Aktualisht, në negociatat e mundëshme mes palëve, të imponuara fillimisht nga sukseset e dëshirueshme në fushën e betejës të ushtrisë mbrojtëse, duhet të synohet tashmë garantimi real i një “sigurie efektive” për Ukrainën, dhe jo të veprohet ashtu si në vitin 1994 me Memorandumin e Budapestit.
Shkruan: XHEZAIR ZAGANJORI*
Rreth tridhjetë vjet më parë në kuadër të shpërbërjes së ish – Bashkimit Sovjetik dhe rrezikut të humbjes së kontrollit mbi armët bërthamore që ajo dispononte, u përfunduan në kuadër të OSBE-së tre Memorandumet e Budapestit, në njërin prej të cilëve, krahas qëllimit të mësipërm, duhej të garantohej ndër të tjera edhe siguria e Ukrainës. Kjo bëhej për arsyen e thjeshtë sepse mendohej që pikërisht Ukraina që dispononte sasi të konsiderueshme të armëve bërthamore, pas transferimit të tyre në Rusi, mund të ishte shpejt objektivi kryesor i një agresioni të mundshëm pikërisht prej saj, pra prej Rusisë. Ky synim i rëndësishëm nuk u realizua në praktikë. Rusia e sulmoi Ukrainën në vitin 2014, duke shkëputur dhunshëm prej saj të gjithë zonën e Krimesë, ndërsa një vit më parë, më 24 Shkurt 2022, përmes një agresioni shumë më të zgjeruar, synon të marrë serish hapësira edhe më të mëdha territorial të këtij shteti sovran. Lufta e përgjakshme e aspak e barabartë, që shkatërron gjithçka e merr çdo ditë jetë njerëzish, vazhdon të bëhet gjithnjë e më e dhunshme edhe pas një viti. Ushtria ukrainase po reziston heroikisht dhe me një vetëmohim e angazhim tejet unik, por … i duhen armë të fuqishme e moderne, sepse armiku i ka ato me shumicë. Në këto kushte, pavarësisht cilësive personale dhe frymës së lirisë, që Davidi të ketë mundësinë të mbrohet sa më mirë nga sulmet e Goliath, nuk i mjafton thjeshtë vetëm llastiku me gurin e vogël e të rrumbullakët, por i duhet shumë më tepër se kaq. Për më tepër i duhen sa më shpejt, pasi zgjatja e konfliktit të armatosur dëmton dukshëm vetëm palën mbrojtëse, popullsia dhe ushtria e së cilës, megjithëse shumë më të vogla në numër, tkurren çdo ditë pikërisht për shkak të këtij ballafaqimi tërësisht jo proporcional. Nga ana tjetër, është e tepërt të vihet në dukje se pikërisht në këtë përballje janë në lojë edhe një pjesë e mirë e interesave dhe idealeve më të rëndësishme Perëndimore, implementimi i të cilave në jetën e përditshme e bën realisht Kontinentin e Europës si mbartës shembullor te sigurisë dhe të vlerave më te mira njerëzor.
Pikërisht për këto arsye me të drejtë vihet në dukje se aktualisht, në negociatat e mundëshme mes palëve, të imponuara fillimisht nga sukseset e dëshirueshme në fushën e betejës të ushtrisë mbrojtëse, duhet të synohet tashmë garantimi real i një “sigurie efektive” për Ukrainën, dhe jo të veprohet ashtu si në vitin 1994 me Memorandumin e Budapestit, përmendur më sipër. Sepse në këtë dokument ndërkombëtar që shoqëroi pavarësinë e Ukrainës, nuk u muarën sa dhe siç duhet parasysh pavarësia sovrane dhe integriteti territorial i saj, pasi nuk u parashikuan mjete ligjore e efektive për mbrojtjen e tyre nga një agresion i mundshëm rus. Memorandumi në fjalë kishte më shumë karakter deklarativ, duke i krijuar kështu mundësinë Rusisë të shkelë në mënyrë të hapur e brutale angazhimet e marra në kuadër të saj. Le ta shohim pak më gjërë këtë problem.
