E mërkurë, 24 Prill, 2024

ASH PJESË E QEVERISË, EPILOGU NË DITËT NË VIJIM

Pas takimit të kryeministrit dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të ASH-së, Arben Taravari, gjithnjë e më e sigurt duket hyrja e ASH-së në qeveri. Bëhet e ditur se Kovaçevski dhe Taravari kanë rënë dakord në pjesën më të madhe për përcaktimet programore, por nuk është biseduar për zgjidhje kadrovike. Ndërkohë pritet që në ditët në vijim gjithçka të bëhet më e qartë.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Akoma nuk është bërë zyrtare nisja e negociatave mes ASH-së dhe kryeministrit  Dimitar Kovaçevskit, për hyrjen e ASH-së në Qeveri. Sipas njoftimit qeveritar, temë e diskutimit ka qenë rruga euro-integruese e vendit. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se në takim nuk është biseduar për ndarje të resorëve, por vetëm për çështje programore.

Taravari së bashku me anëtarët tjerë të komisionit negociues të partisë, u takuan me kryetarin e LSDM-së dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevskin.

Kryetari Taravari u shpreh se rreth 90 përqind e përcaktimeve programore janë sinkronizuar me programin aktual të Qeverisë.

“Në aspektin programor, mendoj se pjesa dërmuese e çështjeve janë të sinkronizuara me Qeverinë, mund të them se 90 përqind e propozimeve tona të cilat i propozuam. Besoj se Qeveria së shpejti do dalë me një kumtesë, me një informatë dhe do jeni të informuar për detajet. Për çështje kadrovike aspak nuk u hap tema, besoj se ditëve në vijim shumë shpejtë do të ulemi për t’i hapur çështjet kadrovike”, u shpreh kryetari Taravari.

Ndërkaq, përmes një kumtese, pres-shërbimi qeveritar për mediat njoftoi se aty u diskutuan temat aktuale,  ndër ta edhe rruga euro-integruese.

“Në takim, kryeministri Kovaçevski dhe Taravari biseduan për shumë tema aktuale lidhur me përcaktimet strategjike të shtetit. U diskutuan përfitimet nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, fillimi i negociatave me BE-në me qëllimin përfundimtar anëtarësimin e plotë në BE dhe partneriteti strategjik që Maqedonia e Veriut ka zyrtarizuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedimeve mes kryeministrit Kovaçevski dhe Taravari ishte lufta e padiskutueshme kundër korrupsionit në kuadër të proceseve reformuese që po ndodhin në vend, si dhe procesi i skriningut i cili deri më tani realizohet me sukses por edhe procesi për të sjell vendime dhe reforma që do të kontribuojnë në integrimin sa më të shpejtë të vendit në BE”, njoftoi pres-shërbimi qeveritar për media.

Ndryshe, Taravari njoftoi se ditëve në vijim do të vazhdojnë takimet për çështjet kadrovike. Jo zyrtarisht në opinion ndër resorët më të përfolur është Ministria e Shëndetësisë.

Të fundit