E enjte, 25 Prill, 2024

UKRAINA NË PRAG TË DYVJETORIT TË LUFTËS KUNDËR RUSISË

Përderisa Kievi pohon se rusët po përgatisin një ofensivë të re të madhe për të shënuar përvjetorin e fillimit të pushtimit më 24 shkurt, ekspertët dhe qarqet perëndimore të inteligjencës vlerësojnë se ushtria ruse nuk ka forcë dhe furnizime të mjaftueshme për përparime të rëndësishme. Eksperti i Qendrës Amerikane për Analiza Detare Michael Kofman ka paralajmëruar se ofensiva ruse do të kufizohet në territoret e rajoneve Donetsk dhe Lugansk. “Rusia nuk ka forcë të mjaftueshme për më shumë”,- transmeton kdp.mk deklaratën e Kofmanit për BBC-në.

Ndërkaq, sipas një analize të Zërit të Amerikës, invadimi rus në Ukrainë po hy në vitin e dytë, ndërkohë që Moska po përçapet të sigurojë epërsi, kurse Kievi  është në pritje të tankeve perëndimore për një kundërofensivë.

Pasi Rusia dështoi të pushtonte kryeqytetin ukrainas vitin e kaluar dhe humbi territorin në gjysmën e dytë të vitit 2022, ajo tani po përdor plotësisht qindra mijëra ushtarët e rekrutuar në mobilizimin e parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas Kievit dhe vendeve perëndimore, Rusia ka dërguar gjatë javëve të kaluara një numër të madh ushtarësh dhe mercenarësh në Ukrainën lindore me shpresën për të pushtuar territor të ri në përvjetorin e invadimit më 24 shkurt.

Forcat ruse gjatë javëve të shkuara arritën sukseset e tyre të para në gjysmë viti. Megjithatë, përparimi është gradual dhe Moska akoma nuk ka vënë nën kontroll asnjë qendër të madhe urbane gjatë fushatës ushtarake dimërore, pavarësisht nga viktimat e mëdha.

Luftimet kanë vazhduar për muaj të tërë rreth Bakhmutit në rajonin e Donetskut – një qytet ky ku para lufte jetonin rreth 75.000. Trupat ruse e kanë rrethuar atë nga veriu dhe jugu, por Kievi thotë se njësitë e tij vazhdojnë të rezistojnë. Moska po sulmon gjithashtu Vuledarin, i cili ndodhet në një udhëkryq kyç midis frontit lindor dhe atij jugor.

Që nga viti i ri, vendet perëndimore i kanë premtuar Ukrainës qindra tanke dhe autoblinda në mënyrë që të çajë linjat ruse dhe të rimarrë territoret e pushtuara.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius vizitoi Kievin të martën, ku njoftoi se rreth 80 tanke Leopard1 do të dërgohen në Ukrainë këtë vit dhe rreth 100 të tjera në vitin 2024.

“Admiroj përpjekjet tuaja, sa shpejt ju dhe bashkëluftëtarët tuaj mësuat të përdorni sistemet tona të armëve. Ishte shumë shpejt dhe në këtë mënyrë ju do t’i përdorni ato në mënyrë efektive në mbrojtje kundër agresorëve rusë,”- tha Pistorius në një konferencë shtypi me kolegun e tij ukrainas, Oleksi Reznikov. Së bashku me Gjermaninë, tanke kanë premtuar edhe Danimarka dhe Holanda.

Paketa e re e ndihmës amerikane pritet të përfshijë raketa me rreze të largët veprimi që do t’i mundësojnë Ukrainës të godasë zinxhirët rusë të furnizimit në të gjitha territoret e pushtuara, përfshirë  këtu edhe pjesë të gadishullit të Krimesë.

Mirëpo, do të duhen muaj që ato të mbërrijnë, ndërkohë që Ukraina përballet me forca të reja ruse. Moska thekson se rezervat perëndimore të armëve vetëm se do të zgjerojnë dhe vazhdojnë konfliktin.

“SHBA-ja dhe aleatët e saj po përpiqen të zgjasin sa më shumë konfliktin. Për ta bërë këtë, ata kanë filluar të dërgojnë armë të rënda ofensive dhe po e ftojnë haptazi Ukrainën që të pushtojë territorin tonë. Në fakt, lëvizjet e këtilla po i tërheqin vendet e NATO-s në konflikt dhe mund të sjellin një nivel të paparashikueshëm të përshkallëzimit”, – tha të martën ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Fraza “territoret tona” duket se, sipas të gjitha gjasave, iu referohet katër rajoneve të Ukrainës që Rusia pohon se i ka aneksuar vitin e kaluar, si dhe Krimesë, të cilën e pushtoi më 2014.

Në një raport të rregullt për luftën në Ukrainë, Ministria Britanike e Mbrojtjes kumtoi se që nga fillimi i janarit, Rusia po mundohet të rifillojë një ofensivë të madhe dhe të vë nën kontroll pjesë të Donjeckut nën kontrollin ukrainas, por se deri tani nuk ka arritur shumë..

Rusëve “u mungojnë municione dhe njësi manovrimi, të nevojshme për një ofensivë të suksesshme,” – thuhet në raport.

“Udhëheqësit rusë me siguri do të vazhdojnë të kërkojnë përfitime të mëdha. Vazhdon të jetë pak e besueshme se Rusia mund të grumbullojë forcat e nevojshme për të ndikuar ndjeshëm në epilogun e luftës gjatë javëve të ardhshme,”- thekson ministria britanike.

Zyrtarët ukrainas thonë se Moska gjatë javëve të ardhshme mund të grumbullojë armë dhe rezerva për një ofensivë edhe më të madhe. Guvernatori ukrainas i Luhanskut parashikoi fillimin e ofensivës së madhe ruse më 15 shkurt./kdp.mk/

Të fundit