E enjte, 25 Prill, 2024

IKU LEGJENDA ČIRO BLAŽEVIĆ

Filozofi i futbollit – njeriu i Prishtinës me shall të bardhë! Ai erdhi si trajner në Prishtinë me 1985 nga Graschopper i Zürich-it, klub që e drejtoi nga 1983–1985.

Shkruan: Halil Matoshi

1.
Në dimnin e shtirë të Vitit 1984 Prishtina âsht n’tetik me ra p’ej Ligës së parë të ish Jugosllavisë.
Me mbetë n’atë dreq lige ishte vetkonfirmim identitar, status dhe patriotizëm.
Njerëzit e Prishtinës e kontaktojnë Miroslav Čiro Blažević-in, kroatin e lemë në Travnik, tue e menu si pshtim!
Dhe ndodh mrekullia.
Čiro e shpëton Prishtinën.
Me ekipin e primë nga legjenda Fadil Vokrri, Batrović-i, Fadil Muriqi me shokë.
Tjerat janë histori.
2.
“Para nji ndeshje isha tue përgatit skuadrën, ua mbajta nji fjalim të rrezikshëm, për randësinë historike që kishte kjo ndeshje për kombin e tyne, kur turravrap më vjen politikani kosovar Azem Vllasi e më thotë: “Shef, po e shpërthejnë stadionin. Përreth tij janë 35 mijë vetë, të gjithë duen me hy!”
3.
Ndonëse katër vjet mas demostratave të vitit 1981, fushata e egër e arrestimeve dhe dënimet me burgim të rândë, të rinisë kosovare vazhdonte me hov.
Dhe shqiptarēt, demonstronin tashti në nji dimension tjetër identitetin e tyne të mohuem, tue manifestu homogjenizimin kombëtar.
Ishte kjo betejë jo vetëm në fushën e blertë, por spari politike.
Dhe kjo betejë u fitue.
4.
Dhe, rrfen Čiro qysh u bâ hero i Prishtinës: “Qebaptorët me sillnin qebapa të nxetë, gratë më qitshin pite, artarët më praronin me dukat…
5.
Në profilin e tij në Facebook ai pati shkru historinë e dashtunisë së tij me Prishtinën dhe në koment (16 mars, 2022) i thash se – përmes futbollit dhe përtej tij – Čiro ishte edhe nji mësues i kosovarëve së si luftohet për liri.
“Miroslav Čiro Blažević, filozofi i madh i futbollit, në kontekstin kosovar âsht nji shtetformues, që ua ka mësu kosovarëve lekcionin e flijimit për Atdhe dhe besnikninë për kombin.
Čiro ishte Hero – në rrugën e kosovarëve për liri!
Falemneres Maestro”
Dhe, Čiro i kujdesshëm e i përkushtuem, edhe pse i shtymë në moshë, jepte përgjigje në të gjitha komentet e shqiptarëve kosovarë.
“I jèmi Halil, çdo gjâ e ke me vènd. Falë me sh’net nga Čiro yt!” – shkruajti trajneri legjendar i Prishtinës së viteve të zgjimit kombëtar!
6.
Čiro ishte shumë i lexueshëm në filozofi. Ishte filozof.
Në intervistën dhânë Rene Bakalović-it, “trajneri i të gjithë trajnerëve” në revistën “Start” të Zagrebit, botue në tetor 1981, në pyetjen se si e shikonte etikën sportive kur idoli juej âsht Nietzsche, një filozof me pikëpamje specifike të moralit,
Blažević përgjegjet:
“Nuk mund të marrësh gjithçka nga Nietzsche. Dhe ai, si filozofët e tjerë, âsht nji utopist në një farë mënyre. I mora vetëm atë që e konsiderojsha pozitive, që më duhej për të krijuar një shpirt luftarak fanatik: siç i rezistoi ai në mënyrë agresive moralit tradicional, ashtu edhe unë u rezistoj anëve negative të mentalitetit tradicional në Dinamo.”

Tung Mjeshtër!

P.S.

Miroslav “Ćiro” Blažević (10 shkurt 1935 – 8 shkurt 2023) ishte një menaxher dhe lojtar profesionist kroat i futbollit. Karriera e tij profesioniste e lojës zgjati nga viti 1954 – 1966, gjatë së cilës ai luajti për Dinamo Zagreb, Lokomotiva Zagreb, FK Sarajevo, HNK Rijeka dhe klubet zvicerane FC Sion dhe FC Moutier.
* Blažević me kombëtaren kroate fitoi medalën e bronztë, në Kupën e botës në Francë, 1998.

Të fundit