Pas shëmbjes së Murit të Berlinit më 9 Nëntor 1989, filloi procesi spektakolar i ndryshimeve historike në Europën Qendrore e Lindore e më gjerë. Në këtë proces u përfshi natyrshëm edhe ish Bashkimi Sovjetik, apo quajtur ndryshe Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Shpërbërja e kësaj superfuqie filloi me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Lituanisë me 11 Mars 1990, për të vazhduar më pas me shkëputjen e njëpasnjëshme të të gjithë republikave të tjera sovjetike, proces që përmbyllet me 27 Tetor të vitit 1991 me shpalljen e pavarësisë së Turkmenistanit. Ukraina shpalli pavarësinë e saj me 24 Gusht 1991. Me 8 Dhjetor 1991, udhëheqësit kryesorë të Federatës Ruse (Presidenti Boris Jelcin), Ukrainës ( Presidenti Leonid Kravchuk) dhe Republikës së Bjellorusise (Kryetari i Parlamentit Stanislav Shushkevich), nënshkruan të ashtuquajturat Akorde të Belovezhit (pyll pranë qytetit Viskuli të Bjellorusisë), përmes të cilave njihnin faktin e rëndësishëm të “shpërbërjes efektive” të Bashkimit Sovjetik si dhe nevojën e bashkëpunimit në forma të tjera të ish pjesëve përbërëse të tij, të bërë tashmë shtete të pavarura. Mbi këtë bazë, rreth dy javë më vonë, shumica e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të dala nga ish Bashkimi Sovjetik nënshkruan në ish kryeqytetin e Kazakistanit, Alma – Ata (nga viti 1997 kryeqytet është qyteti Astana), protokollet mbi krijimin e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS), synimi i të cilës ishte nxitja e bashkëpunimit politik, ekonomik, tregëtar, ushtarak e kulturor mes njëmbëdhjetë ish republikave sovjetike, e konkretisht: Federatës Ruse, Armenisë, Azerbaixhanit, Bjellorusisë, Kazakistanit, Kirgistanit, Moldavisë, Taxhikistanit, Turkmenistanit, Ukrainës dhe Uzbekistanit. Gjeorgjia nuk pranoi të merrte pjesë në këtë organizatë ndërqeveritare, ndërsa tre Republikat Balltike, Lituani, Letoni dhe Estoni, refuzuan pjesëmarrjen, pasi e konsideronin me të drejtë përfshirjen e tyre me forcë në ish Bashkimin Sovjetik në vitin 1940, si në kundërshtim me vullnetin e popujve të tyre dhe me normat e të drejtës ndërkombëtare. CIS funksionon sot kryesisht si një Zonë e Tregëtisë së Lirë mes shteteve anëtare. Ukraina ka dalë zyrtarisht nga CIS në vitin 2018, por bashkëpunimi i saj me këtë organizatë ndërkombëtare është ndërprerë shumë kohë më parë.
Nga pesëmbedhjetë shtetet e pavarura që u krijuan nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, katër prej tyre kishin armë bërthamore, konkretisht Rusia, Ukraina, Kazakistani dhe Bjellorusia. Në fakt, armët bërthamore ndodheshin fizikisht në territorin e Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa në Kazakistan kishte vetëm pjesë të mbushjes së përparme të raketave bërthamore (pra pa pjesën e kapsollës bërthamore), kurse në Bjellorusi kishte vetëm pjesë të infrastrukturës lëvizëse dhe të hedhjes së këtyre raketave. Sidoqoftë, të dy këta shtete, Kazakistani dhe Bjellorusia i kishin dorëzuar këto pjesë ndihmëse të armatimit bërthamor menjëherë në Rusi. Problem mbetej vetëm Ukraina, e cila për nga arsenali që dispononte konsiderohej në këtë kohë fuqia e tretë bërthamore në botë. Pikërisht për këto arësye, këto armë kërkoheshin me ngulm nga Rusia. Kjo cështje shkaktoi një debat të brendshem shumë të zjarrtë edhe në Ukrainë. Në këtë situatë, në kuadër të OSBE-së dhe me nxitjen e ShBA dhe Britanisë, edhe bashkësia ndërkombëtare ra dakort që Ukraina të bënte dorëzimin në Rusi të armëve bërthamore që dispononte, me kushtin që edhe ky vënd (pra Ukraina) të bëhej palë në Traktatin mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), duke nënshkruar një memorandum të veçantë, përmes të cilit duhej të garantohej siguria e Ukrainës. Ky memorandum u nënshkrua gjatë Konferencës së OSBE-së të mbajtur më 5 Dhjetor 1994 në Budapest, kryeqytetin e Hungarisë. Palë në këtë Memorandum janë Ukraina, Rusia, ShBA dhe Britania. Po në këtë ditë dhe për të njëjtin qëllim, memorandume të njëjta u nënshkruan formalisht edhe me Bjellorusinë dhe me Kazakistanin, ndaj që të tre së bashku quhen Memorandumet e Budapestit.
