E hënë, 28 Prill, 2025

POPULIZMI DHE LUFTA

Urrejtja ndaj pakicave është një armë e fuqishme politike. Pas Joseph Goebbelsit, pak kush e ka përdorur në mënyrë kaq efikase. Epërsia e madhe e populistëve qëndron në faktin se ujdia e tyre me votuesit është fluide. Nëse baza e tyre politike bie nën ndikimin e narratives së re ose adopton një objektiv të ri ideologjik, ata thjesht do të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe do të pohojnë se ishin të parët që e përfaqësuan atë. Kushdo që vë në dukje këtë kontradiktë është pjesëtar i “elitës mediatike gënjeshtare dhe të korruptuar”. Lufta në Ukrainë është një shembull i mirë.

Shkruan: Nina L. KHRUSHCHEVA*

Rusia mbase mund të mos jetë më shoqëri totalitare e sunduar nga stërgjyshi im Nikita Hrushovi para gjashtë dekadash, ama totalitarizmi mbeti në ADN-në e saj. Kremlini vazhdon të shpikë realitetin e tij, sado absurd apo i pamundur të jetë ai, dhe kërkon që njerëzit të besojnë në të.

“Operacioni special ushtarak” i Presidentit Vladimir Putin në Rusi 2022 figuron si vendosje e paqes, njësoj si lufta është paqja në Oqeaninë e Orwellit 1984. Pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar nuk shkaktoi shqetësimin e  klasës së mesme urbane të Rusisë, e cila vazhdoi të argëtohej sikur të jetë 2004-ta – viti kur bumi ekonomik i Putinit ishte në kulmin e tij, falë naftës dhe gazit – ndërsa tanket ruse po hynin në Çeçeni.

Ishte e vështirë të shikoje paqen e rreme surreale në Rusi gjatë gjasahtë muajve të parë të pushtimit. Ndërsa Ukraina – atdheu i pjesës më të madhe të familjes sime dhe një vend me bukuri të jashtëzakonshme – u bombardua pa mëshirë, kryeqyteti i saj i rrethuar, ndërsa qytetarët e saj u detyruan tëbraktisnin shtëpitë e tyre, qoftë të gjejnë strehim  jashtë vendit ose të luftojnë për vendin e tyre, qytetarët rusë hiqeshin sikur nuk po ndodhte asgjë.

Sanksionet prekën deri – diku banorët e Moskës dhe Shën Petersburgut. Mallrat e importuara u zhdukën nga raftet dhe shumë biznese perëndimore u larguan nga Rusia, por qytetarët rusë kanë ende mjaft gjëra të fituara gjatë dekadave pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Lufta për ta është diku tjetër. Dhuna që ndodh në fqinjësi është shumë triviale, ose ndoshta shumë e rëndësishme, që ata të mendojnë shumë për të. Putini le të kujdeset për të, siç kujdeset për gjithçka. Ata nuk shohin të keqen, nuk dëgjojnë të keqe, nuk flasin asgjë.

Që njerëzit nga Perëndimi të mos ndjehen superiorë, le të kujtojmë se shoqëritë perëndimore në hutueshmerinë e ngjashme konsumeriste fjetën konflikte, krime dhe turpësi të panumërta të kryera brenda dhe jashtë vendit. Shumë votues në demokracitë perëndimore me liderët e vet me kënaqësi bëjnë pazare moralisht të falimentuara të ngjashme me këtë në Rusi.

Shumica e amerikanëve nuk i rezistoi asaj ndërsa Donald Trump gënjente, bënte deklarata raciste dhe antisemite, zgjeroi punët e tij dhe korruptoi Ministrinë e Drejtësisë. Në fund, mezi u shpërngul nga Shtëpia e Bardhë. Komisioni i Dhomës  Përfaqësuese po heton përfshirjen e tij në trazirat e gjashtë janarit 2021 në Kapitol.

Por Trump ruajti mbështetjen e fortë nga një pjesë e madhe e amerikanëve, duke përfshirë edhe udhëheqjen e Partisë Republikane. Arsyeja është e thjeshtë: Emëroi tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë të krahut të djathtë (të cilët anulojnë  precedentët, duke përfshirë edhe vendimin gjysmë shekulli të vjetër për legalizimin e abortit), derregulloi legjislacionin në interes të biznesit dhe uli taksat për të pasurit.

