E hënë, 16 Qershor, 2025

BE ME 100 MILIONË EURO NDIHMË, NJË LEHTËSIM PËR PËRABALLJEN ME KRIZËN EKONOMIKE

Në kohë e një krize në të gjitha sferat e jetës së qytetarëve dhe sidomos krizës energjetike, Bashkimi Evropian i ka akorduar Maqedonisë së Veriut një ndihmë prej 100 milionë euro, mjete këto që do të shërbejnë për përkrahje të qëndrueshmërisë fiskale, politikës tatimore si dhe investimeve publike. Mjetet do të jenë të disponueshme pasi që propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së. Kjo ndihmë shihet si një mundësi për të përballuar vështirësitë e shumta që vijnë nga kriza ekonomike.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Bashkimi Evropian do t’i akordojë 100 milionë euro Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u ballafaquar me pasojat e krizës energjetike. Komisioni Evropian dha propozimin për sigurimin e këtyre mjeteve për vendin përmes pakos së përkrahjes makrofinanciare të vendosur gjatë krizës së kovidit.

Ndihma e propozuar do të kntribuojë në mbulimin e nevojave financiare të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm, duke përkrahur qëndrueshmërinë fiskale dhe reformat strukturore të orientuara në fushën e menaxhimit fiskal, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partneriteteve publike dhe private, mjedisi afarist, transaprencës në ndihmën shtetërore, energjetikës, efikasitetit, reformave në gjyqësor, si dhe luftës kundër korrupsionit.

“Kjo do të thotë përkrahje nga BE-ja për vendin tonë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, përkrahje për reformat dhe më e rëndësishmja përkrahje për politikat në kohë krizë. Kjo vjen si konfirmime e asaj që kemi ndërmarrë, pasi paraprakisht ishte konfirmuar nga institucionet financiare ndërkombëtare”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ndihma do të paguhet në dy transhe dhe është plotësimi i Instrumentit të Përkujdesjes dhe Likuiditetit të aprovuar më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Mjetet do të jenë të disponueshme pasi që propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së.

Bëhet fjalë për mjetet nga pakoja që KE-ja vendosi gjatë krizës së Covidit. Në vitin 2020 dhe 2021, Republika e Maqedonisë shfrytëzoi 160 milion euro përkrahje makrofinanciare nga BE-ja për ballafaqimin me pasojat ekonomike të koronavirusit.

Rikujtojmë se korona virusi ka sjellë shumë pasoja në vendin tonë siç janë mbyllja e shkollave në të gjitha vendet, rritje e enorme e çmimeve dhe bashkë me këtë edhe gjendje e rënduar ekonomike e qytetarëve. Pikërisht këto pasoja mbeten një sfidë e vërtetë për institucionet e shtetit, ndërkohë që kjo ndihmë shihet si një mundësi për ta tejkaluar këtë situatë të vështirë ekonomike për qytetarët.

Të fundit