E mërkurë, 24 Korrik, 2024

ALBIN KURTI HARRON 6 KUSHTET, PRANON PLANIN FRANKO GJERMAN

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar publikisht planin franko gjerman. Pas takimit të sotëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, Kurti tha se “si qeveri e pranojnë planin franko-gjerman”, duke shtuar më pas se ka bazë të mirë për negociata të mëtutjeshme.

“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platformë solidë për të ecur tutje”, ka shkruar ndër tjerash Kurti.

Ndërkohë gjashtë kushtet e Albin Kurtit duket se kanë ngelur jetimë.
Përmes një interviste në agjencinë ndërkombëtare të lajmeve “The Associated Press”, Kurti të dielën u ka kërkuar fuqive perëndimorë të mos i bëjnë presion për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kush janë (ishin) gjashtë kushtet e Albin Kurtit 
Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.
“Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit  ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.
“Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.
Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
“Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”

Të fundit