Edhe britanikët lejuan që ish-kryeministri Boris Johnson të mos përgjigjej për kontratat fitimprurëse që shteti lidhi me miqtë e tij dhe për anashkalimin e parlamentit gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme. Për shumëkënd me rëndësi ishte vetëm Brexiti.

Në Poloni, qeveria e Partisë Ligj dhe Drejtësi e Jaroslav Kaczynski-t nënshtroi gjyqësorin dhe shumicën e mediave, ndërkohë që me subvencione goxha të mëdha bleu mbështetjen nënshtruese të votuesve ruralë dhe të varfër.

Karakteri transaksional i qeverisjes është gjithnjë e më i theksuar në shoqëritë perëndimore – të cilat po anojnë gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit. Votat tona i japim për të përparuar interesat dhe vlerat e fisit tonë e jo për të mirën e vendit tonë ose të botës. Në këmbim të plotësimit të kërkesave të votuesve – financiare, fetare, ideologjike apo të disa të tjerave – liderët marrin lejen tonë për të shkelur normat etike dhe parimet e demokracisë.

Njerëz si Trumpi dhe Putini e kuptojnë frymën e kohës, kënaqin dëshirat materialiste të njerëzve dhe ushqejnë frikën e tyre. Trumpi demonizoi emigrantët latino-amerikanë, ndërsa Putinit i shërbeu ekzistimi i njerëzve transgjinorë dhe jobinarë si justifikim për luftën kundër Ukrainës, për të cilën ai pretendon se është një rezistencë e domosdoshme ndaj “diktaturës së elitave perëndimore” që kanë hequr dorë nga “besimi i krishterë dhe vlerat tradicionale”.

Urrejtja ndaj pakicave është një armë e fuqishme politike. Pas Joseph Goebbelsit, pak kush e ka përdorur në mënyrë kaq efikase.

Epërsia e madhe e populistëve qëndron në faktin se ujdia e tyre me votuesit është fluide. Nëse baza e tyre politike bie nën ndikimin e narratives së re ose adopton një objektiv të ri ideologjik, ata thjesht do të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe do të pohojnë se ishin të parët që e përfaqësuan atë. Kushdo që vë në dukje këtë kontradiktë është pjesëtar i “elitës mediatike gënjeshtare dhe të korruptuar”.

Lufta në Ukrainë është një shembull i mirë. Në fillim, loajalistët e Trumpit që anonin nga Putini – me përjashtim të disa komentatorëve të Fox News-it, si Tucker Carlson, kryesisht heshtën. Trump megjithatë njoftoi se kundërshton pushtimin rus, i vetëdijshëm se shumica e amerikanëve e konsiderojnë atë një akt barbar.

Sot, amerikanët ende lavdërojnë heroizmin e ukrainasve, por ata nuk janë më aq të gatshëm  për t’i ndihmuar. Shumë republikanë tani thonë se ndihma amerikane për Ukrainën po kushton shumë. Slogani i Trump “Amerika në vend të parë” – që në fakt do të thotë “Vetëm Amerika” – vazhdon të jetë tërheqës.

Duket se klasa e mesme ruse më në fund po zgjohet nga gjumi i saj moral në lidhje me Ukrainën, dhe kjo është për shkak të kërcënimit real që bijtë, baballarët dhe vëllezërit e tyre të rekrutohen, dhe jo për shkak të vuajtjeve të ukrainasve. Por kjo nuk do të jetë shumë e dobishme nëse  numri i madh i republikanëve amerikanë refuzon mbështetjen për Ukrainën.

Kontrata shoqërore nënkupton marrëveshjen e të gjithë anëtarëve të shoqërisë për t’iu përmbajtur rregullave dhe normave të caktuara në këmbim të përfitimit të përbashkët. Por populistët preferojnë më shumë një ujdi të bazuar në përjashtim dhe tribalizëm, për çka edhe e zgjedhin Putinin si shembëlltyrë të vet.

Mbase disa i habitë kjo që Putini i njohu mundësitë e modelit të tillë të  pushtetit, sepse ai nuk ështëkurrfarë gjiganti intelektual. Nuk është as Trump. Ndoshta ky është aspekti më tinëzar i kontratës populiste shoqërore nën të cilën jeton sot shumëkush prej nesh: ai nuk bazohet në ide të thella, por në frikë, poshtërim dhe tjetërsim. Kjo është baza e çdo tiranie dhe parakusht i çdo lufte pushtuese.

*Shkrimi është marrë nga portali: pescanik.net. Përktheu KDP

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit