E hënë, 21 Prill, 2025

NDIHMË E GJITHANSHME PËR POPULLIN TURK DHE SIRIAN

Institucionet dhe komunat janë mobilizuar për të ndihmuar rajonet e prekura nga tërmeti i ditës së hënë. Përveç ndihmës financiare, komunat kanë dërguar menjëherë edhe ekipe të kërkim-shpëtimit. Një solidarizim i gjithanshëm që është përcjellë edhe me hapjen e pikave për grumbullimin e ndihmave nga qytetarët për rajonet që pësuan nga tërmeti katastrofal.  

Shkruan: Enis Shaqiri

Republika e Turqisë që aktualisht po ballafaqohet me një situatë emergjente dhe apokaliptike për shkak të tërmetit që goditi qytetin Kahramanmaras dhe disa qytete në juglindje, si dhe një pjesë të Sirisë, me një magnitude 7.7 ballë, ka bërë që Republika e Maqedonisë së Veriut së bashku me komunat dhe institucionet të shpreh gatishmërinë për të ndihmuar në të gjitha aspektet.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e jashtëzakonshme më 6 shkurt, miratoi vendimin për ndarjen e 6 milionë denarëve ndihmë financiare, 10.000 batanijeve dhe 200 lese mjekësore, ndërsa komunat dhe institucionet me vetë-iniciativë kanë nisur ndihma dhe fushata solidarizuese për mbledhjen e rrobave dimërore dhe pajisjeve tjera shtëpiake, që do të dërgohen për të mbijetuarit nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

Nga Komuna e Zhelinës bëjnë të ditur për KDP-në se “është thirrur mbledhja emergjente e shtabit të krizës, ku nga kjo mbledhje është dalë në konkluzion për aktivizimin e shtabit për daljen në ndihmë të dëmtuarve nga rasti i tërmetit në Turqi dhe Siri duke u organizuar çdo ditë pune nga ora 08:00-16:00. ”

Njëjtë edhe Komuna e Tetovës shpalli seancë të jashtëzakonshme si pasojë e tërmetit në Turqi dhe Siri, ku edhe ndau mjete në vlerë prej 1 milion denarëve, duke dërguar edhe një grup zjarrfikësish për fatkeqësi natyrore drejt Turqisë.

Në shenjë solidarizimi dhe mbështetje, një grup prej 9 zjarrfikësish të licencuar për fatkeqësi natyrore nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë janë nisur për në Juglindje të Türkiye në ndihmë të popullit turk”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar se do të formohen edhe disa pika grumbullimi, ku qytetarët sipas vullnetit do të mund të ndihmojnë qytetarët turk dhe sirian me veshmbathje dhe gjësende të ndryshme. Ndërkohë, Komuna e Tetovës ka hapur edhe një xhirollogari të veçantë, ku qytetarët të cilët kanë mundësi mund të ndihmojnë edhe me mjete financiare.

Komuna e Gostivarit, si pasojë e tërmetit ka nisur drejtë Turqisë tetë zjarrfikës që do t`u ndihmojnë autoriteteve turke.

Kreu i kësaj komune Arben Taravari tha se ekipi i zjarrfikësve me vete do të marrë edhe ndihma tjera humanitare.

Një ekip i licencuar i kërkim-shpëtimit nga Komuna e Gostivarit i përbërë prej 8 personash, u nis sot për t’ju dalë në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti në Turqinë Juglindore, te cilët morën me vete edhe një pjesë ndihmash humanitare të donuara nga Kompania “Almero”. I falënderoj për gatishmërinë heronjtë e qytetit tim dhe ju uroj rrugë të mbarë dhe përmbushje të misionit me nder dhe profesionalizëm”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, sot njoftoi se janë ndarë mjete në vlerë prej 1.000.000 denarëve që do të shpërndahen në dy shtetet e prekura nga tërmeti.

Mjetet në vlerë prej 1.000.000 denarë do të shpërndahen në të dyja shtetet, gjegjësisht nga 500.000 denarë, të dedikuar për popullatën e prekur nga tërmeti i 6 shkurtit. Komuna e Kumanovës në frymën e humanizmit dhe solidaritetit do të vazhdojë të ndihmojë të gjithë popujt dhe shtetet në moment të tilla dhe jashtëzakonisht të vështira”, tha Maksim Dimitrievski

Dimitrievski mes tjerash njoftoi se pesë zjarfikës nga kjo komunë do të nisen drejtë Turqisë për të ndihmuar rajonin e prekur nga tërmeti, gjegjësishtë pjesën në juglindje.

Nismës iu është bashkangjitur edhe Këshilli i Qytetit të Shkupit, ku sot mori vendim për dhënien e ndihmës financiare në vlerë prej 6 milionë denarëve për zonat e prekura nga tërmeti

Mjetet do të paguhen përmes llogarisë së ndihmës humanitare të Kryqit të Kuq të Maqedonisë dhe sigurohen nga mjetet për shpenzime të paparashikuara të buxhetit të bashkisë”.

Deri më tani, në llogarinë e Kryqit të Kuq janë mbledhur 10 milionë denarë donacione, ku prej tyre, 3,3 milionë denarë janë grumbulluar vetëm në linjën telefonike 143 400.

Bashkia e Shkupit gjatë ditës së djeshme ka dërguar edhe një ekip intervenues të zjarrfikësve për të ndihmuar në misionin e shpëtimit në Gaziantep, dhe ndërkohë jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet lokale dhe jemi në dispozicion për të gjitha kërkesat që mund të lindin në kuadër të operacionit të shpëtimit”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Ndërsa sot Qeveria, me sugjerim të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim mori vendim që të dërgojë ndihmë shtesë në Turqi.

Është miratuar vendim, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, që të dërgohen 36 pjesëtarë shtesë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut – Batalioni për Operacione Speciale, për të marrë pjesë në një operacion humanitar në Republikën e Turqisë. Gjithashtu u miratua vendim për dërgimin e 32 personave tjerë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim – pjesëtarë të Forcave Republikane për Mbrojtje dhe Shpëtim, për të marrë pjesë në ofrimin e ndihmës për Republikën e Turqisë në sanimin e pasojave të tërmetit. Sipas informacioneve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, janë dërguar pajisje komplete të specializuara dhe mjete materialo-teknike për kërkim-shpëtim nga rrënojat, 10 automjete për transportin e pajisjeve dhe njerëzve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kujtojmë se në mbledhjen e fundit të Qeverisë, janë obliguar të gjitha ministritë që në kuadër të kompetencave të tyre të ndërmarrin aktivitete për të ndihmuar Turqinë.

Të fundit