E premte, 12 Korrik, 2024

ARSYEJA/ PSE QËNDRON FOTOJA E RUGOVËS NË HOLLIN E PARLAMENTIT EUROPIAN

Në pritjen e bërë nga kryetarja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola me rastin e vizitës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy ra në sy një detaj i veçantë. Në një nga fotot u pa në sfond edhe fotoja e ish-Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova në hollin e këtij institucioni.

Për shumë nga komentuesit në rrjetet sociale kishte habi për këtë foto të Rugovës. Profesori Blerim Latifi shpjegon se në atë mur janë të vendosura fotot e laureatëve të Çmimit “Saharov”.

Ky çmimi jepet për lirinë e mendimit dhe është pagëzuar me emrin e disidentit dhe shkencëtarit nga ish-Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Çmimi Saharov jepet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.
Latifi thotë se të njëjtin nderim, përveç Rugovës e ka fituar edhe një shqiptar tjetër i cili është Adem Demaçi.

“Të gjithë laureatët e Çmimit “Saharov”, të cilin e jep Parlamenti Europian, i kanë fotografitë e vendosura në një hapësirë që i dedikohet pikërisht këtij çmimi. Teksa në këtë pamje të çastit fotografia e Rugovës qëndron prapa Zelenskit dhe kryetarës së Parlamentit Europian, në murin përballë tyre qëndron fotografia e një shqiptari tjetër të madh, i cili e ka marrë këtë çmim shtatë vjet para Rugovës. Fotografia e Adem Demaçit” – shkroi Latifi./lapsi

Të fundit