Ahmeti.

Të fundit