E enjte, 25 Prill, 2024

PALLAVRAT 33-VJEÇARE ME LUFTËN KUNDËR KOMUNIZMIT

Edhe 33 vjet pasi komunizmi falimentoi dhe ra(ra, nuk e rrëzuam, më pëlqen ta theksoj këtë), në politikën tonë mjerane, ende flitet për ndëshkim të komunizmit.

Në 1991, pasuesi i doktatorit Enver Hoxha, Ramiz Alia, u bë presidenti i parë demokrat. (Mortja mu në popull, që edhe kur iu dha mundësia të zgjedhë, zgjodhi sërish Ramiz Alinë).

Partia e parë opozitare nuk u themelua nga opozitarë të diktaturës, por nga njerëz që kishin qenë pjesë e regjimit.

Partia e Punës, nuk u nxorr jashtë ligjit, por u konvertua brenda një dite në Parti Socialiste, e modelit europian.

Kupola komuniste nuk u ndëshkua, por ikën nga Blloku dukë marrë me vete edhe VC-të alla frënga

Ish sekretarë të parë, ish zyrtarë të lartë, ish sigurimsa, njerëz që kishin lyer duart me gjak e kishin mbushur burgjet me të pafajshëm, iu futën politikës e biznesit, dhe vazhduan të mbajnë kontrollin e vendit.

Ndërkohë Nexhmije Hoxha, çdo muaj na mbante fjalime ne TV duke treguar edhe se kur kishte bërë dashuri për herë të parë me Enverin.

Në asnjë vend të Europës Lindore, sot nuk flitet më për komunizëm. Të gjithë ish vendet komuniste e përmbysën komunizmin, ndërsa ne e konvertuam diktaturën një partiake e bëmë diktaturë dy partiake.

Komunizmi si folozofi nuk u zhbë, por u zëvendësua me korrupsionin që tashmë është shndërruar në fe. Të zhvasësh paranë publike, pasurinë publike, është sot një gjë e natyrshme dhe legjitime…

Ndërkohë, ish të përndjekurit politikë ende blejnë gazetën duke lexuar listën e dëmshpërblimeve të dhëna nga ata që i futën në burg.

Dhe në këto kushte, sot ende dëgjon nisma idjote, “të ndëshkojë komunizmin”.

Kë komunizëm do të ndëshkojmë sot?

Ku është?

Kush është komunist sot?

I vetmi ndëshkim që mund të bëhet sot, është shpëlajra e politikës nga dy partitë kryesore. Por, për këtë duhet të ndërrojmë popullin.

Të fundit