E premte, 29 Mars, 2024

MILO GJUKANOVIQ: BALLKANI PERËNDIMOR NUK MUND TË JETOJË PËRTEJ KONTEKSTIT EVROPIAN

Në Mal të Zi, më 19 mars mbahen zgjedhjet presidenciale. Një ndër shtatë kandidatët është edhe presidenti aktual, Milo Gjukanoviq. Më poshtë ju sjellimin këndvështrimin e 61 vjeçarit Gjukanoviq i cili është më meritori për shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia dhe shpalljen e shtetit të pavarur malazez më 2006. Në fakt, vlerësimet janë pjesë e serialit dokumentar “Balkanview”, një bashkëprodhim ky Institutit Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal dhe  TVM2 që po transmetohet këto ditë e që është realizuar fund-vitin e kaluar: Ne pa kushte duhet të shkojmë rrugës së integrimit evropian, përqafimit të sistemit evropian të vlerave në këtë rajon… Patjetër që Evropa të na ndihmojë që ky rajon të integrohet. Mendoj se kjo është rruga që të mos kthehemi edhe një herë në atë rrugë pa krye ku u gjetëm në vitet e hershme të nëntëdhjeta dhe që na solli humbje serioze njerëzore e materiale,”-thotë ndër të tjera Gjukanoviq.

Intervistoi: Seladin XHEZAIRI

  • Përse po zvarritet pranimi i vendeve të Ballkanit Perendimor në BE? Zgjerimi i fundit është regjistruar para rreth dhjetë vjetësh!

PRESIDENTI GJUKANOVIQ: E konsideroj këtë rrethanë shumë të keqe jo vetëm për Ballkanin Perendimor, por edhe për Evropën. Çmoj se vizionarë shumë të mençur në kohën e tyre projektuan bashkimin e Evropës dhe supozonin realisht se ky do të jetë parakusht për një konkurrencë të plotë të Evropës në skenën globale – ekonomike, politike, të sigurisë. Ky proces, fillimisht u zhvillua me një dinamikë të mirë, sidomos pas rënies së Murit të Berlinit kur ndodhi bashkimi në kuadrin e Bashkimit Evropian i një numri të konsiderueshëm të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Mirëpo, pasoi një ngadalësi, ndërsa tani nuk dua të flasim për ngadalësi, po për ndërprerje të plotë. Nisi para 15-vjetësh, nëse ju kujtohet, me ato tone të cilat përsëriteshin shpesh – se Evropa u lodh nga zgjerimi. Mendoj se kjo lodhje arriti disi në të njëjtën kohë me pakënaqësinë e Bashkimit Evropian, respektivisht të anëtarëve të vjetër të BE-së, me efektet e të gjitha valëve të zgjerimit. Veçmas, sikurse ju kujtohet, problematike është një valë me ç’rast Evropa përsëriste pak a shumë në mënyrë eksplicite se gaboi kur, për arsye politike, përshpejtoi pranimin e disa vendeve në BE. Dhe, më duket se me këtë vullnet dhe me këtë përvojë, BE-ja nisi ngadalësimin e zgjerimit të mëtejshëm. Pas retorikës disavjeçare për lodhje, kjo mesele u qetësua, por zgjerimi nuk vazhdoi. Pra, pavarësisht narrativës paksa të ndryshuar, prapëseprapë mbeti tepër e ngadalësuar politika e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perendimor, prandaj jemi dëshmitarë se vetëm Kroacia u bë anëtar para dhjetë vjetësh. Kur dëgjoni, së pari administratën e Brukselit e pastaj vendet-anëtare, do të merrni arsyetimin e kësaj politike të zgjerimit se reshti iniciativa reformuese në Ballkanin Perendimor. Kur na dëgjoni ne nga Ballkani Perendimor, do të dëgjoni se ka munguar nxitja nga Brukseli dhe qendrat e rëndësishme politike evropiane. E vërteta, si rëndomë, është diku në mes. Por, unë vërtet çmoj se në rastin konkret me rëndësi vendimtare është iniciativa e Evropës. Thjesht, duhet ta kuptojmë se Ballkani Perendimor ka ngecur historikisht drejt Evropës. Plotësisht ka ngecur për shkak të disa realizimeve kapitale të vendeve perendimore evropiane, sidmos gjatë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Së këndejmi, nëse me të vërtetë e dëshirojmë bashkimin e Evropës, nëse dëshirojmë që Ballkani Perendimor të mos jetë një bark i butë i Evropës dhe të mos jetë vend përmes të cilit armiqtë e Evropës do ta destabilizojnë Evropën. Nëse e dëshirojmë këtë, atëherë duhet të kemi iniciativa ndaj Ballkanit Perendimor, para së gjithash të jemi ndërmarrës të miratimit të sistemit evropian të vlerave në këtë rajon. Duhet ta dimë se këtu nuk lindin njerëz me sistem të mbjellur evropian të vlerave. Këtu, fatkeqësisht kemi pasoja serioze të prapambetjes historike. Reformat të cilat duhet t’i realizojmë dhe të cilat po bëhen, janë tepër të dhimbshme në aspektin social, janë tepër të mundimshme. I kuptojmë ne si kreatorë të politikës, i kuptojmë ne si njerëz të cilët i dëshirojmë për arritjen e vizionit që kemi – që edhe vendet tona të jenë pjesë e Evropës së bashkuar, por këto nuk i kuptojnë kështu të gjithë qytetarët dhe nuk i konsiderojnë të mirëseardhura. Prandaj, BE-ja ne na duhet me shtytjen e saj  dhe kjo nxitje ka munguar. Pastaj, si pasojë logjike e kësaj, ndodhi rënia e entuziazmit reformues në rajon, ndaj BE-ja tani ka alibinë pse tani nuk ka një politikë intensive të zgjerimit. Ama vetëm alibi, jo më shumë se kaq. Nëse ju këtu nga vendet e BE-së dëshironi me të vërtetë stabilitetin e plotë të Evropës që nuk ekziston pa stabilitetin e secilit rajon evropian, atëherë duhet riaktivizuar politika tepër intensive e zgjerimit e kthyer nga vendet e Ballkanit Perendimor, për shkak se mendoj se kjo është rruga drejt stabilitetit të plotë të rajonit tonë, prosperitetit të mëtejshëm e me këtë edhe drejt stabilitetit dhe prosperitetit të Evropës.

  • Zoti President, kam përshtypjen se për mungesë të kësaj strategjie, kryesisht nga Perendimi, Ballkani Perendimor vazhdon të mbetet, siç thuhet. fuçi baruti.

PRESIDENTI GJUKANOVIQ: E dini, kjo mbase nuk është befasi për askend. Ky është reputacioni i këtij rajoni. Ky rajon vuan nga destabiliteti kronik. Dhe, ajo që duhet ta dime, për çka flet historia më e largët dhe kjo më e reja, është se ne nuk kemi mekanizma më të sigurt vetërregullues të stabilitetit të Ballkanit. Domethënë, rruga për në stabilitetin më të sigurt të Ballkanit Prendimor është rruga e integrimeve. Pra, këtë problem do ta zgjidhim kur Ballkani Perendimor të integrohet në BE dhe në NATO. Prandaj unë çmoj se ky është jo vetëm interes i Ballkanit Perendimor, por është interes i BE-së dhe NATO-s. Mendoj se në fakt, më e sakt është vendosja e shenjës së barazimit ndërmjet stabilitetit të rajonit dhe integrimeve.

