E shtunë, 20 Prill, 2024

ILIR KULLA PËR KDP: KJO LUFTË DO TË ZGJASË DERISA TË BIE ÇMIMI I LËNDËVE TË PARA, PËR NJË VIT RUSIA KA TREFISHUAR TË ARDHURAT

“Kemi një ri-rreshtim të forcave me rendin e ri botëror, ku padyshim Ballkani Perëndimor është me Evropën dhe NATO-n. I vetmi vend që mund të rreshtohet kundër është Serbia, por edhe ajo do te presë të shohë nga shkon peshorja e gjeopolitikës.”

Shkruan: Enis Shaqiri

Ishte mbrëmja e 23-24 shkurtit 2022 kur forcat ruse u nisën nga kufiri me Ukrainën dhe u ngritën në veri dhe lindje të vendit, duke synuar kështu edhe Kievin. Orientimi strategjik i Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO dhe BE nxiti një agresionin rus ndaj një shteti të pavarur, i paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjatë këtyre 365 ditëve të përgjakshme, Rusia kontrollon vetëm një të pestën e territorit të vendit fqinj, shumë larg parashikimit për një pushtim në shkallë të gjerë, që shumë analistë asokohe besonin se do të ndodhte.

Nga ana tjetër, lind pyetja se si gabuan një pjesë e ekspertëve, duke besuar se Rusia nuk do të nisë një luftë. Në një prononcim për kdp.mk eksperti i sigurisë, Ilir Kulla shprehet se një pjesë e politikanëve evropianë gabuan kur harruan se Rusia ende mbetet fuqia më e madhe bërthamore e botës dhe si e tillë i imponohet edhe rendit botëror.

Më shumë se gabim i ekspertëve evropianë ishte një dëshirë e tyre. Që të mos kishte luftë. Në fakt lufta ka nisur që në vitin 2014 dhe më tej ka qenë një konflikt me intensitet të ulët. Ajo çka një pjesë e politikanëve evropianë gabuan ishte fakti që harruan se Rusia është fuqia më e madhe bërthamore e botës dhe si e tillë i imponohet rendit botëror. Kjo luftë do të zgjasë deri atëherë kur të bien çmimet e lëndëve të para me të cilat Rusia jeton dhe furnizon makinën e luftës. Në 1 vit Rusia ka dyfishuar dhe trefishuar të ardhurat nga lëndët e para për shkak të çmimeve të larta.  Vetëm atëherë Rusia do të pushojë luftën dhe këtë mund ta bëjë vetëm nëse e detyron Kina,” thotë Kulla.

I pyetur nëse vazhdon ende të rrezikohet Ballkani Perëndimor nga ndikimi rus, Kulla tha: “Kemi një ri-rreshtim të forcave me rendin e ri botëror, ku padyshim Ballkani Perëndimor është me Evropën dhe NATO-n. I vetmi vend që mund të rreshtohet kundër është Serbia, por edhe ajo do te presë të shohë nga shkon peshorja e gjeopolitikës.”

Ndërkaq, një vit më vonë, teksa lufta ende po vazhdon, kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell, në fjalimin e tij ka thënë se ka pranuar një telefonatë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken një javë para pushtimit rus në Ukrainë. Sipas Borellit, homologu i tij amerikan, i ka thënë se Rusia pas disa muajve të mbledhjes së forcave në kufi me Ukrainën, do ta pushtojë këtë shtet.

Tony Blinken më ka telefonuar dhe më ka thënë, do të ndodhë këtë fundjavë. Dy ditë më vonë, në orën 5:00 të mëngjesit, ata kanë nisur bombardimet në Kiev. Ne nuk e kemi besuar se kjo do të ndodhte”, ka thënë Borrell.

Kujtojmë se Bashkësia Ndërkombëtare ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë dhe ka kërkuar respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ndërsa sanksionet ekonomike dhe politike cilësohen të jenë masa të rëndësishme që janë ndërmarrë nga bashkësia ndërkombëtare kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Këto sanksione kanë përfshirë bllokimin e llogarive bankare, ndalimin e eksportit të teknologjisë dhe produktet nga Rusia, si dhe ndalimin e vizave dhe gjobave për individët dhe kompanitë rusë të përfshira në këtë konflikt.

Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ka të bëjë me një sërë faktorësh historikë, politikë dhe kulturorë, të cilët kanë ndikuar thellësisht në marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Në shekullin e 18-të dhe 19-të, Ukraina ishte e pjesë E Perandorisë Ruse dhe kishte një lidhje të ngushtë kulturore dhe historike me Rusinë. Megjithatë, gjatë shekullit të 20-të, nën sundimin sovjetik, Ukraina u bë një republikë e pavarur në kuadër të Bashkimit Sovjetik. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Ukraina u bë një shtet i pavarur dhe u nda nga Rusia. Megjithatë, lidhjet e forta ekonomike, kulturore dhe gjuhësore vazhduan të ekzistojnë midis dy vendeve. Ndërkaq konflikti ka origjinë në mosmarrëveshjet midis dy vendeve rreth disa çështjeve kryesore, siç janë integriteti territorial i Ukrainës, roli i Rusisë në rajonin e Evropës Lindore, dhe interesat gjeopolitike të dy vendeve në rajon.

Në vitin 2014, gjatë një periudhe të lëvizjeve pro-demokratike në Ukrainë, presidenti pro-rus Viktor Yanukovych dha dorëheqjen pas presioneve të popullit dhe ndërhyrjes së Rusisë në politikën ukrainase. Protestat popullore në Ukrainë çuan në rrëzimin e presidentit Viktor Yanukovych, i cili ishte mbështetës i Rusisë. Pas kësaj, trupat ruse aneksuan Krimenë, një rajon i cili ishte pjesë e Ukrainës, dhe mbështetën grupet separatiste në rajonin e Donbasit në Lindjen e Ukrainës, duke i furnizuar ata me armë dhe ushtri. Pushtimi nga Rusia i një pjesë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, la mijëra civilë dhe ushtarë të vrarë, miliona njerëz të zhvendosur, si dhe  shumë fshatra dhe qytete të rrafshuara me tokë. Konflikti vazhdon deri më sot, me ndërhyrjen e vendeve të tjera dhe ndërmjetësimit për zgjidhjen e tij. Konflikti vazhdon të jetë një sfidë e rëndë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Të fundit