E premte, 29 Mars, 2024

PLLAKA “DARDANUS” DËSHMI E CIVILIZIMIT DARDAN, LOKALITETI TË MBROHET ME LIGJ

Arian Arsllani: Shteti nuk ka lejuar ndërtime në atë lokalitet, por ka lejuar gërmime arkeologjike. Aty gërmohet plotë 18 muaj dhe besoj që do zgjatë edhe 1 vit deri sa të përfundojë gërmimi arkeologjik, pastaj bëhet përmbledhja shkencore, e cila mund të zgjatë deri 2 vjet.

Emin Azemi: “Stelat si gurë mbivarrorë që u gjetën ditë më parë gjatë gërmimeve në lokalitetin antik Scupi, janë dëshmia më e gjallë e pranisë së civilizimit Dardan në këto hapësira, ndërkohë që është e pakuptimtë se si në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike. Dislokimi i artefakteve nga ky lokalitet arkeologjik me atribute të kulturës materiale dardane, i hap rrugën shlyerjes së memories historike, duke zëvendësuar një realitet të vjetër historik me një realitet të ri

Shkruan: Gentuar Ismaili

Jo njëherë është problematizuar me prapavijë të dyshimta çështja e autoktonisë së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Dhe, tendencat e këtilla janë vërejtur edhe në shkrime akademike, siç ishte rasti me Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë që ngjalli polemika të shumta në opinion.

Gjatë gërmimeve tek një parcelë private në të cilën po përgatitej të ndërtohej një njësi tregtare, aty u gjeten pllaka me mbishkrimin “Dardanus”, të cilat datojnë nga shekulli 2 dhe që sipas ekspertëve dëshmojnë për lashtësinë e shqiptarëve.

Drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Arian Arsllani thotë  se nuk ka lejuar ndërtime në atë lokalitet, por gërmime arkiologjike.

“Artefaktet tjera përveç pllakës me mbishkrimin ‘DARDANVS’, do të keni durim deri sa të kryhen gërmimet arkeologjike dhe të bëhet përmbledhja shkencore. Shteti nuk ka lejuar ndërtime në atë lokalitet, por ka lejuar gërmime arkeologjike, aty gërmohet plotë 18 muaj dhe besoj që do zgjatë edhe 1 vit deri sa të përfundojë gërmimi arkeologjik, pastaj bëhet përmbledhja shkencore, e cila mund të zgjatë deri 2 vjet. Ai lokalitet nuk është në mbrojtje për trashëgimi kulturore, por në zonën e kontaktit me qytetin antik SKUPI. Nëse inspektimi sheh parregullsi, neglizhencë gjatë punimeve dhe dëmtime të ndryshme, të gjitha raportet mbërrijnë në Drejtorinë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe merren masa për dënim, padi penale. Institucioni i cili po i bënë punimet në këtë lokalitet është Qendra për konservim Shkup”, u shpreh drejtori Arsllani.

Ndërkaq, për profesorin universitare, Emin Azemi, është e pakuptimtë se si shteti ka lejuar të bëhen ndërtime moderne në zonën e mbrojtur me ligj.

“Stelat si gurë mbivarrorë që u gjetën ditë më parë gjatë gërmimeve në lokalitetin antik Scupi, janë dëshmia më e gjallë e pranisë së civilizimit Dardan në këto hapësira, ndërkohë që është e pakuptimtë se si në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike. Dislokimi i artefakteve nga ky lokalitet arkeologjik me atribute të kulturës materiale dardane, i hap rrugën shlyerjes së memories historike, duke zëvendësuar një realitet të vjetër historik me një realitet të ri. Lokaliteti Scupi duhet ta ketë statusin e mbrojtur me ligj nga shteti si vlerë e trashëgimisë kulturore-materiale, siç  e kanë një status të tillë Scupi, Heraclea, Apollonia, Butrinti etj”, thotë Azemi.

Arkeologia Nikica Krubin për Tv21 ka deklaruar se storja e bërë nga Tv21 për të si eksperte dhe si arkeologe është shqetësuese.

“Bëhet fjalë për lokalitetin arkeologjik Skupi, parcela ndërtimore do të thosha ku ju e bëtë storjen për mua ishte shqetësuese si eksperte flas apo si arkeologe. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë parcelë, e gjithë hapësira e lagjes Skupi, aty është bërë një urbanizëm brutal në periudhën 20 vjeçare në secilën objekt që është ndërtuar pavarësisht nëse është spital, hotel, servis për vetura janë kryer gërmime arkeologjike të mbrojtura materiale, është dislokuar komplet, praktikisht ato bëhen parcela ndërtimore, domethënë që ku ndërtohen objektet sipas lejeve të ndërtimit apo sipas planeve urbanistike që domethënë që ato parcela nga lokaliteti arkeologjik më nuk janë lokalitet arkeologjik, domethënë këtu është problemi ndaj trajnimit që ia bëjmë trashëgimisë kulturore”, thotë Krubin.

Para disa javëve në lokalitetin arkeologjik në afërsi të qytetit antik Skupi gjatë gërmimeve u gjeten disa pllaka me mbishkrimin “Dardanius”, të shekullit 2 që pretendohet t’i takojnë ilirëve, paraardhësve të shqiptarëve. Më pas në opinion u shkaktuan shumë reagime nga drejtues të ndryshëm të institucioneve.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit