E martë, 23 Prill, 2024

KOSOVA NË PROCESIN E RËNDË TË SHTETNDËRTIMIT

Aleksandar Vuçiqi dhe Albin Kurti mund t’i vënë pikë problemit gati shekullor shqiptaro-serb, duke e përfunduar kështu edhe fazën e katërt të ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Jo të gjitha subjektet që dolën nga ish federata jugosllave e kanë rrumbullakuar shtetformimin e tyre me shpalljen e pavarësisë. Maqedonia e Veriut ende është duke u përpjekur ta definojë dhe garantojë shtetësinë e shpallur në vitin 1991. Katër vite pas pavarësisë, Maqedonia e Veriut e fitoi një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), por u desh të ndryshojë flamurin dhe ta nënshkruajë një marrëveshje me Greqinë, ku obligohej se do ta zgjidhë problemin e emrit. Greqia, që nga pavarësimi i fqinjit të saj verior, e kontestoi flamurin e shtetit të ri për shkak se e kishte për simbol Diellin e Verginës, i cili u përdor në Greqinë e lashtë midis shekujve 6 dhe 2 të para erës sonë. Kjo, megjithatë, nuk ia vu vulën përfundimtare shtetësisë. Çështja e emrit ngeli e hapur, bashkë me çështjen e historisë dhe kulturës me Bullgarinë ose të kishës me Serbinë. Në vitin 2018 u nënshkrua Marrëveshja e Prespës me Greqinë, me të cilin ky shtet e zgjidhi problemin duke e ndryshuar emrin. Me këtë vendi mbylli një problem disadekadësh që të anëtarësohet në NATO dhe të fillojë negociatat me BE-në. Ndërkohë, pjesërisht u zgjodh problemi i kishës me Serbinë, kurse po bëhen përpjekje që të gjendet një ujdi edhe me Bullgarinë. Sofja zyrtare vazhdon ta mbajë si opsion veton nëse Shkupi nuk pranon se historia e para vitit 1945 ka qenë ose bullgare ose e përbashkët. Propozimi Francez, i miratuar vitin e kaluar në të dyja parlamentet, ndërkaq, obligon Maqedoninë e Veriut ta ndryshojë sërish kushtetutën, që në preambulë të përfshijë edhe bullgarët etnikë.

Katër fazat e shtetësisë

Këto pengesa, mbase edhe më të mëdha, i kishte dhe vazhdon t’i ketë edhe Kosova. Shteti më i ri i Evropës, i cili në shkurt festoi 15 vite nga shpallja e pavarësisë së saj, ka probleme vetëm me një fqinj – Serbinë. Nëse Maqedonia e Veriut kishte dhe ka konteste me tre shtete fqinje, e që të gjitha ishin të natyrës politike dhe kulturore, kontesti i Kosovës me Serbinë është më kompleks, pasi është territorial.

Përpjekja e Kosovës për shtet është e hershme, aq sa edhe tentimi i Serbisë që ta mbajë atë si pjesë e territorit të saj. Nëse i kthehemi historisë, mund t’i shohim katër faza të shtetndërtimit të Kosovës.

Faza e parë ka të bëjë me periudhën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Paqja e rivendosur në botë e gjeti Kosovën si “obllast” të Serbisë, një njësi federative me më pak kompetenca se Vojvodina, e cila e kishte statusin e krahinës. Kjo zgjidhje pa dyshim se i ngjalli format e para të rezistencës së shqiptarëve etnikë, të cilët prisnin së paku statusin e një republike, njëjtë si gjashtë të tjerat.

Faza e dytë përbën periudhën nga viti 1974 e deri në vitin 1989, kur Kosova e mori statusin e krahinës si Vojvodina. Ky status ia jep të drejtën të jetë njësi përbërëse e ish federatës jugosllave, ndërkohë që, midis tjerash, e fiton të drejtën ta bllokojë buxhetin federativ në rast se nuk sigurohet një shpërndarje e drejtë e parave publike. Kjo ka qenë periudha e ngritjes dhe zhvillimit të Kosovës, e cila krijon një bazë të fuqishme ekonomike, shoqërore dhe kulturore që të artikulohet më mirë dhe më zëshëm interesi i shqiptarëve etnik për një republikë të barabartë me gjashtë të tjerat.

