E premte, 29 Mars, 2024

ZIGZAG: QYFYRET E VJETRA

Studiuesit e politikës, po edhe sociologë e psikologë, kaherë kanë nënvizuar se në prag të ngjarjeve të mëdha për një shoqëri, shtet, a komunitet, vijnë në shprehje veprime e zhvillime që nuk është se gjithmonë janë të mirëstudiuara dhe për pasojë të njëjtat shpërfaqin zhvillime të cilat, pa ndonjë mbështetje kanë për pikënisje logjikën “o tash, o kurrë”! Në këtë rrafsh dhe nga ky këndvështrim duhet parë edhe zhvillimet e fundit në hapësirat e Ballkanit Perendimor në përgjithësi dhe këto tek ne e mes nesh në veçanti.

Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Jo pa qëllim, këto ditë postova të urtën fjalë se “nuk kanë vlerë – trimëria pas luftës e mençuria pas kuvendit”, por nuk kaloi as një orë dhe vërshuan pyetjet e (pa)pritura të miqëve virtualë: Pse, si, për kë, përse tash…?

Të thuash, mesazhi mund të përçohet në gjithë hapësirat politike shqiptare, po edhe më tej, ta zëmë atje ku kanoset për vdekje Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në parlamentin serb…Mundet, pse jo edhe në Ulqin e Podgoricë, në Prishtinë, Shkup e Tetovë, e besa edhe në Tiranë… Gjithandej ku bukës i thuhet – bukë e kripës – kripë, po ndodhë një vaki përplotë zënka e qërrim hesapesh të cilat duket se zanafillën e kanë tek “karriget e kolltuqet”, sikurse do të shprehej rapsodi popullor, por që në esencë provojnë mungesën e kulturës (jo vetëm politike) e të moralit a etikës. Nocioni “përgjegjësi” e “llogaridhënie”, ashiqare, në këto hapësira është i huaj, i panjohur, apo thënë më mirë, vetëm në letër! Së këndejmi, na del aktuale edhe sot e kësaj dite ajo deklarata e fund-shekullit të kaluar e diplomatit të njohur gjerman, Gert Arens, se “shqiptarët nuk dinë se çfarë të kërkojnë”! Do të shtoja – gjithandej! Në fakt, kjo vlen për të gjithë gadishullin ballkanik: Rrahagjoksat e izmave po del se kanë një të përbashkët – e duan pushtetin dhe japin e marrin për ta mbajtur atë! A po e shikoni skenën politike malazeze, atë serbe, kosovare, skenën politike shqiptare, në Tiranë, Prishtinë e Shkup, për atë në Bosnjë e Hercegovinë të mos flasim?! Përpjekjet e qendrave të vendosjes, të stilit “përçaj e sundo” duket se po bëjnë shtrat e hedhin shtat pikërisht për shkak të “kauzave” të rrejshme të cilat “i ha pazari” vetëm e vetëm pse në vend të funksionimit të shtetit të së drejtës – në “tezgat e toptan pazarit politik ballkanik” kemi klientelizmin, arrivizmin, barazimtarizmin. Të gjitha këto të veshura me një petk folklorik, që nisin nga këndimi i himneve e përfundojnë me, ta zëmë, asociacionin! Prandaj them se “trimëria pas luftës e mençuria pas kuvendit- nuk kanë vlerë”! Për rrjedhojë, duket se këto grupe të interesit, këto grupe të presionit, parapëlqejnë kultivimin e klimës zi e më zi mbase nga ëndrra me interpretim frojdian se mund të ndodhë një tërmet a përmbytje – për të bërë ndryshimin! Mos zgjidhja e problemeve të grumbulluara, mungesa e zgjidhjeve alternative, merret vesh, ka zbehur tejmase entuziazmin dhe optimizmin e votuesit, duke i lëshuar vend gjithnjë e më shumë letargjisë dhe lodhjes, dëshpërimit. Që të mos keqkuptohemi: Formimi i partive politike është mjet legjitim i betejës për objektivat e përcaktuara politike. Ngritja e tyre kërkon vullnet e durim dhe – ofertë të kapshme me njerëz që janë dalzotës të realizimit të premtimeve!

PS

Ka ditë që ndodhem në Perendim dhe, e dini çka: Edicionet e lajmeve qendrore gati-gati se në të gjitha kanalet televizive (në Britani të Madhe, fjala vjen) janë të thuash të njëjta për nga renditja e ngjarjeve, po pse jo edhe pasqyrimi i tyre! Po them edicionet e lajmeve! Kjo, me ndonjë përjashtim të rrallë, mungon shumë në eterin ballkanik, tonin po se po! Dhe, kjo, gjykoj, flet shumë: Ku jemi e nga po shkojmë dhe, të mos harroj, ç’prirje kemi?

Të fundit