  • Ndërkohë, në mungesë të një politike më aktive të BE-së, po shënojmë një influencë gjithnjë e më të madhe të pranisë së Rusisë dhe të Kinës. Ka qarqe që shikojnë me skepticizëm edhe rolin e Turqisë. A mundet që ky boshllëk gjeopolitik të plotësohet nga faktorë të tjerë jashtë strukturave euro-atlantike? Vendi Juaj është anëtar i NATO-s, por vendi Juaj është edhe shembull i ndikimit jo vetëm malinj nga jashtë?

PRESIDENTI GJUKANOVIQ: Jo vetëm që mund të plotësohet, por po plotësohet tash më përmes penetrimit serioz të interesave të vendeve të treta të cilat, siç e dimë, paraqiten nga platforma me vlera dhe politike, duke iu kundërvënë platformës së vlerave të Bashkimit Evropian. E dimë mirëfilli se në gjeopolitikë nuk ka vakum. Nëse mungon ai që është më përgjegjësi për të plotësuar atë boshllëkun potencial dhe në këtë rast, përsëris, këto janë BE-ja, për shkak se ky rajon është i Evropës, dhe është NATO-ja, sepse ky është rajon i Evropës që është partner me rëndësi në aleancën euro-atlantike. Nëse mungon kjo influence, atëherë le të mos çuditemi. Ky boshllëk nuk do të fashitet, këtu do të penetrojnë menjëherë interesat e lojtarëve të tjerë të rëndësishëm gjeopolitik. Dhe, sot po e hetojmë këtë. Nuk janë këto ndikime njësoj intensive dhe nuk janë të gjitha njësoj malinje. Nuk ka asnjë dyshim: Më ofensive është Rusia dhe më malinji është ndikimi i saj politik. Pse? Për shkak se, në fakt, Ballkani Perendimor nuk është në shënjestër. Shënjestër e destruksionit rus, doktrinës ruse të destruksionit rus, është Evropa, uniteti evropian dhe sistemi evropian i vlerave. Dhe, sikundër po shohim, Rusia kërkon çdo adresë të mundshme në të gjitha vendet evropiane, qofshin anëtare të BE-së ose jo, ku mund të krijojë vendkalim të politikës së vet që në fakt është politikë antievropiane, që fatkeqësisht tani përfundoi në këtë agresionin brutal të Rusisë ndaj një vendi evropian, Ukrainës. Ndaj, ne e ndjejmë këtë shumë mirë këtu. Në Mal të Zi, sikurse ju kujtohet, patëm një tentim grushtshteti në ditën e zgjedhjeve parlamentare më 2016. Jo rastësisht dhe, gjithësesi do të ishte pretencioze të mendohet se Mali i Zi i vogël u bë shënjestër strategjike e Rusisë. Jo! Fjala është se Rusia pikërisht, sikurse tenton sot të kufizojë zgjedhjen e lirë të Ukrainës, zgjedhjen e lirë të së ardhmes së saj, po kështu, në atë moment, tentoi të kufizojë përzgjedhjen e lirë të së ardhmes për Malin e Zi. Atëbotë, Mali i Zi u gjet, sikurse tha Sekretari i Shtetit i SHBA, në atë kohë, John Kerry, u gjet në vijën e zjarrit midis Lindjes dhe Perendimit. Mali i Zi ishte atëherë i vetmi para dyerve të NATO-s, dhe Rusia u mundua të na ndalojë të hyjmë në NATO ashtu që me forcë, me organizimin e grushtit të shtetit, të ndërronte udhëheqjen e shtetit dhe të pengonte integrimin evropian dhe euro-atlantik të Malit të Zi. Pra, e kemi këtë përvojë. Atëbotë, Rusia nuk pati sukses, disa muaj pas kësaj ne u bëmë anëtar i NATO-s, por mbase askush, as më naivi, nuk priste se Rusia do të heq dorë nga ai mosukses i momentit në Mal të Zi. Vitet vijuese ishin vite të luftës hibride edhe akoma më të sofistikuar të Rusisë në këtë rajon. Fatkleqësisht, kjo luftë ndihmoi që në vitin 2020 të bëhet ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi. Ndërrimi i pushtetit vetëvetiu mund të jetë shumë i rëndësishëm dhe duhet të jetë shumë frytdhënës, sjell një energji shumë të pakonsumuar, ende të pa manifestuar, që duhet t’i japë një shtytje të re zhvillimit demokratik të shoqërisë, por në rastin tonë u dëshmua se ky ndërrim, në fakt, ishte nën ombrellën e gjeopolitikës ruse dhe fatkeqësisht i solli Malit të Zi shumëçka të keqe.