Faza e tretë ka të bëjë me shfaqjen e formave të para të organizimit demokratik në Kosovë, si një reflektim i fillimit të procesit të demokratizimit të Europës Qendrore dhe Juglindore. Formimi i partive të para demokratike ose, më konkretisht, i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), shënoi një artikulim më kualitativ të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës dhe një vizion të ri për të ardhmen e saj. Lideri i LDK-së, Ibrahim Rugova, ishte i pari që kërkesën për republikë e zëvendësoi me “shtet të pavarur, të hapur njësoj si ndaj Serbisë, ashtu edhe ndaj Shqipërisë”. Me këtë vizion modern Rugova udhëhoqi shqiptarët e Kosovës drejt krijimit të shtetit të ri, që do të shkëputej nga Serbia, por nuk do të bashkohej me Shqipërinë. Ai e dinte se pas fjalimit të presidentit të fundit të Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov, të mbajtur në vitin 1989 në selinë e OKB-së në Nju Jork, federatat e tipit sovjetik do të fillonin të shpërbëheshin, duke hapur kështu rrugë për krijimin e shteteve të reja. Duke parë dështimin e projekteve të tij për të shpëtuar komunizmin – “Glasnost” dhe “Perestrojka”, Gorbaçovi paralajmëroi tërheqjen e 250 mijë trupave sovjetikë nga Europa Qendrore, duke i lënë kështu të pambrojtur dhe të cenueshëm liderët luajalë ndaj Moskës. Nisja e revolucioneve demokratike me rënien e Murit të Berlinit pritej ta kaplonte edhe ish-Jugosllavinë, edhe pse nuk kishte marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Sovjetik e as nuk varej nga kjo federatë. Megjithatë, njëjtë si Bashkimi Sovjetik, edhe Jugosllavia kishte aplikuar një koncept të njëjtë të federatës, me republika që kishin identitete të fuqishme etnike dhe me një federatë me identitet të brishtë politik. Sipas modelit të njëjtë ishte formuar edhe Çekosllovakia. Shpërbërja e këtyre federatave sillte rrezikun e luftërave të përgjakshme, për të cilat Kosova nuk ishte e gatshme. Andaj Rugova e zbatoi politikën e rezistencës paqësore dhe estetike, duke arritur kështu ta ndërkombëtarizojë synimin e Kosovës për shtet të pavarur.

Faza e tretë e kap periudhën nga viti 1998 e deri në vitin 2008. Shfaqja e formacioneve ushtarake shqiptare, në formën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shënoi fundin e luftës paqësore të Rugovës dhe fillimin e luftës së armatosur për shtet të pavarur. Nëpër këtë rrugë më herët kishte kaluar Sllovenia, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, ndërkohë që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi arritën të shkëputen pa një luftë me Serbinë. Intervenimi i NATO-s dhe lodhja e Serbisë nga luftërat paraprake në vitin 1999 solli një tërheqje të forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen administrimit ndërkombëtar.

Faza e katërt fillon me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. Me këtë Kosova e fiton shtetësinë që e kishte kërkuar qëmoti dhe, njëkohësisht, nis përpjekjen për sigurimin e njohjeve të saj si shtet. Nga 195 shtete sovrane në botë, për 15 vite Kosova është njohur nga 117 prej tyre. Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare po bllokohet nga Serbia, e cila akoma nuk ka hequr dorë nga pretendimi për sovranitet mbi territorin e Kosovës. Epërsia diplomatike e Serbisë dhe mungesa e një strategjie të duhur nga ana e Kosovës ka shënuar edhe disa çnjohje, sidomos në tri vitet e fundit. Në këtë periudhë nuk është siguruar asnjë njohje e re, ndërkohë që njohja e fundit është ajo e Izraelit në vitin 2019. Ky vit pritet të prodhojë zhbllokim të këtij procesi, me atë që Serbia dhe Kosova do të pajtoheshin të pranonin një marrëveshje historike të propozuar nga Gjermania dhe Franca, të përkrahur nga BE-ja dhe SHBA-ja. Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia faktikisht do ta njihte Kosovën si shtet dhe nuk do ta bllokonte anëtarësimin e saj në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, ndërsa Kosova do ta formonte Bashkësinë e Komunave me shumicë etnike serbe. Të dyja shtetet për herë të parë kanë liderë që gëzojnë mbështetje të lartë në opinionet e tyre dhe kanë numrat në parlament për ta kaluar një marrëveshje të këtillë historike. Aleksandar Vuçiqi dhe Albin Kurti mund t’i vënë pikë problemit gati shekullor shqiptaro-serb, duke e përfunduar kështu edhe fazën e katërt të ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Kompromiset

Nga të gjitha njësitë e ish federatës jugosllave, Kosova e ka pasur më vështirë për të arritur deri te subjektiviteti i saj shtetëror. Ky shtet vazhdon të mos e ketë vulën ndërkombëtare të ekzistencës, pasi nuk është i regjistruar në listën botërore të shteteve në OKB. Shtetet që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë, edhe pse me vështirësi, ka dekada që kanë arritur të sigurojnë vend në këtë organizatë. Bosnja e Hercegovina ka mosmarrëveshje me Serbinë dhe Kroacinë, Mali i Zi me Serbinë, Maqedonia e Veriut me Bullgarinë, por të gjitha ka kohë që kanë siguruar vendet e tyre në OKB. Shkupi dhe Podgorica janë anëtarë të NATO-s dhe kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE. Ajo që i karakterizon të gjitha këto shtete janë kompromiset që kanë bërë për çdo anëtarësim në këto organizata. Të qenit shtet i vogël e i dobët në një botë realiste, ku vlerat dhe parimet harrohen para interesave, do të thotë të mbijetosh duke gëlltitur kompromiset.

Teksti fillimisht është botuar në revistashenja.com 

Të fundit