E mërkurë, 19 Mars, 2025

PËRVJETORI I SHUARJES SË ABDYLAQIM ADEMIT E BËN BASHKË BDI-në!

Pesëvjetori i shuarjes së Abdylaqim Ademit, ish-Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së, deputet dhe zyrtar i lartë i ekzekutivit në Maqedoninë e Veriut, po shënohet me një vistër aktivitetesh përkujtimore: Në vendlindjen e të ndjerit në Shemshovë, te varri i tij janë bërë homazhe, në Universitetin e Tetovës është promovuar libri i tij “Grafeni”, kurse pasditen e kësaj të enjteje në Teatrin Shqiptar në Shkup  mbahet  tubim përkujtimor  gjatë të cilit do të shfaqet edhe një film dokumentar për jetën dhe veprën e Abdylqaqim Ademit.

E veçanta e këtij zhvillimi, sikurse raporton kdp.mk është se me gjithë përplasjet në gjirin e BDI-së, në homazhet në Shemshovë krahas kreut të BDI-së, Ali Ahmeti dhe ministrave ishin edhe pjesëtarët ew të të ashtuquajturit “Grup i zjarrit”.

Ademi ndërroi jetë në vitin 2018, në moshën 49-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Ai ishte njëri nga themeluesit e BDI-së si dhe funksionar i lartë i kësaj partie. Si një nga themeluesit e BDI-së, ka mbajtur pozita të rëndësishme partiake dhe shtetërore, ka ushtruar detyrën e  zëvendëskryeministrit  për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ministrit të Ambientit Jetësor dhe të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Abdilaqim Ademi, i lindur më 20 dhjetor 1969, në fshatin Shemshovë të Tetovës, studimet universitare i kishte filluar në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, drejtimi Metalurgji, në qytetin e minatorëve në Mitrovicë, ku kishte mbaruar dy vite. Për shkak të masave të dhunshme serbe në Universitetin e Prishtinës, studimet ishte detyruar që t’i vazhdojë në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku ka diplomuar në korrik të vitit 1996. Ai më pas ka mbaruar edhe studimet postdiplomike. Ademi ishte zëvendëskryeministër për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Qeverinë e Maqedonisë që nga viti 2008, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga 28 korriku i vitit 2011 deri më 20 qershor të 2014 dhe ministër i Arsimit dhe Shkencës në periudhën prej 20 qershorit të vitit 2014 deri më 16 janar të vitit 2016.

Ademi mbahet mend si një njeri i sinqertë, i hapur dhe transparent për mediat, gazetarët dhe opinionin gjatë kryerjes së detyrave të larta partiake e shtetërore. Ai tashmë është pjesë e historisë së politikës shqiptare të Maqedonisë së Veriut, emrin e të cilit e mban instituti politik i BDI-së.

Të fundit