  • Shtrohet një çështje shumë praktike: Si të kundërshtohen tentimet për, fjala vjen, rikthimin e perandorisë ruse apo turke në këto hapësira?

PRESIDENTI GJUKANOVIQ: Kjo është një sfidë serioze edhe për ne, por para së gjithash për ata të cilët janë lojtarë më të rëndësishëm gjeopolitik se ne. Sikurse thash, ky është vetëm një rajon i Evropës. Evropa patjetër që duhet të pretendojë pozicionin serioz gjeopolitik. Po ua rikujtoj, pas ardhjes së Komisionit të ri Evropian, zonja Von der Lyen theksoi si një ndër prioritetet e saj pozicionimin gjeopolitik të BE-së. Ashiqare, jetojmë një një kohë të përzierjes serioze të kartave. Njëra fazë përfundoi me fundin e luftës së ftohtë. Faza e dytë që pasoi pas kësaj me dominimin e një superfuqie, po ashtu, tregoi dobësi të caktuara. Ndërkohë u paraqitën lojtarë të tjerë të rëndësishëm gjeopolitik. Përfundimisht, më duket se koha që është para nesh do të jetë kohë e një arkitekture policentrike gjeopolitike. Dhe, natyrisht ne si evropianë, para së gjithash na intereson se ku ka për të qenë këtu Evropa. Së këndejmi, Evropa duhet të mundohet të sigurojë stabilitetin e plotë që nuk mund të arrihet pa integrimin e Ballkanit Perendimor dhe të sigurojë konkurrencën e plotë, për çka Evropës do t’i duhen të gjitha potencialet natyrore dhe njerëzore me të cilat disponon. Së këndejmi, mendoj se kjo çështje është para së gjithash sfidë e madhe për Evropën. Evropa duhet të mbrojë zonën e përgjegjësisë së vet primare. Evropa Juglindore, domethënë Ballkani Perendimor, është zonë e përgjegjësisë primare evropaine. Ne, natyrisht, duhet të ndihmojmë në këtë drejtim, ama duhet ta kuptojmë, po ashtu, se jo rastësisht dhe jo pa pasoja faktin që ky rajon ka ngecur kaq historikisht. Rusia nuk luan pa arsye kaq lehtë në Ballkanin Perëndimor. Ajo luan për shkak të animit historik të rajonit kah Rusia dhe për shkak të peshës së sentimentëve pro-rusë në një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që jeton në këtë rajon. Pra, kur e them këtë, e kam të qartë, nuk flas për Rusinë si armike, për Rusinë flas me respekt ndaj traditës dhe bashkëpunimit tonë gjatë historisë së largët, por në të njëjtën kohë kjo nuk guxon të jetë pengesë që të njohim qartë se çfarë është interesi ynë i sotëm dhe i ardhshëm.  Interesi ynë është që të verifikojmë, pra që përmes anëtarësimit tonë në BE, përkatësinë tonë historike kulturore në qytetërimin bashkëkohor civilizues evropian.

