E shtunë, 13 Korrik, 2024

NATO: RUSIA T’I PËRMBAHET TRAKTATIT PËR REDUKTIMIN E ARMËVE BËRTHAMORE

NATO i bëri thirrje Rusisë që të përmbushë detyrimet e saj në baze të Traktatit për reduktime të programeve bërthamore të quajtur START.

“Ne shohim me shqetësim se Rusia ka dështuar të përmbushë detyrimet ligjore, përfshirë inspektimin [për programet bërthamore] dhe i bëj thirrje Rusisë të përmbushë detyrimet e saj sipas Traktatit”, shkroi në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Rusia po shkel Traktatin e ri START, i cili kufizon numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia përmes raketave tokësore, detare dhe bombarduesve.

SHBA-të kanë thënë se Rusia nuk po lejon inspektimin e objekteve të saj, siç e kërkon Traktati.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, tha se Rusia mund të “rikthehet lehtësisht” te zbatimi i marrëveshjes.

“Ekziston një rrugë e qartë për kthimin [te marrëveshja]. Ajo që Rusia duhet të bëjë është që të lejojë inspektimet në territorin e saj, ashtu siç veproi për vite me radhë sipas traktatit të START dhe të marrë pjesë në takimin e komisionit konsultativ dypalësh. Asgjë nuk i pengon inspektorët rusë që të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të zhvillojnë inspektimet”, tha Patel.

Zyrtarët rusë i kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen që Uashingtoni i ka dhënë Kievit, teksa Ukraina përballet me agresionin rus.

Richard Weitz, drejtor i Qendrës për Analiza Politiko-Ushtarake në Institutin Hudson i tha Zërit të Amerikës se ka disa arsye se pse Moska mund të jetë duke shkelur Traktatin.

“Në rastin më të mirë, Rusia po përpiqet të kërkojë lëshime të tjera nga Shtetet e Bashkuara, ndoshta të inspektojë më shumë sisteme amerikane. Në rastin më të keq, Rusia po mban peng procesin e kontrollit të armëve strategjike karshi agresionit të saj në Ukrainë”, tha Weitz.

Rusia nuk ka përjashtuar përdorimin e armëve taktike bërthamore në Ukrainë, çka ka ushqyer frikën globale për një katastrofë bërthamore.

Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.

Perëndimi iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.

Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Të fundit