E shtunë, 20 Prill, 2024

BALLKANI SI FUSHË E ABSURDITETIT

Në gjithë këtë zhurmë, fokusi nuk është vënë tek sfidat me të cilat do të përballemi këtë vit – nga ndryshimet kushtetuese e deri te realiteti gjeopolitik. Për të arritur një shumicë prej dy të tretash, qeveria duhet të hapë një dialog të shëndetshëm dhe të ndershëm me opozitën.

Shkruan: Xhelal Neziri

Se Ballkani është fushë absurditeti, tregon edhe përkeqësimi i fundit i marrëdhënieve mes Sofjes dhe Shkupit. Sulmi fizik ndaj një anëtari të Klubit Bullgar në Ohër u shndërrua në një problem madhor ndërshtetëror që shkaktoi edhe tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi. Ky incident vendoset në kontekst të çështjes së historisë së para Luftës së Dytë Botërore, problem ky që shfaqet vazhdimisht në marrëdhëniet mes dy vendeve. Absurditeti nuk qëndron në faktin se historia bëhet pengesë për integrimin në Bashkimin Evropian (BE), si një projekt për një të ardhme më paqësore dhe progresive. Absurdi më i madh, megjithatë, është realiteti aktual ku dy shtete po garrojnë në mënyrën më të pakulturuar për Goce Dellçevin, një personazh historik që botën e kuptoi si “fushë për garë të kultururuar midis popujve”. 121-vjetori i lindjes së tij më 4 shkurt do të festohet në kulmin e marrëdhënieve të tensionuara mes dy popujve.

Ky problem nuk do të ishte aq serioz nëse nuk rrezikonte të kthente veton për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE). Dhe kjo në një kohë kur partitë politike në Shkup po përpiqen të gjejnë një formulë për të arritur 80 deputetë për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë që bullgarët etnikë të bëhen pjesë e saj. Ky obligim u mor në vitin e kaluar si pjesë e Propozimit Francez, që hoqi bllokadën e Sofjes, dhe shërben si udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë të nënshkruar në vitin 2017.

Ndërkohë, në Shkup po zhvillohen beteja për shumicën parlamentare: opozita po përpiqet të arrijë 61 deputetë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa qeveria tenton të sigurojë 80 deputetë për ndryshimet kushtetuese.

Deri në fund të javës pritet të zyrtarizohet hyrja e Aleancës për Shqiptarët (AA) në koalicionin qeveritar. Në parim, nuk ka pengesa programore, problemi është vetëm në ndarjen e resorëve. Ka shumë partnerë të vegjël me oreks të madh, interesa partiake dhe individuale. Partitë e vogla politike janë vazhdimisht kundër zgjerimit të koalicionit qeveritar. Kjo e bën qeverinë të duket si një kopsht fëmijësh, ku të gjithë luftojnë për hapësirë ​​dhe vëmendje. Është e kuptueshme që me hyrjen e AA-së në qeveri pesha e tyre nuk do të jetë e njëjtë, ndaj po bëjnë gjithçka që kjo të mos ndodhë.

Reagimi ndaj Alternativës së Afrim Gashit është disi i kuptueshëm. Si palë, ajo ka të drejtë të insistojë në zbatimin e vazhdueshëm të marrëveshjes me të cilën u bë pjesë e qeverisë. Si shtyllë e asaj marrëveshjeje është edhe menaxhimi me departamentin e shëndetësisë. Ky portofol tani duhet t’i kalojë AA-së, kështu që do të mbetet vetëm në një ministri. Është politikisht korrekte të respektohen marrëveshjet, edhe nëse ato janë verbale. Por në politikë asgjë nuk është e garantuar. Dinamika politike përcakton jo vetëm marrëveshjet, por edhe aleancat. Tani qeveria ka nevojë për një shumicë të qëndrueshme parlamentare, ndërsa edhe marrëveshja LSDM-BDI po ndryshon, kur është fjala për ndarjen e dikastereve dhe funksioneve.

Megjithatë, vetëm me deputetët e AA-së nuk do të arrihet në 80 deputetë, që nevojiten për ndryshimet kushtetuese. Por do të hiqet dilema nëse do të krijohet një shumicë e re që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në një vit kur ato janë më pak të nevojshme. Po kështu, do të zhduken kombinimet dhe akrobacitë e ndryshme politike që janë vetëm në interes të partive apo grupeve të caktuara të interesit dhe janë në kundërshtim me interesin e të gjithë qytetarëve.

Në gjithë këtë zhurmë, fokusi nuk është vënë tek sfidat me të cilat do të përballemi këtë vit – nga ndryshimet kushtetuese e deri te realiteti gjeopolitik. Për të arritur një shumicë prej dy të tretash, qeveria duhet të hapë një dialog të shëndetshëm dhe të ndershëm me opozitën. Ashtu si në vitet ’90-ta, kur u arrit një konsensus i gjerë politik dhe etnik për orientimet strategjike të vendit – integrimi në NATO dhe BE. Ky konsensus edhe sot është i mundur. Ka mënyra dhe mundësi për të bindur VMRO-DPMNE-në që t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese, por kjo duhet të jetë rezultat i një procesi serioz negociatash, konsultimesh dhe marrëveshjesh. Bëhet fjalë për realizimin e orientimit të dytë strategjik, si synim mbipartiak dhe mbietnik. Integrimi në BE nuk ka alternativë.

Dhe, do t’i kthehem sërish absurdit ballkanik: Bullgaria është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, por në të njëjtën kohë është një vend evropian ku Rusia ka ndikimin më të madh. Paqëndrueshmëria politike dhe katër cikle zgjedhore të njëpasnjëshme, të cilat nuk kanë arritur të prodhojnë një qeveri legjitime, favorizojnë pikërisht instalimet politike ruse në këtë vend. Presidenti Rumen Radev nga partia BSP, eurodeputeti Angel Xhambaski nga VMRO-ND dhe Konstadin Konstadiov nga “Vëzrazhdane” (Rilindja) janë më të zhurmshmit kur bëhet fjalë për përdorimin e sërishëm të vetos për Shkupin. Të gjitha këto personalitete dhe subjekte politike i lidh simpatia e tyre për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin. Radev është figura e vetme legjitime që mund të përfaqësojë vendin e tij jashtë vendit. Ai ka një ndikim të madh edhe në qeverinë teknike. Prandaj do të kërkohet një casus beli (shkaku i luftës) në çdo incident të mundshëm. Qëllimi i Putinit është i njëjtë si në rastin e Greqisë – pengimi i anëtarësimit në BE përmes vetos së një vendi evropian. Ai e di që në këtë rast po bllokon dy shtete me një veto.

Të fundit