Duke ju referuar posaçërisht Memorandumit lidhur me garantimin e sigurisë së Ukrainës, ndër të tjera, në gjashtë paragrafët që pasojnë preambulën, sipas radhës, thuhet:
Në paragrafin e parë e të dytë vihet në dukje angazhimi i palëve nënshkruese për hartimin e këtij Memorandumi, bazuar në detyrimet e përgjithshme që burojnë nga Karta e OKB-së e vitit 1945 dhe Akti Final i Helsinkit i vitit 1974. Mbi këtë bazë ato zotohen të shmangin përdorimin e forcës kundër territorit të Ukrainës, duke respektuar kështu pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë e saj ekzistues. Më tej shtohet se çdo përpjekje e Rusisë për ndryshimin e kufijve të Ukrainës, e bërë përmes një referendumi të paligjshëm apo duke përdorur forcën, do të cilësohet si shkelje e rëndë e këtij Memorandumi. Në paragrafin e tretë përmendet detyrimi i palëve për të mos cënuar interesat ekonomike të Ukrainës, pasi një gjë e tillë bie në kundërshtim me të drejtat e saj sovrane.
Sipas paragrafit të katërt të Memorandumit, sejcila nga palët nënshkruese mund ti drejtohet menjëherë Këshillit të Sigurimit të OKB-së në rast se vlerëson që Ukraina “ ..është bërë viktimë e një agresioni ose është kërcënuar me një agresion të tillë përmes përdorimit të armëve bërthamore”. Po kështu, në paragrafin e pestë vihet në dukje detyrimi i palëve nënshkruese për të mos përdorur armët bërthamore kundër një shteti që nuk disponon armë të tilla dhe që është palë në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Sipas po këtij paragrafi, përjashtimisht, përdorimi i armëve bërthamore nga shteti nënshkrues mund të bëhet vetëm nëse ai është në kushtet e vetëmbrojtjes ndaj një sulmi të ndërmarrë nga shteti në fjalë (pra pa armë bërthamore dhe palë në NPT), në aleancë me një shtet tjetër që disponon armë bërthamore.
Në paragrafin e gjashtë dhe të fundit të Memorandumit, katër shtetet nënshkruese marrin përsipër të konsultohen apo të dialogojnë me njëri-tjetrin, nëse pretendojnë se njëra apo disa prej tyre kanë shkelur detyrimet e përcaktuara në këtë dokument ndërkombëtar.
Nëse do të bënim një analizë të shpejtë të gjashtë paragrafëve të Memorandumit të Budapestit lidhur me Ukrainën, do të konstatohet menjëherë se Rusia ka shkelur qartësisht të gjitha detyrimet që burojnë prej saj. Ajo ka bërë agresion kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si në vitin 2014 ashtu edhe nje vit më parë (Shkurt 2022 e në vazhdim), duke shkelur kështu hapur Kartën e OKB-së (veçanërisht paragrafin e dytë të Nenit 4 të saj), si dhe Aktin Final të Helsinkit. Haptazi i kundërligjshëm është edhe referendumi mbi pavarësinë e Krimese, i organizuar e mbështetur fuqimisht prej saj ( shkelje të paragrafit të parë e të dytë të Memorandumit). Dy palët e tjera të këtij dokumenti ndërkombëtar, ShBA dhe Britania, përmes deklaratave zyrtare, i kanë dënuar rëndë këto veprime, si ne vitin 2014, ashtu edhe më 2022. Po kështu, që nga viti 2014, Rusia ka vendosur praktikisht embargo thuajse të plotë ndaj lëndëve të para dhe ndaj produkteve bujqësore të Ukrainës (shkelje te paragrafit të tretë të Memorandumit). Pasaktësia e paqartësia e formulimit të paragrafit katër kanë ngjallur nga ana tjetër shumë diskutime. Shprehja “…viktimë e një agresioni apo kërcënim për një agresion të tillë duke përdorur armë bërthamore..” është interpretuar nga palët nënshkruese në mënyra të ndryshme. Për Ukrainën, ShBA e Britaninë, bëhet fjalë për dy situata të ndryshme, që janë a) agresioni i çdo lloji, përfshi ose jo këtu edhe përdorimin e armëve bërthamore, sepse ky është një detyrim i qartë edhe në kuadër të Kartës së OKB-së, dhe b) Kërcënimi për agresion, duke përdorur armë bërthamore. Nga ana tjetër, sipas Rusisë, i gjithë Memorandumi në fjalë përshkohet nga një detyrim i vetëm, që është mospërdorimi i armëve bërthamore. Sipas kësaj logjike te Rusisë, meqenëse këto armë nuk janë përdorur gjer më tani, atëherë