E enjte, 18 Korrik, 2024

SHKUPI DHE SOFJA TENSIONE PËR DELLÇEVIN, RREZIKOHET RRUGA PËR NË BE

Shkruan: Enis Shaqiri

As shënimi i 151-vjetorit të lindjes së revolucionarit Goce Dellçev nuk uli tensionet midis Shkupit dhe Sofjes. Përkundrazi, kufi i bllokuar, siguri e madhe dhe disa shtetas bullgarë të arrestuar paralajmruan një periudhë jo dhe aq miqësore midis vendeve. Ndërkohë që Traktati i Miqësisë së Mirë, i nënshkruar në vitin 2017, parasheh kremtim të përbashkët të ngjarjeve dhe figurave historike, në prag të këtij përvjetori disa incidente minuan frymën e miqësisë midis dy vendeve.

Të shtunën  ditën kur u shënua 151-vjetori i lindjes së Dellçevit, rrugët që të çonin deri tek oborri i kishës “Shën Spas” përballë Kalasë së Shkupit, aty ku edhe është varrosur, ishin të bllokuara nga forcat speciale të Policisë maqedonase.

Masat e rrepta u kërkuan nga vetë Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski. Ai në seancën e 18-të të Këshillit të Sigurisë, paralajmëroi se ngjarja e 4 shkurit është ngjarje me rrezik të lartë, ku edhe kërkoi nga Qeveria që të mirren masa parandaluese.

Edhe pse priteshin tensione, sot ky përvjetor u festua pa incidente dhe qetë, përveç disa problemeve në pikën kufitare Deve Bair, ku si pasojë e defektit të sistemit, Policia maqedonase arrestoi 3 shtetas bullgarë, të cilët kanë ofenduar zyrtarët policorë, ndërsa më pas kanë tentuar t`i sulmojnë edhe fizikisht.

Pjesë e ngecjes në këtë pikë kuftare ishte edhe delegacioni bullgar i kryesuar nga vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Ivan Demerxhiev.

Ivan Demerxhiev, pas vendosjes së luleve në varin e Dellçevit së bashku me përfaqësues të Qeverisë bullgare, tha se “ sot, këto masa të sigurisë janë të domosodshme, ndërsa siguria do të thotë, të gjithë që dëshirojnë t’i shprehin nderim Goce Dellçevit, këtë lirisht të vijnë ta bëjnë.”

Ndërsa për defektin në pikën kufitare Deve Bair, Demerxhiev tha se Bullgaria si donacion do t’i dhurojë tre gjeneratorë të rrymës në pikat kufitare, Maqedonisë së Veriut.

“Menjëherë do t’i dhurojnë tre gjeneratorë të rrymës në pikat kufitare të Maqedonisë, në mënyrë që të mos kenë probleme si “dështimi i sistemit” të sotëm, i cili bëri që qindra makina të presin me orë të tëra. Kjo sjellje e tillë është e papranueshme, aq më tepër që nuk “përputhet me drejtimet në të cilat po lëvizin dy kombet tona”, tha Ivan Demerxhiev

Kujtojmë se Goce Delçev, është një ikonë për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, ndërkaq këto dy shtetet fqinje, ende nuk kanë arritur t`i zgjidhin mosmarrëveshjet historike, që nga viti 2017, kur edhe nënshkruan marrëveshjen për fqinjësi të mirë.

Ndërsa tensionet mes dy vendeve u rikthyen në muajin nëntor të vitit të kaluar, kur pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, hapën klube bullgare me emrat “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, ndërsa këto klube u kundërshtuan nga Shkupi zyrtar për shkak emrave që mbajnë. Emra këto të cilët kanë sunduar me Bullgarinë në periudhën e Perandorisë Osmane, me synim “bashkimin e tokave maqedonase me Bullgarinë”.

Ndryshe, më 16 janar të këtij viti, mollë sherri ishte edhe rrahja në Ohër e njërit prej drejtuesve të klubit bullgar, gjë që rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve, duke e detyruar kështu Sofjen që ta tërheq për konsultime ambasadorin e saj në Shkup.

Ndërkohë, në vlugun e përplasjeve më të reja, Bullgaria bëri të ditur tërheqjen e ambasadorit të saj nga Shkupi, dhe pezullimin e të gjitha projekteve të përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut. Kjo është bërë e ditur të enjten e kaluar nga kryediplomati bullgar Nikolai Milkov, pas një seance në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të Bullgarisë, ku është diskutuar për tensionet e fundit me Maqedoninë e Veriut, pas sulmit fizik ndaj Hristijan Pendikovit – sekretarit të klubit bullgar në Ohër.

Të fundit