E shtunë, 14 Qershor, 2025

BALLKANIZIMI

Nuk dihet nëse procesi i integrimit të Ballkanit në BE do të sjellë evropianizimin e rajonit apo ballkanizimin e Evropës.

Shkruan: Xhelal Neziri

Në përgjithësi, vendet dhe popujt e Ballkanit kanë një qëndrim selektiv ndaj integrimit në Bashkimin Evropian (BE): ata duan të jenë pjesë e Unionit vetëm për shkak të përfitimeve që sjell anëtarësimi në formën e pagave të larta, një standardi solid të jetesës, të shtetit ligjor, të arsimit cilësor etj. Por problemet lindin kur vlerat evropiane, si demokracia, liria, barazia dhe dinjiteti njerëzor, duhet të pranohen dhe kultivohen.

Modeli evropian për zgjidhjen e problemeve ndërmjet shteteve në rajon nuk është aq i popullarizuar as në mesin e intelektualëve, e aq më pak në mesin e elitës politike. Na u desh të prisnim dekada për të zgjidhur përfundimisht problemin e emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në vitin 2018, ndërsa problemi i historisë me Bullgarinë është i vështirë për t’u zgjidhur. Nuk dihet as kur do të mbyllen përfundimisht problemet mes Serbisë dhe Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, Serbisë dhe Kroacisë, Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës, Shqipërisë dhe Greqisë etj. Sundimi i ligjit, demokracia, barazia, tregu i lirë, të drejtat dhe liritë e njeriut janë një temë dhe problem i shpeshtë i politikës së brendshme në këto vende. Prandaj, nuk dihet nëse procesi i integrimit të Ballkanit në BE do të sjellë evropianizimin e rajonit apo ballkanizimin e Evropës.

Duke u fokusuar vetëm te fondet dhe përfitimet konkrete materiale, vendet aspirante shpesh harrojnë faktin se BE-ja është projekti më i përsosur i demokracisë liberale deri më tani. Anëtarësimi në Union nuk arrihet as me okupim, as me presion, as me kushtëzim, por me aplikim. Secili prej shteteve aplikon për anëtarësim, duke u angazhuar të pranojë dhe zbatojë politikat e Unionit. Vendimmarrja brenda Unionit bëhet me konsensus, që nënkupton peshën e barabartë të zërit të secilit prej shteteve anëtare.

BE-ja është një projekt që për herë të parë në histori solli një periudhë 70-vjeçare të paqes dhe bashkëpunimit midis popujve dhe kombeve evropiane. Kjo paqe dhe besim reciprok kontribuan në krijimin e një tregu të vetëm me mundësi të panumërta për ekonominë, duke e kthyer BE-në në një nga ekonomitë më të forta në botë.

Ballkani është i papërgatitur sa duhet për evropianizim të vërtetë, që do të thotë për pranimin e një identiteti të ri, politik, mbikombëtar dhe multietnik, i cili do të bashkojë të gjithë banorët e kontinentit evropian. BE-ja bazohet në një sistem vlerash për të cilat është rënë dakord përmes miratimit të një sërë traktatesh. Ky grup vlerash përcakton dhe formëson identitetin evropian.

Në kontekstin e globalizimit, identiteti evropian konsiderohet si një identitet që qëndron mes globales dhe kombëtares. Globalizimi si proces i integrimit të njerëzve nga e gjithë bota në dimensionin ekonomik, social-kulturor dhe politik shpeshherë ndërhyn dhe është në kundërshtim me identitetin e ndërtuar kombëtar ose etnik. Në një kohë kur lidhjet ekonomike, politike, kulturore dhe sociale po fitojnë vrull dhe teknologjia po zvogëlon distancën midis njerëzve dhe, siç thotë Marshall McLuhan, po e bën botën një “Fshat global”, pyetja është nëse identiteti kombëtar do të mbijetojë dhe do të jetë rezistent ndaj të gjithë këtyre proceseve globale, ose do të pësojë ndryshime në të gjitha dimensionet. Vendet e Ballkanit janë vendet më të mbyllura në këtë temë, ndërsa qasja e tyre etnocentrike dhe konservatorizmi kombëtar e bën atë identitet evropian shumë të largët.

Nëse qëllimi i pan-evropianëve është krijimi i një identiteti të fortë evropian, i cili do të bashkojë të gjithë banorët e Unionit, synimi i globalizimit është ndërtimi gradual i një identiteti të ri, sipas të cilit të gjithë njerëzit e botës nga të gjithë grupet etnike, kombëtare, fetare ose racore i përkasin të njëjtit komunitet, të cilët ndajnë të njëjtat vlera morale. Pra, çfarë thoshte Sokrati në Greqinë antike: “Unë nuk jam athinas apo grek, por qytetar i botës”.

Ballkani është larg evropianizimit. Brezat e rinj po rriten me të njëjtën dozë nacionalizmi si paraardhësit e tyre. Interneti nuk ka kontribuar sa duhet për t’i bashkuar njerëzit, siç ka bërë në nivel evropian dhe madje edhe në atë botëror. Përkundrazi, lajmet e rreme dhe nacionalizmi ekstrem e kthejnë internetin në një mjet të fuqishëm për radikalizimin e brezave të rinj.

Të fundit