E martë, 23 Prill, 2024

PRESIDENTI SERB: PLANI FRANKO-GJERMAN FLET PËR KOSOVËN SI PËR SHTET TË PAVARUR

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lënë të kuptohet se regjimi i tij do të kundërshtojë aderimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që ka nënvizuar se Bashkësia e komunave me shumicë serbe të popullsisë, në Kosovë, nuk duhet të jetë një “ojq”, por e njëjta duhet të posedojë kuadrin juridik e fizik për serbët.

Këto komente, sikurse raporton kdpolitik.com, presidenti serb i ka bërë në seancën e Parlamentit në Beograd ku deputetët i ka njohur me përmbajtjen e planit franko-gjerman dhe rrjedhën e bisedimeve të deritashme me ndërmjetësit ndërkombëtarë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Erdha t’ju tregojë të vërtetën absolute,” – deklaroi Vuçiq para deputetëve, duke bërë të ditur se diplomatët euro-amerikanë i kishin thënë se nëse nuk pranohet Plani më i ri, atëherë vendi i tij do të përballej me ndërprerjen e negociatave për anëtarësim në BE si dhe me ndërprerjen e arrdhjes së investimeve nga bota perëndimore, por edhe me tërheqjen e investimeve të tyre nga Serbia.

Duke pranuar se elementet e publikuara të planit franko-gjerman janë të sakta, Vuçiq  tha se dokumenti e nënkupton Kosovën si shtet të pavarur, ndërsa në pikën e katërt të tij nënvizohet se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe të popullsisë, Vuçiq tha se ai duhet të vëhet në jetë me të 22 parimet që ngërthen Marrëveshja e Brukselit e jo të jetë një, sikurse tha ai, model i funksionimit të organizatave joqeveritare: “Serbët nuk do të kthehen në institucione (të Kosovës) pa funksionimin e Asociacionit” – tha Vuçiq duke përsëritur qëndrimin se Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO, por është për neutralitet ushtarak, ndërkohë që pohoi se Beogradi është i “pavarur në marrjen e vendimeve – nuk shkojmë për mendim as në Uashington, as në Moskë, as në Berlin”- deklaroi presidenti serb, Vuçiq, shpeshherë i ndërprerë nga ndërhyrjet e deputetëve të opozitës. Duke mos dalë me qëndrim të prerë për propozimin franko-gjerman, megjithatë presidenti i Serbisë, e mbylli fjalimin me fjalët “Kosova në OKB! Kapitullimi dhe tradhëtia nuk janë opsion… Rroftë Serbia, dorëzimi nuk është opsion”!

Të fundit