  • A mund që kjo të arrihet, sikurse pohohet në disa qarqe perendimore përmes të ashtuquajturit Proces i Berlinit që lindi para nja rreth një dekade, në mos gaboj, ose përmes ‚mini-Shhengenit‘, përkatësisht “Ballkanit të Hapur” që është kontestues më duket edhe për vendin Tuaj dhe për disa

PRESIDENTI GJUKANOVIQ: Procesi i Berlinit, me të vërtetë, në atë kohë dhe edhe sot, është një nismë tepër e mirëseardhur për vendet e Ballkanit Perendimor. Kam asistuar të them gjatë lansimit të kësaj nismeje në Berlin dhe pastaj kam ndjekur implementimin e saj gjatë gjithë këtyre viteve.  Cila ishte ideja themelore e Procesit të Berlinit? Ai duhej të ishte një mekanizëm shtesë që do të nxiste integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor, që do të ndihmonte që ky integrim të jetë më i shpejt dhe më cilësor. Procesi i Berlinit, në fillim të tij, nuk pati si të them përmasa kaq të gjera, por falë një procesi shumë inkluziv të dialogut për këtë temë, Procesi i Berlnit u bë me të vërtetë vend i një ndërmarrësie tejet potente dhe vend i dialogut shum të mirë ku u identifikuan hapësira të reja për të ndihmuar evropeizimin e Ballkanit Perendimor.

  • A humbi për nga pesha me largimin e kancelares gjermane Angela Merkel ose të daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja?

PRESIDENTI GJUKANOVIQ: Do tua them edhe këtë, por së pari dëshiroj t’ju them se ajo që ia shtuam versionit fillestar të nismës së Procesit të Berlinit është ajo nevoja që nëpërmjet mekanizmit të Procesit të Berlinit të shtyhet përpara zhvillimi infrastrukturor i rajonit dhe të krijohen kushte që të krijohen në fakt linqe më të sigurta infrastrukturore ndërmjet vendeve të Ballkanit Perendimor dhe BE-së. Pra, përmes infrastrukturës së transportit, asaj energjetike dhe dixhitale. Theksi është që njerëzit e këtij rajoni t’i afrojmë me të mirat e jetës në Evropën e Bashkuar. Pra, duhet lehtësuar shkëmbimin me BE-në në mënyrë që njerëzit të mbështesin më fuqimisht evropeizimin e rajonit tonë. Largimi i Angela Merkelit që lansoi këtë nismë, të shpresojmë se nuk ka për të vënë në pikëpyetje intensitetin e kësaj nismeje. I tillë është shekulli ynë politik, shkojnë mandatet, vijnë njerëz të tjerë. Gjermania është një shtet shumë serzioz, do të thoja motor ekonomik i zhvillimit të Evropës. Përveç kësaj, edhe me një ndjeshmëri të veçantë ndaj rajonit të Ballkanit Perendimor dhe të ardhmes sonë evropiane, kështu që gjatë të gjitha kontakteve që kam me zyrtarët gjermanë e potencoj pikërisht rëndësinë e kësaj çështjeje, se nuk guxon kurrsesi të lejohet që të dobësohet vëmendja ndaj Procesit të Berlinit. Tani Procesi i Berlinit do të duhej të vëhet nën një komandë të dyfishtë. Nga njëra anë, nga Gjermania, si vend me rëndësi ku lindi iniciativa, dhe nga ana tjetër, nga administrata e Brukselit që tregoi interesim për të marrë një lloj drejtimi të mëtejshëm të Procesit të Berlinit. Mendoj se është tejet e rëndësishme që ta ruajmë Procesin e Berlinit. Tentimi që “Open Balkan” të ofrohet si alternativë është, do të thoja, nismë tepër joadekuate. Pra, ju me të drejtë përmendët, Mali i Zi nuk i takon nismës “Open Balkan” për disa arsye: Së pari, ne mendojmë se ajo që na duhet në pjesën e bashkëpunimit ekonomik dhe dhe të përgjithshëm rajonal është strukturuar fort mirë në kuadrin e Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit, ndër të tjera, nënkupton përgatitjen e vendeve përmes këtij bashkëpunimi për jetë në BE, pra nënkupton bashkëpunimin që do të bazohet mbi standardet evropiane. “Open Balkan” nuk ua var shumë standardeve evropiane, nuk mban llogari as për atë që është parakusht themelor politik për çfarëdo bashkëpunim, e ky është sundimi i së drejtës që është komponent shumë i rëndësishëm i Procesit të Berlinit dhe fatkeqësisht edhe deficit kyç i rajonit tonë. Ndaj, pa dyshim se “Open Balkan” nuk mund të jetë substitut për Procesin e Berlinit dhe në vend të shumëzimit të nismave, mendojmë se duhet të përqëndrohemi dhe të shfrytëzojmë preformancat të cilat na i hap nisma e Procesit të Berlinit. Krahas kësaj, kemi edhe një rezervë ndaj prapavijës politike të “Open Balkan”-it. Ne e shohim atë më shumë si një nismë politike sesa nismë për bashkëpunim ekonomik rajonal, madje si një iniciativë politike e cila në të vërtetë duhet të kamuflojë atë që është politikë e Serbisë ndaj këtij rajoni. Këtë po e ndjejmë fort mirë në sjelljen ndaj Malit të Zi. Në fakt, Serbia po i kthehet asaj që ishte politikë e saj në vitet e hershme 90-të. Shpall rrezikimin e serbëve në vendet e tjera të rajonit, pas kësaj i jep vetes kinse të drejtë legjitime që ajo të përkujdeset për të drejtat e serbëve në vendet e tjera, me çka, lexojmë me saktësi, cenon sovranitetin e vendeve fqinje.

