Lulzim Haziri: “Nëse një shtet nuk e lufton korrupsionin, i njëjti krijon skepticizëm tek qytetarët, i gërryen themelet e qeverisjes së mirë, e varfëron qytetarin dhe ua humb shpresat për drejtësi, barazi dhe prosperitet. Partizimi i skajshëm i shtetit, i administratës shtetërore dhe, mbi të gjitha, i gjyqësorit, duket se ‘jep rezultatet e veta’, duke krijuar një shtet me demokraci të brishtë, me mungesë të meritokracisë, me këtë edhe humbjen e shpresës së qytetarëve, veçanërisht të rinjve, për një ambient demokratik dhe me shpresë për prosperitet”.
Shkruan: Gentuar Ismaili
Edhe pse pushteti aktual mendon se është “më demokratik” që nga pavarësimi i vendit, qytetarët janë shprehur ndryshe.
Në disa hulumtime të organizatave jo qeveritare në vend dhe disa raporte ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut përshkruhet herë si “vend hibrid” e herë si “vend jo demokratik”.
Sipas një sondazhi të kryer nga “Eurothink”, gjatë vitit të kaluar del se 61% e qytetarëve mendojnë se Maqedonia e Veriut është vend jo demokratik.
Ndërkohë, sipas hulumtimit të “Ekonomist” mbi indeksin e demokracisë në botë, Maqedonia e Veriut hynë në zonën e vendeve me demokraci funksionale si shtet me “demokraci me mangësi”.
Sipas raportit të fundit të “Freedom House”, del se Maqedonia e Veriut ende është me demokraci të brishtë apo “në regjim hibrid”.
Aktivisti i shoqërisë civile, Lulzim Haziri, vlerëson se janë një sërë shkaqesh që e bëjnë Maqedoninë e Veriut të jetë një vend me mungesë demokracie. Ai e vë theksin te prania e korrupsionit që i gërryen themelet e qeverisjes së mirë, por edhe te partizimi i administratës shtetërore dhe gjyqësorit.
“Nëse një shtet nuk e lufton korrupsionin, i njëjti krijon skepticizëm tek qytetarët, i gërryen themelet e qeverisjes së mirë, e varfëron qytetarin dhe ua humb shpresat për drejtësi, barazi dhe prosperitet. Partizimi i skajshëm i shtetit, i administratës shtetërore dhe, mbi të gjitha, i gjyqësorit, duket se ‘jep rezultatet e veta’, duke krijuar një shtet me demokraci të brishtë, mungesën e meritokracisë, me këtë edhe humbjen e shpresës së qytetarëve, veçanërisht të rinjve, për një ambient demokratik dhe me shpresë për prosperitet. Nëse vazhdohet me politikat e njëjta shtetërore, ku korrupsioni ‘luftohet’ vetëm verbalisht dhe pa ndonjë plan konkret dhe holistik, ku do të përfshiheshin të gjithë faktorët relevant për ta luftuar atë, dhe nga i cili do të fillonin të përgjigjeshin para drejtësisë të gjithë, veçanërisht udhëheqësit e lartë shtetërorë, ky trend i rënies së përqindjes së demokracisë do të vazhdojë edhe në vitet që do të pasojnë”, thekson Haziri.
Haziri thekson se shteti duhet të bëjë reforma rrënjësore për një demokraci të mirëfilltë. Sipas tij, në këtë drejtim nevojitet reformë e gjyqësorit, përfshirë këtu edhe vetingun e gjyqtarëve, departizim i shtetit, konfiskom i pasurisë i të gjithë atyre që e kanë fituar në rrugë të paligjshme, intensifikim i procesit të anëtarësimit në BE, vendosja e sistemit meritor në institucionet e sistemit si dhe reforma rrënjësore në arsim.
Në korrik të vitit 2020 ka qenë hera e fundit kur qytetarët e kanë legjitimuar shumicën parlamentare, por që nga atëherë janë ndërruar kryeministrat dhe po ashtu ka pasur ndryshim të disa funksionarëve qeveritarë.
Edhe pse që nga atëherë ka pasur disa kriza, qytetarët kanë qenë pasiv në kërkim të drejtave të tyre, kurse media ka luajtur rolin e përçuesit të mesazhit të pushtetit.