E premte, 19 Prill, 2024

PËRFAQËSIMI I ULËT I GRAVE NË KRYESITË E PARTIVE – PENGESË E ZHVILLIMIT SHOQËROR

 

  • Aktivistja e shoqërisë civile dhe gazetarja, Teuta Buçi, mendon se Maqedonia e Veriut është vendi me përqindje më të ulët të grave në politikë, në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
  • Studiuesja e çështjeve gjinore dhe ligjëruesja e lëndëve të komunikimit, Arta Xhelili, mendon se barazia gjinore krijon stabilitet në demokraci.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Edhe pse partitë politike shqiptare para konstituimit të organeve partiake zotohen për barazi gjinore, pas publikimit të listave zyrtare të anëtarëve të kryesive qendrore kjo gjë thjeshtë mbetet retorikë politike. Kështu, sipas listave zyrtare të partive politike shqiptare, rreth 90% janë burra kurse vetëm 10% gra.

Kryesitë e BDI-së, ASH-së, Alternativës dhe Lëvizjes Besa kanë numër përafërsisht të njëjtë të anëtarëve të kryesive, dhe përqindje jo të mjaftueshëm të grave. Sipas Ligjit për zgjedhje parlamentare, çdo parti është e obliguar që një të tretën e deputetëve që zgjidhen t’i ketë të gjinisë femërore, apo së paku 30 për qind përfaqësim.  BDI ka 31 anëtarë të kryesisë, prej të cilëve 5 janë gra, apo një përfaqësim prej 13 për qind. ASH ka 29 anëtarë në kryesi, nga të cilët vetëm 7 janë gra, apo 24 për qind. Partia Alternativa ka gjithsej 39 anëtare të kryesisë, prej të cilave 10 janë gra, apo 25 për qind. BESA numëron 28 anëtarë të kryesisë, prej të cilëve vetëm 4 janë gra, apo 14 për qind.

 

Aktivistja e shoqërisë civile dhe gazetarja, Teuta Buçi, mendon se Maqedonia e Veriut është vendi me përqindje më të ulët të grave në politikë, në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

“Është e vërtetë se gjendja e përfaqësimit gjinor, si te partitë politike shqiptare po ashtu edhe te ato maqedonase, lë shumë për të dëshiruar. Madje, Maqedonia e Veriut është vendi me përqindje më të ulët të grave në politik, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kjo vjen si rezultat i një mendësie të prapambetur politike, ku ngritja intelektuale nuk është kriter kryesor për vendosjen e anëtarëve partiak në pozita të rëndësishme, madje kjo ndonjëherë nuk është fare kriter. Duhet të tejkalojnë interesat personale e partiake, të mos punojnë vetëm për të fituar vota, por të fillojnë të punojnë për të zhvilluar shoqërinë dhe shtetin”, u shpreh gazetarja Buçi.

Studiuesja e çështjeve gjinore dhe ligjëruesja e lëndëve të komunikimit, Arta Xhelili, mendon se barazia gjinore krijon stabilitet në demokraci.

“Barazia gjinore në pjesëmarrjen politike është e lidhur me stabilitet më të madh ekonomik, rritje të rezultateve demokratike, paqes dhe prosperitetit. Barazia gjinore në politikë shpesh reflekton fuqizim më të gjerë të femrave. Republika e Maqedonisë së Veriut nuk bën përjashtim. Pengesë për perspektivat politike të grave paraqesin barrierat ekonomike, sociale, institucionale dhe kulturore të bazuara në gjini. Hulumtimet lidhur me këtë problematik kanë nxjerrë në pah faktorët kryesorë që pengojnë arritjen e barazisë në politikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një nga faktorët kryesorë është diskriminimi sistematik ndaj grave brenda partive politike”, u shpreh profeseresha Xhelili.

Përndryshe, edhe pse kemi pesë parti shqiptare që janë të përfaqësuar në Kuvend, tri prej tyre në ekzekutiv dhe të gjitha në pushtetin lokal, përfaqësimi i grave nëpër institucione është minimal.

Të fundit