“United Group”, një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve të telekomunikacionit dhe medias në Evropën Juglindore, që përbëhet nga Nova, Total TV, Telemach, SBB dhe platforma të tjera rajonale të telekomunikacionit, ka firmosur të martën në Bruksel Deklaratën e përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perendimor për roamingun në një takim të operatorëve të telekomunikacionit nga BE dhe rajoni i organizuar nga Komisioni Evropian dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal. Sikurse njofton kdpolitik.com, “United Group” i bashkohet kështu nismës që nga një tetori i këtij viti do të çojë në uljen e çmimeve të transferimit të të dhënave në roaming midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Më vjen mirë që po shoh se edhe operatorë të tjerë të telekomunikacionit po i bashkohen Deklaratës për Roaming të nënshkruar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, për shkak se kjo është një iniciativë për realizimin e së cilës po punojmë me Komisionin Evropian dhe e cila do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e rajonit tonë, por edhe për qytetarët e BE-së. Ne po punojmë pa pra që sa më shumë operatorë të telekomunikimit t’i bashkohen kësaj nisme. Të gjithë ne na pret shumë punë, por presim me padurim tetorin e këtij viti”, – tha Sekretarja Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu.
Duke vazhduar regjimin e suksesshëm të roamingut si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, operatorët e telekomit nga BE dhe rajoni në samitin BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë nënshkruan Deklaratën e Roamingut, duke mundësuar kështu uljen e çmimeve të transmetimit të të dhënave në roaming midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perendimor nga një tetori i këtij viti. Deklarata është rezultat i angazhimit të fuqishëm të operatorëve të telekomunikacionit nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, si dhe i mbështetjes nga Komisioni Evropian, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe autoriteteve rajonale, dhe është në përputhje me Planin e Veprimit për tregun e përbashkët rajonal.