  • Mirëpo, të mos gaboj, këtë nismë e mbështesin edhe miqtë tuaj të mirë – kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri i deridjeshëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev?

PRESIDENTI GJUKANOVIQ: E vërtetë! Këto janë tre vendet që e përbëjnë këtë nismë rajonale. Gjatë disa bisedave me ta, kam bërë përpjekje që t’ua bëj të ditur këtë qasjen time, që në vend të nismës së re, duhet t’i japim shpejtësi të plotë implementimit të nismës së Procesit të Berlinit dhe, natyrisht, t’i kushtojmë më shumë rëndësi Marrëveshjes së CEFTA-s. Pra, marrëveshjes që është në fuqi qysh nga viti 2006, kur shkëmbyem 32 marrëveshje dypalëshe që funksiononin deri atëherë midis vendeve tona. Dhe, pavarësisht efekteve fillestare, ne gjatë katër viteve të fundit e rritëm tregtinë rajonale për 25 për qind, por vazhdojnë të na rëndojnë barrierat jo doganore dhe na ngarkon monitorimi i keq dhe joefikas i atij komiteti të ministrave që mbikëqyr implementimin e Marrëveshjes CEFTA, që në të vërtetë dëshmon vetëm një gjë: Se kemi, si të them, standarde të dyfishta në sjellje. Nga njëra anë, në parim, vendet e mbështesin tregtinë e lirë, ndërsa nga ana tjetër, kurdoherë që vehet në pikëpyetje ndonjë interes ekonomik kombëtar, atëherë aplikohen barrierat politike, jo doganore me ç’rast manifestohet inkonsekuencë dhe jo sinqeritet i plotë se sinqerisht dëshirojmë të zbatojmë standardet evropiane dhe që ekonomitë tona dhe vendet tona t’i përgatisim për jetë në Evropën e Bashkuar.

  • Zoti President, edhe administrata amerikane, edhe Brukseli, thonë se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kusht për integrimin euro-atlantik të këtij rajoni. Shtrohet një pyetje praktike, ju jeni në skenën politike që nga fundi i viteve tetëdhjetë e këtej, si të arrihet pajtimi në rajon, në mënyrë që nesër të bëhemi pjesë e BE-së?