çështja që shtrohet nuk mbulohet nga Memorandumi i Budapestit, ndaj ato (rusët) e ndjejnë veten të lirë të bëjnë agresion ushtarak. Sigurisht që për të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore një pretendim i tillë është absurd. Megjithatë, edhe në këtë rast, minimalisht është shkelur aspekti i dytë i këtij paragrafi, pasi realisht Rusia ka deklaruar disa herë se në rast nevoje, ajo mund të përdorë “për vetëmbrojtje” edhe armët bërthamore me natyrë taktike, kundër Ukrainës. Sidoqoftë, ajo që duhet ritheksuar me forcë për këtë paragraf, është fakti i qartë i pamundësisë së angazhimit të drejtpërdrejtë të Këshillit të Sigurimit për shkak të vetos së Rusisë, si një prej pesë anëtarëve të përhershëm të këtij mekanizmi që ka për detyrë kryesore garantimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke përdorur për këtë qëllim edhe forcën e armëve. I njëjti arsyetim vlen edhe për paragrafin e pestë, sepse Rusia pretendon se ajo nuk po përdor armë bërthamore dhe se aktualisht, sulmi i saj ushtarak ndaj një vendi sovran bëhet në “kushtet e vetëmbrojtjes”, parashikuar nga Neni 51 i Kartës së OKB-së. Së fundi duhet vënë në dukje se ashtu si në vitin 2014 (pas agresionit rus në Krime), edhe pas agresionit të Shkurtit 2022, duke ju referuar paragrafit të gjashtë të Memorandumit, Ukraina ka tentuar disa herë të ulet në bisedime apo “konsultime” me Rusinë. Ka patur disa zhvillime tepër formale në këtë drejtim, por pa vlerë e pa asnjë rezultat konkret.
Nga sa më sipër, përsërisim se rezulton qartësisht qe Memorandumi i Budapestit i vitit 1994 është momentalisht një dokument formal, i parëndësishëm e pa vlerë. Atij i mungojnë garancitë reale e efektive të sigurisë për Ukrainën. Interesi i Rusisë ka qenë thjeshtë marrja e të gjitha armëve bërthamore që trashëgonte Ukraina në territorin e saj nga ish Bashkimi Sovjetik, si dhe çmilitarizimi bërthamor i këtij shteti fqinj, për ta patur më të lehtë një pushtim të mëvonshëm. Në një plan më të gjerë, të tre Memorandumet e Budapestit, veçanërisht ai për Ukrainën, duhej ti shërbenin thjeshtë politikës së asaj kohe për kontrollin dhe çarmatimin bërthamor. Sepse Memorandumi nuk jep asnjë garanci reale për Ukrainën, në një kohë që nga ana tjetër, angazhimi serioz i OKB-së bëhet i pamundur për shkak të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit. Memorandumi nuk parashikon gjithashtu as mundësinë e ndërhyrjes ushtarake të palëve nënshkruese (konkretisht të ShBA e Britanisë) në rastet e cënimit flagrant të saj, e për më tepër nuk parashikon asnjë gjykatë ndërkombëtare apo mjet tjetër paqësor për zgjidhjen e konflikteve mes shteteve, që do të mund të ndihmonte substancialisht edhe në këtë rast për gjetjen e zgjidhjeve racionale, bazuar në normat e të drejtës ndërkombëtare. Me një fjalë, Memorandumi i Budapestit i vitit 1994 është gjë tjetër veçse një marrëveshje apo deklaratë e përbashkët e shteteve nënshkruese, me natyrë politike dhe pa asnjë garanci ligjore apo institucionale, tipike për periudhën e Luftës së Ftohët. Ajo nuk e ka penguar aspak agresionin rus në Ukrainë.
Pikërisht për këto arsye me të drejtë theksohet se në kushtet e sotme, negociatat aq të dëshirueshme për ti dhënë fund konfliktit të armatosur në Ukrainë duhet të përqendrohen njëkohësisht tek roli më aktiv dhe në mbrojtjen më efektive të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës si dhe në një angazhim substancial të aleancës Perëndimore, me në krye ShBA dhe NATO-n, për të garantuar sa më mirë zbatimin e detyrimeve që mendohet të merren përsipër. Nga ana tjetër, më pas, siguria më e madhe do të jepej përmes integrimit sa më të shpejtë të Ukrainës në proceset europiane dhe euroatlantike, përfshi ose jo këtu anëtarësinë në NATO. Koha e Memorandumit të Budapestit duket qartësisht se është krejtësisht e kapërcyer.
*Autori është ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë