E premte, 12 Korrik, 2024

‘PSE IKA NGA SHKUPI?’: FLET MJEKJA E RE

Korrupsioni si çelës për të arritur deri te specializimi dhe jo meritat, është ajo që më detyroi të largohem nga Maqedonia e Veriut dhe profesionin si mjeke ta vazhdoj në Gjermani.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Alinda Ramadani-Bina, nga Shkupi, e cila tash e pesë vjet punon si mjeke në Gjermani.

“Për profesionin tim është shumë e vështirë të arrihet diçka atje (në Maqedoninë e Veriut), duke marrë parasysh korrupsionin që është gjatë përfitimit të së drejtës për të specializuar; pagat e ulëta, diskriminimi i cili është evident jo vetëm mbi baza gjinore, po edhe mbi baza nacionale. Këto janë disa nga arsyet që u largova për sa i përket aspektit profesional”.

“Në aspektin social, në vendet e Bashkimit Evropian ka më shumë mundësi për të udhëtuar, për të ushtruar hobi dhe, thjesht, cilësia e jetesës është shumë më e lartë, pra mënyra se si mendoj nuk përputhet me kushtet në Maqedoninë e Veriut”, thotë Ramadani.

Ajo tregon se vetëm viti i parë ka qenë i vështirë për të, pasi është dashur të kompletojë dokumentacionin e nevojshëm dhe njëkohësisht t’u nënshtrohet provimeve plotësuese. Mirëpo, më pas, gjithçka në aspektin e ngritjes profesionale si mjeke ka qenë më e lehtë.

“Aspak nuk ka qenë e vështirë të gjej punë. Punë kam gjetur menjëherë. Në fillim është pak vështirë se është një zinxhir i mbledhjes së dokumentacionit, por unë kisha fat se kisha një kushëri që më ndihmoi që në afat rekord t’i kryeja punët administrative dhe të filloja me punë menjëherë. Por, për sa i përket punës si mjek, ka pafund vende pune. Aktualisht, ku punoj si mjeke në një klinikë këtu në Berlin, jam shumë e kënaqur edhe me ekipin mjekësor, mundësinë që të mësoj nga të tjerët që janë më të avancuar në këtë profesion. Ekipi, njëri me tjetrin, janë shumë të afërt dhe gjithmonë të gatshëm për ndihmë kur duhet”, tregon ajo.

Autoritetet zyrtare të vendit nuk japin të dhëna se sa është numri i mjekëve që janë larguar nga Maqedonia e Veriut.

Përderisa kryetari i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë së Veriut, Goran Dimitrov, tha se gjatë 10 vjetëve të fundit nga vendi janë larguar rreth dy mijë mjekë.

Ai theksoi se para dhjetë vjetëve shoqata që drejton ka pasur 7.400 mjekë, ndërsa tani numëron vetëm 5.400 mjekë.

Çka i dëbon mjekët nga Maqedonia e Veriut?

Problemet e shumta administrative që pamundësojnë specializimin e mjekëve të rinj mbeten ndër arsyet kryesore që mjekët e posadiplomuar vendosin të largohen nga vendi, thonë nga Asociacioni i mjekëve të rinj në Maqedoninë e Veriut.

“Jo gjithmonë pagat paraqesin problem, pasi jemi të vetëdijshëm se ku jetojmë dhe punojmë. Por, në parim, për pjesën më të madhe të kolegëve problem paraqet përballja me nepotizmin, ndërhyrjen e politikës dhe partizimin e institucioneve shëndetësore – kjo e bën të vështirë luftën për të marrë pozicionin që u takon. Pra, problem parësor mbetet punësimi i mjekëve, përkatësisht vlerësimi i mundit të mjekëve. Pastaj problem paraqitet çështja e specializimeve, kushteve për punë dhe çështje të tjera – kjo është ajo që i dëbon mjekët nga Maqedonia e Veriut”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Bojan Trajkovski nga Asociacioni i mjekëve të rinj në Maqedoninë e Veriut.

Ai shton se largimi i mjekëve nga vendi ka vënë në pikëpyetje edhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore:

“Për të qenë funksional sistemi shëndetësor, duhet të kemi 3 – 3.5 mjekë në 1.000 banorë, ndërkohë të dhënat tregojnë se ne aktualisht kemi 2.9 – 2.8 mjekë dhe këto shifra tregojnë qartë se kemi problem”.

Trajkovski shton se problemi me mungesën e mjekëve do të jetë edhe më i madh pas pensionimit të një plejade të mjekëve specialistë, të cilët gjatë gjashtë viteve do të shkojnë në pension dhe nuk ka kuadër i cili është në përgatitje e sipër për t’i zëvendësuar ata.

Ministria e Shëndetësisë e hedh fajin te qeverisja e kaluar

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Bekim Sali, të mërkurën është arsyetuar se largimi mjekëve ka ndodhur gjatë qeverisjes së kaluar.

“Tani trendi i largimit të mjekëve është zvogëluar dhe dita-ditës po zvogëlohet, pasi kemi marrë masa konkrete lidhur me kushtet e punës, modernizimin e pajisjeve mjekësore, avancimin e stafit mjekësor, si dhe edukimin e vazhdueshëm të mjekëve, etj. Trendi i lëvizjeve demografike nuk ka ndaluar ende, pasi e shohim se në bazë të regjistrimit të fundit ka zvogëlim të numrit të banorëve, derisa në disa rajone të tjera kemi rritje të numrit të banorëve. Ky është një trend i zhvillimeve të ndryshme ekonomike dhe avantazheve që ofrojnë qendrat më të zhvilluara”, ka thënë Sali.

Ai ka theksuar se dikasteri që drejton mbetet i angazhuar në përmirësimin e kushteve për punë për mjekët dhe lehtësimin e procedurave për specializim të mjekëve të rinj në lëmi të ndryshme.

“Ne, si Ministri e Shëndetësisë, jemi në komunikim të vazhdueshëm me Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, Shtip dhe në Tetovë dhe për të krijuar kuadro më tepër ne kemi punuar vazhdimisht në koordinim me të tria këto fakultete për të rritur kapacitetin e këtyre fakulteteve. Sa i përket specializimeve, kemi mundësuar specializimin e mjekëve edhe në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, për të krijuar kapacitete të reja, mjekë të rinj specialistë në tetë lëmi të ndryshme”, ka theksuar ai.

Ministri Sali ka thënë se, aktualisht, më problematike mbetet mungesa infermiereve në institucionet shëndetësore.

“Sa i përket numrit të mjekëve ne nuk ngecim shumë mbrapa, pra jemi afër, në përputhje me strategjinë kombëtare që kemi, megjithëse nuk mund të flas tani me numra konkretë. Më tepër ngecim në aspektin e infermiereve. Infermieret, realisht, duhet të jenë në numër dyfish më të madh nga ajo që disponojmë aktualisht”, ka deklaruar Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Por, ish-ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, nga radhët e VMRO DPMNE-së, parti kjo që tani është në opozitë, në vazhdimësi ka theksuar se një faktor negativ për sa i përket largimit të mjekëve të rinj është ndalimi i projektit të trajnimit për mjekët e rinj në qendrat më të mira mjekësore në botë.

Ai konsideron se mjekët largohen nga vendi edhe për shkak të kushteve të këqija për punë si rrjedhojë e mosndërtimit të qendrave spitalore.

Gjatë këtij viti akademik 2022 /2023 në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” të Shkupit, janë regjistruar 200 studentë, në atë të Shtipit, “Goce Delçev” 160 studentë dhe në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, 120 studentë.

Në bazë të të dhënave nga Ministria e Arsimit që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia vetëm gjatë 10 vjetëve të fundit në këtë dikaster janë nostrifikuar diplomat e 400 mjekëve të diplomuar.

Nga Oda e Mjekëve bëjnë të ditur se rreth 12 për qind e mjekëve të licencuar kanë migruar, përqindje kjo që vazhdimisht është në rritje.

Mjekët e Maqedonisë së Veriut kryesisht migrojnë në Gjermani, Slloveni, Zvicër etj.
Mungesa e mjekëve ka bërë që shumë qendra spitalore të vendit të mos mund të hospitalizojnë pacientë, duke i orientuar ata në Klinikën e Shkupit, e cila është e mbipopulluar me pacientë.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, për të caktuar një termin për kontroll te mjekët specialistë në sistemin elektronik “Termini im”, janë të detyruar të presin me muaj.

Të fundit