PRESIDENTI GJUKANOVIQ: Çështja është tepër delikate dhe kërkon një zbërthim serioz, por do të mundohem që këtë t’ua përmbledh në dy mesazhe: Njëri është se përfundimisht duhet të tërhiqet vija nën atë që është praktikë tragjike nga fillimi i viteve nëntëdhjetë. Përshtypja ime është se kjo vijë nuk është tërhequr mjaft qartë, për shkak se nëse shikoni se sot, 30 vjet nga konflikti në hapësirën e ish-Jugosllavisë, restaurohen sërish politikat e asaj kohe, dhe prapë po flitet për rrezikimin e disave nga të tjerët dhe paraqitet vendi i prejardhjes etnike, si vend mbrojtës i të drejtave të bashkëkombësve të vet në shtetet e tjera, kjo është rrugë drejt konfrontimit dhe kjo është rrugë për në luftë dhe kjo është rrugë drejt viktimave të reja, që ka pasur mjaft, rreth 150 mijë në vitet e hershme të nëntëdhjeta. Pra, disi duhet të pengojmë ringjalljen e këtyre politikave dhe gabimeve retrograde. Sikurse shikoni, kjo, tash për të tash, nuk po tregohet si mekanizëm i efektshëm as në rajon e as në komunitetin ndërkombëtar që kjo të pengohet. Le ta kujtojmë vetëm se ideja për ndryshimin e kufijve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës pati mbështetje jo vetëm në disa qarqe politike rajonale, por edhe në qarqe të jashtme politike. Sikur partnerët tanë të jashtëm nisën të harrojnë më shpejt përvojat e këqija me ne nga vet ne! Domethënë, është e qartë se është e pamundur të preken kufijtë në Ballkanin Perëndimor e të mos e hapni problemin e rëndë, të rëndë, që përfundimisht nuk mund të ketë epilog paqësor. Prandaj, mendoj se është e nevojshme të tërhiqet vija dhe t’i thuhet ‘Stop’ teorisë se politika shumetnike në Ballkan është e pamundur. Kjo është motoja e nacionalistëve, është motoja e nacionalistëve shtetmëdhenj në këtë rajon të cilët ëndërrojnë për shtetet e mëdha, të cilët ëndërrojnë ndryshimin e kufijve në këtë rajon dhe të vendosin Serbinë e Madhe, Shqipërinë e Madhe dhe Kroacinë e zgjeruar, në dëm të shteteve të tjera – Malit të Zi, në dëm të Maqedonisë së Veriut, në dëm të Kosovës, në dëm të Bosnjës, para së gjithash. Ky është një mashtrim i rëndë dhe ky është një mashtrim të cilin nacionalistë e ri-aktualizojnë përherë nga pak dhe mendoj se nuk është mençuri të pranosh fare dialogun për këtë temë. Për shkak se nuk mundet Ballkani Perëndimor të jetojë përtej kontekstit evropian. Nëse e mbarë Evropa jeton si demokraci shumetnike, kështu duhet të jetë edhe Ballkani Perëndimor. Dhe, edhe kushti i dytë, që do ta zbërthej shumë shkurt dhe i cili natyrshëm mbështetet në këtë që e thash: Ne pa kushte duhet të shkojmë rrugës së integrimit evropian, përqafimit të sistemit evropian të vlerave në këtë rajon. Kjo nevoja jonë historike që si të them përherë të jemi diçka të veçantë dhe pak të ndryshëm, ne në të vërtetë na solli në njëfarë modeli të autizmit politik. Pra, Evropa ka shkuar dukshëm para nesh, ne këtu vazhduam  njëfarë modeli autentik dhe autistik të jetës, por patëm vetëm prapambetje ekonomike dhe demokratike. Patjetër që Evropa të na ndihmojë që ky rajon të integrohet. Mendoj se kjo është rruga që të mos kthehemi edhe një herë në atë rrugë pa krye ku u gjetëm në vitet e hershme të nëntëdhjeta dhe që na solli humbje serioze, njerëzore e materiale.

Të fundit