E enjte, 25 Prill, 2024

VUÇIQI E KURTI MES KUDHRËS E ÇEKANIT EURO-AMERIKAN

Ecejaket diplomatike të gjashtëshes ndërkombëtare (BE, SHBA, Gjermani, Francë, Itali e Mbretëri e Bashkuar) në Prishtinë e Beograd, por edhe nëpër metropolet tjera të Ballkanit Perëndimor, duket se po e ngushtojnë dita-ditës rrethin e manovrimit për udhëheqjen e Serbisë dhe atë të Kosovës, përkatësisht kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, që më në fund të tumirin marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Duket se qendrat ndërkombëtare të vendosjes e kanë kuptuar më në fund se dyshja e sipërpërmendur e ka legjitimitetin për të vënë pikat mbi I, për të hequr njëherë e përgjithmonë nga rendi i ditës një problem që nëse nuk zgjidhet tash, mund të përshkallëzohet edhe më. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve buron nga i ashtuquajturi propozim a plan franko-gjerman që aktualisht gëzon mbështetje të fuqishme si të Brukselit, ashtu dhe Uashingtonit zyrtar.

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Njohja e pushtetarëve në Kosovë dhe në Serbi, me përmbajtjen e propozimit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, fillimisht, dhe mbështetja e fuqishme ndërkombëtare që pasoi, duket se gjithnjë e më shumë po mbështesin për muri pushtetin aktual në Serbi dhe atë në Kosovë që më në fund të “kapërcejnë Rubikonin”. Reagimet e zhurmshme në Beograd, po edhe në Prishtinë, sipas njohësve të rrethanave në të dyja kryeqendrat, reflektojnë qortimin ndërkombëtar për të dyja palët se më nuk do të kenë “hapësirë manovrimi”, por se duhet që të marrin përgjegjësitë e veta për të operacionalizuar marrëveshjen të cilën rezulton se prej vitesh e kanë pasur mbi tavolinë. Në të kundërtën, është ky mesazhi i BE-së, por edhe i administratës amerikane – do të përballen me atë që njihet si “politikë e kulaçit e kërbaçit”!

Njohësit e rrethanave thonë se zhvillimet në Ukrainë e kanë këndellur diplomacinë euro-amerikane për të parandaluar mundësinë e hapjes së një vatreje të re në truallin evropian dhe konkretisht në hapësirat e Ballkanit Perendimor. Nuk duhet menduar e lexuar shumë për ta kuptuar se një “front i ri” ashiqare do t’i konvenonte Moskës zyrtare dhe palëve të treta të interesuara për influencë në rajon. Diplomacia ndërkombëtare e ndodhur para një sfide të këtillë me shumë pikëpyetje, prandaj është e interesuar që tani dhe pikërisht tani t’i lëvizë punët përpara. Edhe për një arsye: presidenti serb Aleksandar Vuçiq i sapodalë si fitues nga zgjedhjet e përgjithshme, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si fitues absolut i zgjedhjeve të fundit parlamentare, janë dy figurat që duhet të marrin përgjegjësinë për të hyrë e dalë nga kjo “lojë” në të cilën, sikurse vëren politikologu i njohur kroat, Davor Gjenero, “nuk është e mundshme se aktorët do të fitojnë, nëse që të dy refuzojnë të jenë bashkëpunues me ata të cilët kanë definuar rregullat e lojës, sepse hapësira manovruese të cilën “mediatorët” ua kanë lënë “lojëtarëve” është tepër e ngushtë dhe nuk lë vend për rrëshqitje. Paradigma e ofruar nuk është “merre ose lëre”, por “merre ose fundosu”! Një zbërthim i këtillë i mesazheve të fundit të diplomatëve euro-amerikanë, natyrisht se ka trazuar politikën shqiptare dhe atë serbe që, dorën në zemër, duke jetuar prej vitesh me “konfliktin e ngrirë”, nuk është se nuk e ka ditur se çfarë e pret, pavarësisht pohimeve për respektim kushtetute (si kur është fjala për refuzimin nga pala serbe të njohjes së Kosovës, ashtu edhe për mos-formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe që refuzohet nga pala kosovare).

Të fundit